Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha se është e rëndësishme që të gjithë të pajtohen që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të bëhet, veçanërisht siç thotë ai, për shkak se kjo ishte e paraparë në marrëveshjen e 10 viteve më parë, të cilën Hill e vlerëson si një periudhë shumë të gjatë, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Në panelin “E ardhmja e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” në Forumin e Biznesit në Kopaonik, Hill tha se marrëveshjet duhet të respektohen dhe se ky është një test për autoritetet në Prishtinë që të kuptojnë se çfarë duhet bërë për të përmbushur standardet evropiane.
“Arsyeja e dytë është se nuk duhet të jesh historian apo antropolog për të ditur se serbët kanë jetuar në Kosovë me shekuj dhe kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Është një test për autoritetet në Prishtinë. Unë jam optimist se kjo mund të ndodhë”, tha Hill.
“Dëgjuam në dokumentar se çfarë tha për aspiratat drejt BE-së. Duhet të ecim përpara, e kaluara është e kaluar. Nuk duhet të diskutojmë vetëm problemet, por edhe mundësitë”, tha ambasadori amerikan.
Ai vlerësoi se BE-ja është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Evropës në shekujt e fundit.
“Ka vështirësi, por ne duhet të fokusohemi te qëllimi. BE-ja është përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve edhe jashtë BE-së. Shpesh lodhemi duke folur për burokraci, por të gjithë në Evropë duhet të përpiqen për anëtarësim,” shtoi ai./Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.