×
  • Lajme
  • Lajme / Beograd

    Hill: SHBA ka qenë shumë e qartë për çështjen e dinarit në Kosovë, të vazhdojnë përpjekjet për normalizim në kuadër të dialogut

    Reporteri
    13 Shkurt 2024 | 9:50

    Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha se qeveria amerikane ishte shumë e qartë për shqetësimet e saj rreth vendimit për ndalimin e dinarit në Kosovë.

    Hill, i pyetur nga për çështjen e dinarit tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje se çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë, por se duhet të ketë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe do të shohim pjesën tjetër”, tha Hill.

    I pyetur nëse dialogu është në errësirë ​​pas lëvizjeve të fundit rreth vendimit të BQK-së, ambasadori Hill thotë se nuk dëshiron ta karakterizojë  kështu dialogun dhe se këtë ia lë të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, por beson se shumë probleme, përfshirë edhe dinarin, duhet të zgjidhen me dialog.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ritheksuar dje se nuk do të ketë kthim pas të vendimit të BQK-së, por nuk do të ketë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit për ndalimin e dinarit, derisa ky institucion doli me njoftim se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj.

    Kurti tha se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

    “Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë me përkushtim të njëjtin qëndrim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, shkroi sot Kryeministri Kurti.

    E lidhur me këtë fazë tranzicioni nga BQK thanë se ajo mund të zgjasë deri në tre muaj, derisa prezantuan edhe një plan 10 pikësh.

    Në një njoftim për media të hënën, BQK-ja njoftoi se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.

    Gjatë javës së kaluar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier përsëriti se kërkesa e ShBA-së është që Kosova ta shtyjë zbatimin e Rregullores, derisa të vendosen procedura të kënaqshme dhe në përputhje me standardet evropiane.

    Diplomati amerikan ka thënë se SHBA e respekton të drejtën e BQK-së për rregullimin e sektorit financiar, megjithatë shton se çështja në fjalë është tepër e ndjeshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë se si qytetarët e Kosovës masrrin përkrahje financiare nga Serbia.

    “Prandaj, ne duam të shohim Qeverinë dhe Bankën Qendrore të ushtrojnë ndjeshmëri dhe kujdes të madh në mënyrën se si e bëjnë këtë, duke marrë parasysh ndikimin që ky ndryshim do të ketë tek disa nga qytetarët më të cenueshëm të Kosovës”, tha Hovenier.

    Ndërsa nga BE kanë paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit në bllok, për shkak të, siç i quajti ai, veprimeve në njëanshme të saj.

    Rregullorja e re e BQK-së lidhur me operacionet me paratë e gatshme ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

    Sipas kësaj rregullore, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro./Reporteri.net/

    Qortimet e aleatëve, Kurti “zbutet pak” nga vendimi për dinarin

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!