Kosova dhe Serbia kanë pasur tensione tregtare dhe politike vazhdimisht.
Në vitin 2011, Serbia ka lejuar importimin e mallrave nga Kosova, mirëpo vazhdimisht ka paraqitur barriera tregtare për eksportet e Kosovës.
Për këtë arsye dhe për shkak të cenimit të sigurisë kombëtare, Qeveria e Kosovës ka vendosur masë mbrojtëse tarifore, fillimisht prej 10% pastaj 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, shkruan Reporteri.net.
Më 6 nëntor të vitit 2018, Qeveria Haradinaj, mori vendim që të vendoset një masë mbrojtëse prej 10% ndaj importit të mallrave serbe dhe boshnjake. Nga kjo tarifë u përjashtuan prodhimet e markave ndërkombëtare të cilat prodhohen në këto shtete.
Pesëmbëdhjetë ditë më vonë, Qeveria ashpërsoi masën e vendosur duke e rritur atë në 100%. Përveç kësaj, Qeveria obligoi Doganën e Kosovës që të ndalojë hyrjen e produkteve me mbishkrime të cilat nuk përkojnë me përshkrimin zyrtar të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ky vendim erdhi vetëm një ditë pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Sipas Qeverisë së Kosovës, ky dështim erdhi si pasojë e fushatës për mospranim nga shteti i Serbisë.
Sipas Doganës së Kosovës, vlera vjetore mesatare e importit të rregullt nga Serbia ishte 400 milionë euro, ndërsa nga Bosnje e Hercegovina rreth 80 milionë euro.
Deri në vitin 2017, Serbia kishte pjesëmarrjen më të lartë në import, pasi që Kosova importonte deri në 95% të mallit nga Serbia.
Pas vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake nga Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, pati reagime e mendime të shumta dhe të ndryshme rreth këtij vendimi.
Albin Kurti, i cili atëherë ishte vetëm kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputet në Kuvendin e Republikës, në një konferencë për shtyp pati thënë se Kosova është dashur të bëjë më shumë përgatitje dhe se në vend se taksa të jetë gjuhë taktike dhe një lloj akti dëshpërues, do të duhej të kishim reciprocitet në të gjitha fushat.
Pak muaj më vonë, Kurti bënte thirrje për rrëzimin e Qeverisë. Ai bënte të ditur se do fillojë të mbajë tubime nëpër komuna e pastaj do bëjnë edhe një mocion mosbesimi.
Albin Kurti, thoshte se taksa duhet të mbetet, por qeveria duhet të shkojë.
“Sidoqoftë, tash që Vuçiqi na kushtëzon kurrsesi nuk bën të hiqet kjo taksë, ama nuk pranojmë që në emër të kësaj takse të legjitimohet zhvatja e keqqeverisja”, ka thënë ai.
Qeveria ra, por jo me mocion mosbesimi.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, dha dorëheqje nga posti i tij pasi që u ftua nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit.
Kështu më 22 gusht 2019, legjislativi i gjashtë i Republikës së Kosovës, u shpërnda, duke hapur rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u caktuan të mbaheshin më 6 tetor 2019.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e quajti lajm të gëzueshëm shpërndarjen e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja.
Ai tha se Qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet ka “shumë punë të mëdha, por kurrë me vendime të mëdha të këqija”.
Nga zgjedhjet e parakohshme, fitues doli pikërisht ai, që u nominua si kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje.
Albin Kurti mori besimin e 26,27% votuesve në Republikën e Kosovës.
Të menjëhershme kanë qenë edhe pyetjet se si do veprohet me masën tarifore të vendosur nga paraardhësi i Kurtit. Nga mendimi se taksa duhet të mbetet, Kurti tha se taksa do zëvendësohet me reciprocitet.
Më 3 shkurt 2020, u krijua edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin, partia e të cilit ka arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje me vendin.
Kurti në një intervistë ka thënë se Qeveria që ai drejton, synon heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, pas vendosjes së reciprocitetit.
Tre javë pas marrjes së postit të kryeministrit, i gjendur para presionit të madh të aleatëve ndërkombëtarë të cilët kanë thënë se taksa duhet të hiqet plotësisht, Kurti në një konferencë për medie njoftoi se masa tarifore do hiqet pjesërisht më 15 mars.
Sipas tij nëse Serbia ndalon me fushatat e egra kundër Kosovës, më 1 prill taksa do të hiqet plotësisht, por ai nuk e përmendi vendosjen e reciprocitetit pas këtij vendimi.
Lidhur me këtë vendim kanë reaguar edhe partnerët ndërkombëtar nga SHBA dhe BE.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, edhe një herë ka thënë se ata nuk e përkrahin vendimin e Kurtit për heqjen e pjesërishme të taksës dhe ka njoftuar kryeministrin e Kosovës se me këtë vendim është duke bërë një gabim të madh.
“Taksa duhet të hiqet plotësisht”, ka thënë ai.
Për dallim nga SHBA-të, Bashkimi Evropian e ka përshëndetur paralajmërimin e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës mbi importet e lëndës së parë nga Bosnja dhe Serbia, duke e quajtur hap të parë dhe duke thënë se janë në pritje të detajeve të reja.
Pas vendimit për heqjen e pjesërishme të masës tarifore prej 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia, pati reagime të shumta, sidomos nga partitë opozitare të cilat kanë kërkuar nga Kurti që të mos largojnë taksën.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është organizuar për mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit do mbahet sot në ora 14:00
Burime të gazetës online Reporteri.net mësojnë se opozita e përbërë nga PDK, AAK, Nisma dhe disa deputetë minoritarë joserbë, i kanë mbledhur mbi 40 nënshkrime
Si pasojë e kësaj, seanca e jashtëzakonshme do të mbahet të hënën në orën 11:00./Reporteri/