Qeveria e Serbisë ka ofruar ndihmë në furnizim me 1000 teste për Covid-19 për Republikën e Kosovës, gjegjësisht për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Dhe këtë e ka pranuar tashmë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti ka njoftuar përmes Facebook-ut se Serbia do t’i dhurojë Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë 1,000 teste për koronavirus.
“1000 teste të tjera janë marrë donacion nga Serbia. Sot shpallet fituesi edhe për 10 000-13 000 të tjera”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Por, kush ishte ai që shkroi për këto teste e që kërkoi lehtësim të transportit?
Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në një email dërguar Ministrit në detyrë, Arben Vitia, Drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani të cilin e ka siguruar Gazeta Express ka kërkuar që të lehtësohet importi i këtyre testeve në pikën kufitare në Jarinjë. Aty në detaje flitet për donacionin nga Serbia që sipas e mailit do të sillet nga Zyrtari Ndërlidhës i Beogradit në Prishtinë Dejan Paviçeviq.
Në këtë email kërkohej që të caktohet personi përgjegjës nga IKSHPK që të mbetet në kontakt me palën nga Serbia që do të sjellë testet për Covid-19 rreth orës 17:00 në pikën kufitare në Jarinjë. Dje është bërë e ditur se Kosova aktualisht ka vetëm 600 teste te cilat mjaftojnë vetëm për 3-4 ditë varësisht nga numri i analizave që bëhen. Ndërkohë që pritet ardhja e 2 mijë të tjerave, por nuk dihet saktë se kur do të ndodhë kjo. Ky donacion nga Serbia vjen një ditë pas telefonates së Vitisë me homologun e tij serb.
Duket pak ironike që Naim Bardiqi, pas 20 vjetësh të pranojë e kerkojë siguri për pajisje mjekësore nga Serbia, dhe atë veç 1000 teste për coronavirus, ndërkaq dikur ishte mjek në Ushtrinë Çlirimitare, shkruan Reporteri. Për këtë bile ka marrë edhe mirënjohje nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së.Këto teste po jepeshin si donacion për Kosovën dhe vendi ynë vendosi t’i pranojë, transmeton Reporteri
Në rrëfimet e kolegëve të tij dhe të luftës, në ato kohë në kushte të tmerrshme luftonin që të shëronin plagët e ushtarëve dhe të civilëve nga armët e policisë dhe ushtrisë serbe.
Naim Bardiqi, në një rreim për mediat në vitin 2015 kishte folur për vështirësitë. Ai ishte vetëm 27 vjeçar, kur në maj të vitit 1998 vendosi të kthehej nga Gjermania dhe t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dinamika e luftës nuk e priti derisa të arrinte në Kosovë. Ai u ballafaqua me forcat serbe qysh me të arritur në kufi.
“Qysh në hyrje në kufi, ne, një grup prej 100 vetash, jemi ballafaquar me rënien në pritë, me numër të madh te të plagosurve dhe me të vrarë nga ana jonë. Ka qenë një prej momenteve më sfiduese dhe praktika më e rëndë e jetës sime, ballafaqimi i drejtpërdrejtë pas disa orëve që i jam bashkangjitur UÇK-së”, thotë ai.
“Përvojë tjetër e rëndë është, me fillimin e bombardimeve, ku edhe aty përveç që jemi ballafaquar me mungesën teknike mjekësore, një mungesë e madhe ka qenë edhe mundësia ose pamundësia për të gjetur një strehim, për shembull për të plagosurit, shumicën e kohës është dashtë që nëpër përrocka, thjeshtë nëpër male, me llastik ose me qebe, ose me diçka të thjeshtë, t’i mbulojmë dhe t’i mbrojmë ata prej shiut e prej bore, çkado që të jetë”, thotë ai.
Bardiqi rrëfen kurajon që kanë pas pjesëtarët e UÇK-së. “Kemi pas situata vërtetë ku shumica kemi menduar se nuk do të ia dalim, nuk do e zbardhim ditën tjetër. Kështu që kur e marr në përgjegjësi sot dhe e mendoj para 16 vjetëve, mund të them që inkurajimi i njëri tjetrit, vullneti i madh për lirinë tonë, e ka mbajtë moralin dhe shpresën tek secili ushtar, por edhe tek civilë që në shumicën e rasteve, 90 për qind të rasteve, na kanë mbështetur në luftën tonë të drejtë”, thotë ai.
Naim Bardiqi, pas ofenzivës së shtatorit u emërua shef i sanitetit të brigadës 114. Kohën më të madhe e ka kaluar nëpër zonat përgjegjëse të kësaj brigade, por herë herë edhe në pjesë tjera. Marsin e vitit 99 e kujton si një muaj mjaftë të ngjeshur me ofenziva serbe.
“Në përgjithësi janë kujtime jo të mira. Ne në pamundësi të ballafaqimit frontal me forcat serbe ose ballafaqimit kohëshkurtë frontal, na është imponuar luftë guerile, ku jemi ndarë në grupe më të vogla, thjeshtë për të mundur të mbijetojmë, ose të sulmojmë, të bëjmë aq sa kemi, përderia njësiti im i sanitetit normal që ka pas prioritet shëndetin dhe shpëtimin e të plagosurve. Por në përgjithësi është një kohë me kujtime jo të mira ky muaj, ku edhe kemi humbë shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thotë ai.
Megjithatë, këta mjekë asnjëherë nuk menduan të tërhiqeshin. Madje punën e tyre, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kujtojnë me shumë krenari e nderë.
“Kur e kam veshë uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se di kur ka qenë ndonjë ditë më e lumtur se ajo. Thash do të mbahet me vete, thash erdh një moment, e kreva specializmin nga kirurgjia që i duhet më së shumti luftës, dhe pata rastin edhe fatin pikërisht në ato momente më të vështira në të cilat po kalonte populli i Kosovës, gjegjësisht UÇK-ja, të isha pranë. Kjo është kënaqësia më e madhe e imja”, thotë ai.
E kishin ndjenjën se një ditë Kosova do të jetë vend i lirë nga forcat paramilitare serbe. Edhe pse shpresa e tyre herë-herë zvogëlohej, ajo nuk humbte asnjëherë./Reporteri