Historianët e Deçanit kanë thirrur konferencë për media, pasi kryeministri Albin Kurti bëri të ditur sot se i ka kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit.
Sipas njoftimit, para mediave sot do të flasë kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Shkodran Imeraj.
Deklarimin për media ai do ta bëjë para zyrave të Agjencisë Kadastrale në orën 15:00.
“Në ora 15:00, para zyrave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë (ndërtesa e Arkivit të Kosovës) në lagjen e Spitalit, kryetari i Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Decan, Dr.Shkodran Imeraj, do të ju drejtohet mediave.”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar sot në Mbledhje të Qeverisë së Kosovës se i ka ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas aktgjykimit të vitit 2016, të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i ekzekutivit në Mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.
“Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve na është bërë e qartë se nga shumë kushte që kemi pasur për anëtarësim në Këshill të Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo urgjente. Por, njëri mbetet dhe nuk do të hiqet. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it që duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje, me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë./Reporteri.net/