Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letra urimi nga disa prej kryeministrave të tjerë nëpër botë, me rastin e 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kurtit i kanë shkruar kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fiala, ai i Sllovenisë, Robert Golob, dhe kryeministri i Tajlandës, Gjeneral Prayut Chan-o-cha, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Homologia e Kurtit nga Estonia, Kallas, është shprehur e lumtur për takimin e fundit në Talin, ku tha se janë riafirmuar marrëdhëniet mes dy shteteve si dhe është forcuar mbështetja e Estonisë për anëtarësimin e Kosovës në BE.
“Dëshiroj gjithashtu t’ju siguroj se Estonia mbetet një mbështetëse e vendosur e aspiratave evropiane të Republikës së Kosovës. Ju urojmë suksese në rrugën tuaj drejt familjes sonë në BE”, thuhet më tej në letrën e kryeminstres Kallas drejtuar kryeministrit të vendit, Kurti, njofton Zyra për Informim e Qeverisë Kurti.
Mbështetje për rrugën e Kosovës drejt BE-së, Kurtit i ka dhënë edhe kryeministri çek, Petr Fiala.
“Do të doja të përfitoj nga ky rast për të ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke për përpjekjet tuaja për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm dhe të begatë dhe për të bërë përparim në rrugën e tij drejt integrimit në BE. Me kënaqësi pres të punoj me ju për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore që ekzistojnë ndërmjet vendeve tona”, thuhet në letrën e tij.
Kurse nga kryeministri slloven, Golob, Kurti mori përkrahje për Kosovën në rrugën e saj drejt forcimit të sundimit të ligjit, dhe reformave të tjera.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë arritur një nivel të lartë, gjë që është një pikënisje e mirë për bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Sllovenia mbetet një mbështetëse e fortë e aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave, forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal”.
Ndërkaq kryeministri i Tajlandës, Chan-o-cha, ka përkujtuar edhe 10-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, në letrën e tij zyrtare.
“Jam i bindur se lidhjet miqësore mes Tajlandës dhe Kosovës do të vazhdojnë të rriten në vitet në vijim, ndërsa ne punojmë së bashku për përfitimet reciproke të të dy vendeve dhe popujve tanë”. /Reporteri.net/.