×
  • Lajme
  • Lajme

    Fjalimi i Hotit ndërpritet shkaku i fishkëllimave të zyrtareve të PSD-së

    Reporteri
    16 Shtator 2020 | 11:32

    Hoti ndërpritet me fishkëllima në tryezën për dialog.


    Një aksion simbolik me fishkëllima e ndërprerje të fjalës për kryeministrin Avdullah Hoti, është zhvilluar në diskutimin për dialogun.

    Zyrtarët e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi dhe Teutë Rrusta, i kanë ndërprerë fjalën kryeministrit Avdullah Hoti, derisa ai po diskutonte për dialogun Kosovë – Serbi.

    Këto aktiviste dolën në skenë dhe e pyetën Hotin pse dialogu me Serbinë është më i rëndësishëm se jeta e grave kosovare, të cilat po vritën nga burrat.

    “Përderisa dhuna në familje është duke u rritur, ju nuk e keni thënë asnjë fjalë”, ka thënë Rrusta.

    “Grave po iu mohet e drejta e jetës, e pronës dhe krejt këto janë formalisht dhe as ju nuk ish dashtë me e pasë të drejtën me u sill kështu karshi shoqërisë. Për këtë arsye kemi vendosur me ua ndalë fjalën”, ka shtuar tutje ajo.

    Më pas debatin me Hotin e ka vazhduar Natyra Kuci, zëdhënëse e PSD’së.

    Ajo e ka pyetur kryeministrin pse organizon tryeza për dialogun me Serbinë, dhe nuk ndërmerr asnjë veprim dhe as nuk ka reaguar në rastet e fundit, ku një burrë në Mitrovicë ka therur gruan e tij me thikë disa herë, në prani të fëmijëve ndërsa, Pjetër Ndrecajt, që ka vrarë gruan e tij dhe vajzën 9 vjece, i është zvogëluar dënimi.

    “Pse dialogu ma i rëndësishëm se jeta e grave”, ka pyetur Kuçi.

    “Nuk e gjeni një person që e i mbron të drejtat e grave më shumë se unë… a po doni cdo ditë të jap deklarata, apo i shikoni veprimet”, ka thënë Hoti më pas.

    “Dyjat. Edhe veprimet edhe deklaratat”, u përgjigj Kuçi.

    “Të gjitha keni me i dëgju” iu përgjigj kryeministri asaj.

    Tryeza për dialogun është thirrur nga KDI-ja.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!