×
  • Lajme
  • Lajme

    Hovenier: Një pjesë e marrëveshjes së Ohrit tashmë ka filluar të zbatohet

    Reporteri
    30 Mars 2023 | 18:36
    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit ka filluar të implementohet.

    Ai ka thënë se ShBA-të besojnë që kjo marrëveshje duhet zbatuar urgjentisht, dhe thotë se këtë pikëpamje e ka ndarë edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    “Para së gjithash, unë do të thoja se një pjesë e marrëveshjes po zbatohet tashmë dhe natyrisht është një proces për të zbatuar të gjithë marrëveshjen. Shtetet e Bashkuara besojnë fuqishëm se marrëveshja duhet të zbatohet urgjentisht dhe ne gjithashtu kemi dëgjuar të njëjtën gjë të thotë edhe kryeministri i Kosovës.”, ka thënë Hovenier për T7.

    Hovenier tha se hapi i radhës në zbatim të marrëveshjes është takimi i 4 prillit, në nivel kryenegociatorësh.

    Me ftesë të komunitetit ndërkombëtar, më 4 prill, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, do të mblidhen në një takim në Bruksel.

    “Hapi tjetër është takimi më 4 prill, e dini se dialogu i Miroslav Lajçakut është një dialog i ri i lehtësuar që po i tërheq kryenegociatorët të bisedojnë pikërisht për ato çështje dhe ne presim një takim të suksesshëm në mënyrë që të ecim përpara zbatimin e marrëveshjes”, ka shtuar Hovenier.

    Kujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është dakorduar që të vazhdohet me bazë propozimin evropian. Kështu u vendos në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

    Më 18 mars, të dy u dakorduan edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, anipse një dakordim i tillë nuk u vulos me nënshkrim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!