×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    Hovenier për kërcënimin e Vuçiqit: Aleanca më e madhe ushtarake në histori është këtu, populli i Kosovës s’duhet të shqetësohet

    Reporteri
    20 Mars 2024 | 12:47

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka thënë  populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Hovenier ka thënë se aleanca më e madhe ushtarake  në histori është në Kosovë dhe është e gatshme të veprojë nëse është nevoja, shkruan gazeta online Reporteri.net. Ambasadori amerikan ka thënë se Kosova ka bërë zgjedhjen e saj në synimet për t’iu bashkuar kësaj aleance, dhe SHBA po bën gjithçka për ta mbështetur në këtë qëllim.

    “…Shtetet, duhet të vendosin vetë sa i përket çështjes së sigurisë, aleancave e marrëdhënieve, kjo është një çështje e rëndësishme e politikës së jashtme amerikane. Ne e mirëpresim dhe jemi në dijeni që Kosova ka bërë një zgjedhje për të ju bashkuar NATO-s një ditë dhe po bëjmë çdo gjë për ta mbështetur këtë qëllim. Sa i përket stabilitetit dhe integritetit rajonal, SHBA mbështet popullin e Kosovës dhe FSK-në për tranzicionin në një forcë shumëetnike mbrojtëse territoriale. Kemi vendosur shumë përpjekje, trajnime, pajisje armatim për ta mbështetur atë qëllim  dhe ky mbetet qëllimi ynë. Kosova përballet me disa sfidën me disa anëtarë të NATO-s që nuk e kanë njohur ashtu siç e kanë njohur SHBA dhe aleatët tanë, si vend sovran dhe i pavarur. Dëshirojmë ta shohim të ardhmen e Kosovës në NATO dhe presim që Kosova të jetë anëtarë e plotë e NATO-s  një ditë dhe po punojmë në këtë drejtim.

    “Për kërcënimet, mund të them se populli i Kosovës ka përfitime nga misioni i madh i NATO-s dhe ka garanci të madhe të sigurisë. Në Kosovë, NATO-ja përfshinë disa qindra ushtarë amerikanë së bashku me aleatë të NATO-s për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të mbrojtur Kosovën.

    “Mund të them që përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që SHBA-ja ka ofruar, qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha Hovenier.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq gjatë së hënës, në një paraqitje të tij ka bërë një deklaratë kërcënuese dhe luftënxitëse duke deklaruar se nëse perëndimi zgjedh Kosovën, “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.

    ”Nuk është problem i doni ata e nuk na doni neve, nëse i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t’u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë! Por jemi mjaftueshëm të edukuar dhe mjaftueshëm të mençur e trima dhe mjaftueshëm kemi marrë mësime dhe kemi fituar përvoja pas gjithë asaj që na keni bërë 25 vjetët e kaluara që ta presim momentin më të mirë të mundshëm dhe ta shfrytëzojmë mundësinë, rastin tonë”, tha Vuçiq dje.

    Ndaj deklaratave kërcënuese të Vuçiq reagoi dje edhe Qeveria e Kosovës dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk është hera e parë që presidenti Vuçiq bën deklarata të tilla duke shfaqur synimin e tij për invazion të Kosovës.

    Tutje, thuhet se ky kërcënim erdhi pikërisht në njëvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, “për të vërtetuar se Serbia fare nuk e ka mendjen te zbatimi i saj”.

    “Kjo nuk është hera e parë që Presidenti i Serbisë bën deklarata të ngjashme përmes së cilës shfaq synimin e tij për invazion në Kosovë. Në një rast të mëparshëm ka pasur si referencë konfliktin në Nagorno Karabakh ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit duke marrë si shembull veprimet e këtij të fundit. Kësaj radhe, ky kërcënim erdhi mu në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazike. Si për të vërtetuar që Serbia fare nuk e ka mendjen te zbatimi i saj. Serbia vazhdimisht shprehet publikisht që nuk e njeh integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Veçanërisht u potencua ky mesazh i rrezikshëm me 26 tetor, pas takimit me krerë shtetesh dhe liderë të BE-së në Bruksel, aty ku dhe përsëri u refuzua nga ana e Vuçiq nënshkrimi i marrëveshjes”, u tha në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për Reporteri.net.

    Qeveria e Kosovës tha se deklaratat e tilla luftënxitëse duhet të përcillen me vigjilencë e të dënohen ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

    “Edhe pse kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe retorika luftënxitëse nga krerët e shtetit serb kanë një histori të gjatë që përsëritet vazhdimisht, ato nuk duhet të kthehen në deklarata normale të rendit të ditës. Ato nuk mund të shpërfillen e as të injorohen, apo të cilësohen thjesht si deklarata për konsum të brendshëm. Ato duhet të përcillen me vigjilencë të lartë dhe të dënohen ashpër edhe nga komuniteti ndërkombëtar, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar e me radhë. Si një peng i së kaluarës që është e i dëshpëruar që nuk mund ta kthejë kohën mbrapa, Vuçiq shpreson rrezikshëm që metodat e së kaluarës një ditë mund të jenë zgjidhja në të ardhmen”, thonë për Reporteri.net nga Qeveria e Kosovës.

    Ndërkaq, e para e shtetit, Vjosa Osmani tha se të gjitha përpjekjet e Serbisë që nga vitit 1998-99 e tutje për pushtimin e Kosovës dhe ta kenë territorin e shteti tonë kanë dështuar.

    “Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani për Telegrafin.

    Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e bekuar që populli ynë ka në krah aleatët të cilët veçse kanë deklaruar që do të mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës, e sipas saj ajo që Vuçiqi po e shpërfaq përmes deklaratave të tij është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviqit. /Reporteri.net/

    Kërcënimi i Serbisë me luftë, Kosova: Vuçiqi do të dalë i dështuar, të dënohet ashpër nga ShBA-ja dhe BE-ja

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!