Autor: Linda Ibrahimaj
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se situata është vërtetë urgjente, derisa i ka dërguar porosi Kryeministrit Kurti se “shtëpia e tij” është në zjarr, dhe se “duhet shuar”, shkruan Reporteri.net.
Hovenier në një takim me gazetarët tha se nuk do shihet durim nga ShBA-ja me pritjet nga Qeveria e Kosovës, dhe se duhet të ketë veprim të menjëhershëm që situata në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të de-përshkallëzohet.
“Ne mendojmë se kjo është një situatë me të vërtetë urgjente. Është si ta keni një shtëpi të kapluar nga zjarri. Ju duhet ta shuani zjarrin. Andaj nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga Shtetet e Bashkuara, lidhur me pritjet tona nga Qeveria, duhet të ketë veprim tani që të shpërshkallëzohet situata në veri. Dhe më leni të jem i qartë, janë dy gjëra që po kërkojmë nga qeveria që t’i bëjë, për ta shpërshkallëzuar situatën”, tha Hovenier.
Sa i përket ushtrimit të detyrës së kryetarëve në komunat veriore, ambasadori amerikan ka thënë se Qeveria nuk duhet të insistojë që ata të punojnë në objektet e komunave, dhe se mund të përdoren lokacione alternative, duke qenë se siç potencoi ai kryetarët nuk kanë mandatë të fortë nga elektorati i tyre për iniciativa të mëdha.
“Ne besojmë se qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, qeveria ishte në gjendje të gjente lokacione alternative ku ata të betoheshin. Ne nuk mund të kuptojnë pse nuk mund të përdoren këto lokacione të njëjta alternative apo ndërtesa të tjera publike në mënyrë që ata të kryejnë detyrat e tyre, që janë detyra administrative. Ne kemi thënë se këta kryetarë kanë një rol të rëndësishëm lidhur me administrimin, por ky nuk është një proces normal dhe ata nuk kanë mandat të fortë nga elektorati i tyre për iniciativa të mëdha, andaj nuk e kuptojmë pse ka insistim që ata të punojnë nga këto ndërtesa komunale, dhe ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës, është shumë sfiduese, andaj kemi kërkuar nga Qeveria që të tërheqë policinë nga tri ndërtesat komunale. Ne mendojmë se kjo do të çonte në shpërshkallëzim”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier në një takim me gazetarët.
Por, Hovenier gjithashtu ka bërë të ditur edhe ndëshkimin e parë nga ShBA-ja për Kosovën që është përjashtimi nga “Defender 2023”, si pasojë e mos përgjigjes së thirrjes për de-përshkallëzim të situatës në veri.
“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës. Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, tha ambasdori Hovenier, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përveç kësaj, ambasadori amerikan tha se vendimi i marrë të premten për t’u futur me dhunë në objektet komunale në veri, nuk ishte në koordinim me ShBA, dhe pasojë tjetër është edhe “moslobimin te shtetet mosnjohëse”.
Por, se nuk do të ketë takime mes zyrtarëve amerikanë dhe Kosovës, ambasadori amerikan e tha se do të çuditej nëse një gjë e tillë do të ndodhte.
“Do të çuditesha nëse në këtë situatë, zyrtarët e Kosovës do të kishin ndonjë vizitë bilaterale të nivelit të lartë me ndonjë zyrtarë amerikanë, apo anasjelltas”, tha ai.
Hovenier ndjeu keqardhje që situata ka arritur deri në këtë pikë, por theksoi se tani ShBA-ja ka pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës në rrugën euroatlantike të saj.
Ai shpreson se Kryeministri i vendit, Albin Kurti të pranojë këshillat e ShBA-së për uljen e tensioneve në katër komunat veriore, për të kthyer më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./Reporteri.net/