×
  • Lajme
  • Lajme

    Hykmete Bajrami e LDK-së i reagon VV-së: Kosova u çliru më 1999, punoni diçka e kthjelluni

    Reporteri
    21 Nëntor 2021 | 23:46

    Zyrtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Vetëvendosje me anë të një njoftimi për media deklaroi se ‘çlirimi i Kosovës ende nuk ka përfunduar’.

    “Çlirimi ende nuk është arritur e ne duhet të luftojmë për këtë. Lufta jonë është më e gjatë. Ne as nuk lodhemi, as nuk dorëzohemi. Kosova është shumë e vlefshme për t’ua lënë në duart e stërvitura për korrupsion”, thuhet në analizën e VV-së për rezultatin e zgjedhjeve lokale.

    Bajrami në reagim të kësaj deklarate, ka thënë se Kosova është çliruar më 1999 dhe partia në pushtet (Vetëvendosje) po tenton të rishkruaj historinë.

    Postimi i saj i plotë:

    Kosova është çliruar më 1999,

    Një parti politike, Lëvizja Vetëvendosje, humbësja më e madhe e zgjedhjeve lokale, në vend se të punojë diçka për arsim, të zhvillojë ekonominë, të zhvillojë shëndetësinë, të thellojë raportet miqësore në SHBA-në, ka vendosur të merret me krejt diçka tjetër.

    Partia në pushtet – që dështoi në zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës – po tenton të rishkruajë historinë. Po tenton të tregojë se kur është çliruar Kosova dhe e kanë harruar qershorin e vitit 1999.

    Në vend se të përmendin 1999-ën, Vetëvendosje njëherë e prezantoi 14 shkurtin si datë të çlirimit. Ndërsa, tash prapë – partia humbëse e zgjedhjeve lokale – po tenton ta prezantojë fitoren në 4 komuna si çlirim i ri për këto komuna.

    Dhe, natyrshëm pyetja për Vetëvendosjen është se a u çliruan edhe Prishtina, Prizreni e Mitrovica të keqqeverisura nga Vetëvendosje?

    Kjo gjuhë që po përdoret nga Vetëvendosje është fyerje për secilin qytetar të Republikës. Për secilin që ka dhënë një pikë kontribut për çlirimin e Kosovës. Për secilën dëshmore e dëshmor. Për secilën familje që ka sakrifikuar gjithçka për çlirim.

    Partia humbëse e zgjedhjeve lokale duhet të marrë mësim. Të bëjë vetëkritikë dhe t’ia nisë e të punojë diçka.

    Sepse disfata juaj, dështimi juaj në shumicën e komunave në zgjedhjet lokale lidhet me dështimin e juaj në Qeveri. Koha është të punoni e t’i përmbushni premtimet që i keni dhënë në të gjitha fushat.

    Kuptojeni se Kosova është çliruar më 1999. Kthjelluni e punoni diçka. Nuk jeni në pushtet për t’u ankuar e bërë analiza e të vajtoni për dështimin në zgjedhjet lokale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!