×
  • Lajme
  • Lajme / Rezultatet

    Hysen Çekaj i LDK’së befason me numrin e votave me postë, renditet pas Abdixhikut me 12 mijë vota

    Reporteri
    04 Mars 2025 | 20:44

    Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hysen Çekaj, ka befasuar me numrin e votave nga diaspora. Nga votat përmes postës, Çekaj ka marrë 12 mijë vota, duke u renditur i dyti pas bartësit të listës e kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku, shkruan Reporteri.net.

    Ky numër i votave dallon tëpër shumë nga ato që Çekaj ka marrë nga votimi nëpër përfaqësi diplomatike. Sipas të dhënave të KQZ’së nga ky lloj votimi, ai ka marrë vetëm 98 vota.

    Ndërkohë, nga votimi i rregullt Çekaj numëron 11 mijë e 268 vota. Në total, sipas rezultatave preliminare, ai ka marrë 23 mijë e 366 vota. Tek ky rezultat s’përfshihen votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

    Çekaj i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës në shtator të vitit 2024. Ai ka qenë kandidat për deputet nga mërgata, saktësisht nga dega e LDK’së në Gjermani. Hysen Çekaj është djali i heroit Sali Çekaj.

    Për numrin e votave që ka marrë Çekaj nga diaspora ka ngritur dyshime Sekretari i Vetëvendosjes, Alim Rama. Sipas tij, “votimi për Çekajn dhe të tjerët është i kurdisur dhe i manipuluar”.

    “Shumë fletëvotime që përmbajnë votën për Çekajn dhe të tjerët duken si kopje identike, ngjashmëri kjo që ngre dyshime mbi autenticitetin e tyre. Ajo që bie në sy është fakti se përmes votimit në konsullatën e Shtutgardit, ku ai jeton, Çekaj ka arritur të sigurojë vetëm 33 vota. Ndërkohë, në të gjitha konsullatat e tjera në Gjermani, përfshirë ambasadën në Berlin, ai ka arritur t’i marrë 22 vota. Në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në shtetet e tjera, votat për Çekajn shkojnë deri në 5”, ka shkruar Rama.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!