×
  • Lajme
  • Lajme

    I akuzuari për terrorizëm thotë se qëllimi i tij ishte ndihma humanitare ndaj popullit sirian dhe jo bashkimi në grup terrorist

    Reporteri
    24 Mars 2025 | 21:55

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Blerim Syla gjatë dhënies së mbrojtjes të hënën deklaroi se qëllimi i tij ishte ndihma humanitare ndaj popullit sirian dhe jo t’i bashkohej grupit terrorist.

    Në këtë rast, Blerim Syla akuzohet për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe armëmbajtje pa leje. Bashkë me të ngarkoheshin edhe nëntë të akuzuar tjerë për të cilët ka përfunduar procedura, mirëpo ndaj Sylës lënda është veçuar pasi ishte jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    I akuzuari Syla tregoi para trupit gjykues se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja për udhëtimin në Siri. Tha se kishte udhëtuar me aeroplan drejt Stambollit, e më pastaj po ashtu me aeroplan drejt qytetit Hataj në Turqi.

    Aty ai thotë se kishte qëndruar për tre muaj e dhjetë ditë në një kamp ku ishin vendosur personat që dëshironin të hynin në Siri dhe ata që dëshironin të ktheheshin në vendet e tyre.

    I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha se përse kishte dhëtuar drejt Turqisë, i akuzuari u përgjigj se qëllimi i tij ishte që t’i dalë në ndihmë popullit sirian.

    “Arsyeja ka qenë me i ndihmu popullit sirian”, tha Syla.

    I akuzuari mohoi të ketë qenë qëllimi i tij bashkimi në grupin terrorrist apo të ketë marrë pjesë në luftime ose në ndonjë ushtrim luftarak sipas pretendimeve të Prokurorisë.

    “Qëllimi im ka qenë humanitar, sa i përket ISIS unë as që e kam ditë që ekziston kjo organizatë edhe kurrë asnjëherë nuk e kam përkrahë, as veprimet e tyre nuk i kam përkrahë”, tha Syla.

    Ndërsa, i pyetur se a ka qenë kthimi i tij në Kosovë vullnetar dhe përse nuk e kishte vazhduar qëllimin humanitar, Syla tha se qysh në dhjetor të 2013-ës kishte kërkuar kthimin në Kosovë.

    “Kthimi ka qenë vullnetar, nuk e zhvillova qëllimin humanitar për arsye se nuk mujsha me kuptu kurgja aty, as gjuhë, as jetesë, as kurgja, qysh në dhjetor 2013 kam dashtë me u kthy vullnetarisht”, u shpreh ai.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 7 maj 2015 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të akuzuar në këtë rast janë Irfan Haqifi, Ernest Beqiri, Fidan Ibrahimaj, Kujtim Bllaca, Blerim Syla, Fitim Dema, Emri Bushi, Vehbi Gërxhaliu, Fisnik Bushi dhe Kenan Rushiti

    Irfan Haqifi dhe Ernest Beqiri akuzohen për veprën penale “Rekrutimi për terrorizëm”. Fidan Ibrahimi, Fitim Dema, Emri Bushi,Vehbi Gërxhaliu, Fisnik Bushi, Kenan Rushiti, Kujtim Bllaca dhe Blerim Syla akuzohen për “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”. Dy të fundit edhe për armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Blerim Syla, më 3 nëntor 2013, me qëllim për ‘iu bashkëngjitur grupit terrorist ISIS, në Siri, përmes aeroportit të Prishtinës ka udhëtuar drejt qytetit të Stambollit në Turqi, pastaj nga aty ka shkuar në qytetin Hatai, për të vijuar më pas në qytetin Azra në Siri.

    Aty thuhet se fillimisht ishte vendosur në një qendër stervitore, ku ka kryer ushtrimet me armë në qytetin Tarifat të Sirisë, e më pastaj drejtëpërsëdrejti ka marrë pjesë edhe në luftime, ku ka qëndruar më shumë se tre muaj, ndërsa më 17 maj 2014, është kthyer në Kosovë.

    Për këto veprime, i akuzuari Syla akuzohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” nga neni 143, par.2 të Kodit Penal.

    Syla po ashtu akuzohet se më parë është furnizuar pa autorizim, ka mbajtur armë dhe atë: materie eksplozive- dy TNT, së bashku me pajisjet që shërbejnë për aktivizimin e kësaj materie, si dhe një revole, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e bastisjes që kishtë ndrmarrë policia në shtëpinë e të pandehurit në Gjilan.

    Për këto veprime, i akuzuari Syla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!