Në Zubin Potok, të enjtën, u dogjën tri vetura të regjistruara me targa të Republikës së Kosovës.
I dyshuari, Milovan Bozovic, që dyshohet edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj, ra në duart e policisë të shtunën, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit për 1 muaj. Kështu kanë bërë të ditur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.B e ka aprovuar dhe të njëjtit I ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi të pandehurit i llogaritet prej kohës së ndalimit dhe atë prej datës 01.04.2023 deri me date 01.05.2023”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Ndërsa, në një video që ka publikuar gazetari Venhar Isufi, shihet i dyshuari Milovan Bozovic, teksa del nga ndërtesa e Gjykatës, i prangosur.
“Ky eshte i arrestuari ne veri te Kosoves, Millan Bozoviç, i cili sot ka dalur para Drejtesise se Kosoves, ai ka mbajtur seancen degjimore, ku dyshohet per sulm ndaj personit zyrtare, anetare i grupit “Mbrojtja Civile” te Ura e Ibrit, djegien e veturave diteve te fundit ne veri dhe shume vepra te tjera penale”, shkroi gazetari Isufi.
Lidhur me arrestimin e të dyshuarit ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
”Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, kishte shkruar Sveçla. /Reporteri.net/.