×
  • Lajme
  • Lajme

    I nominuari për ambasador amerikan në Prishtinë: Kosova edhe pas zgjedhjeve të shkurtit ka një qeveri që mban marrëdhënie pozitive me SHBA-në, dialogu duhet të ketë në qendër njohjen reciproke

    Reporteri
    05 Tetor 2021 | 22:21

    Autor: Lira Klaiqi


    Nder të madh për të dhe gruan e tij Laura Hovenie, e katër fëmijët e tij Helen, Sabin, Peter Hovenier, Megan Atkin, and Julia Hovenier, e ka konsideruar ambasadori Jeffrey Hovenier nominimin e tij nga Presidenti Joe Biden si ambasador i ardhshëm i SHBA-ve në Prishtinë.

    Në dëshminë e tij, plotë me emocion e vlerësime për Kosovën dhe marrëdhëniet e shtetit të vogël europian me SHBA-të, sot në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, Jeffry M. Hovenier ka përmendur edhe periudhën kur siç thotë “Kam pasur fatin të marr pjesë” në “përpjekje në kapacitete të ndryshme” që të sherbejë në Kosovë me ekipin e OKB-së të udhëhequr nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari që zhvilloi “Planin e Ahtisaarit” dhe Hovenier e thekson se hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës.

    “Nëse konfirmohem si ambasador i SHBA-së në Kosovë do të ishte një nder i veçantë për mua që të shërbejë në një vend që ka dalë tmerret e ish-Jugosllavisë dhe spastrimit etnik nga regjimi i Millosheviqit. Shtetet e Bashkuara luajtën një rol thelbësor, së bashku me partnerët tanë evropianë, për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe për t’i mbështetur ata në përpjekjet e tyre për të krijuar një vend multi-etnik e demokratik”, tha ai në deklaratën e tij në Senatin amerikan, transkriptin e së cilës e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net.

    “Kam pasur fatin të marr pjesë në këto përpjekje në kapacitete të ndryshme, përfshirë si anëtar i Ekipit të OKB-së të udhëhequr nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari që zhvilloi “Planin e Ahtisaarit” dhe hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës”, shtoi i nominuari për ambasador amerikan në Prishtinë në dëshminë e tij para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan.

    “Populli i Kosovës nuk e ka harruar kurrë rolin dhe mbështetjen e palëkundur të Amerikës gjatë njëzet e dy viteve të fundit. Si rezultat, Kosova është një nga vendet më pro-Amerikane në botë dhe një partner i ngushtë i yni”, tha Hovenier.

    “Pas zgjedhjeve demokratike në shkurt, një qeveri e re ka marrë detyrën me një mandat vendimtar dhe marrëdhënia SHBA-Kosovë mbetet pozitive dhe produktive”, ka deklaruar ambasadori Jeffry M. Hovenier.

    Ai po ashtu përmendi edhe zotimet që Kosova të strehojë 2 mijë afganë që kishin punuar me SHBA dhe aleatët e NATO’s.

    Në paraqitjen e tij para anëtarëve të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, Hovenier ka treguar se cilat do të ishin prioritetet e tij nëse konfirmohet si ambasador i SHBA-së në Kosovë.

    Tha se prioriteti i tij numër një do të jetë vazhdimi i mbështetjes së SHBA për sovranitetin e Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Një Kosovë demokratike vazhdon të jetë thelbësore për stabilitetin e rajonit dhe është një qëllim i joni afatgjatë strategjik për Evropën dhe si tërësi e lirë dhe paqe”, tha i nominuari i Joe Biden për ambasador të SHBA-ve në Prishtinë.

    Prioritet tjetër sipas Hovenier do të jetë mbështetja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Mbështetja e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë i cili dhe po e citoj presidentin Biden “duhet të ketë në qendër njohjen reciproke”. Normalizmi është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe do të hap rrugën për të dy shtetet drejt integrimeve në institucionet euro-atlantike. Nëse konfirmohem do ta inkurajojë Kosovën në mënyrë fleksibile dhe me urgjencë për dialog”, shtoi Hovenier.

    Jeffrey Hovenier po ashtu ka theksuar se prioritet e ka edhe ndihmesën e Kosovës për rimëkëmbje nga pandemia.

    “Kur Kosova kërkoi ndihmë tona SHBA e mbajti premtimin. Në shtator SHBA i dhuroi mbi 500 mijë doza Pfizer Kosovës. Ky kontingjent është më i madhi i donacioneve që ka pranuar Kosova nga ndonjë shtet apo organizatë”, theksoi ambasadori Hovenier.

    I nominuari për ambasador të SHBA-së në Kosovë ka thënë se nëse konfirmohet si ambasador në Prishtinë do të vazhdojë të mbështesë qeverinë kosovare, qytetarët dhe institucionet e saj të pavarura të drejtësisë, teksa ato vazhdojnë të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit për të përmirësuar qeverisjen dhe për të luftuar korrupsionin.

    Ai u zotua para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan se do të punojë edhe për të avancuar të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë minoritetet etnike dhe fetare.

    “Më 1999 zotimi ynë për të drejtat e njeriut bëri që ne të intervenojmë së bashku me aleatët e NATO në Kosovë duke shpëtuar jetë njerëzish të pafajshëm dhe ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për një gjë të tillë”, shtoi ai.

    Prioritet tjetër i tij do të jetë mbështetja e Kosovës në zhvillim ekonomik, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Do të punojë me partnerët tanë në Kosovë për të rritur ekonominë dhe për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes që Kosova të adresojë nivelin e lartë të papunësisë dhe do të asistojë që Kosova të ketë një të ardhme të qëndrueshme dhe me energji të gjelbër në mënyrë që të mund të sjellë investime, të krijojë vende pune, të ulë nivelin e migrimit dhe të ulë dëmet në mjedis”, shtoi ai.

    Ai ka thënë se do të mbështes zhvillimin e mëtejmë të Forcave të Sigurisë së Kosovës në mënyrë që Kosova të jetë një ofrues i sigurisë.

    “Në fund nëse konfirmohem unë do të mbështesë Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe transformimin e tyre gradual dhe zhvillimin e tyre transparent në një forcë multietnike në përputhje me kriteret e NATO dhe një forcë për mbrojtjen territorial duke ndërtuar mbi dërgimin e parë të Forcave të Kosovës jashtë vendit së bashku me forcat e SHBA dhe duke marrë pjesë për herë të parë në Defender Europe 21 ne mund të ndihmojmë në tranzicion e Kosovës nga një konsumator i sigurisë në një ofrues të sigurisë”, shtoi Hovenier.

    Ai ka folur për progresin në Kosovë në 13 vjetet pas shpalljes së pavarësisë.
    Jeffrey M. Hovenier është diplomat karriere. Ai aktualisht është zëvendës shef në Ambasadën e Shteteve të Bashkuar në Turqi.

    Më parë si diplomat kishte shërbyer edhe në Berlinin e Gjermanisë, por edhe në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

    Hovenier e njeh mirë Kosovën sepse gjatë karrierës së tij diplomatike ishte pjesë e stafit të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara për Statutin e Kosovës.

    Nga Uashingtoni kishte shërbyer si drejtor për Evropën Qëndrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, poashtu edhe në Byronë e Departamentit të Shtetit, për punët (çështjet) e Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO’n dhe Evropës Qendrore.

    Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte dekoruar Hovenierin me Medaljen Presidenciale Jubilare të 10-vjetorit të Pavarësisë, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!