×
  • Lajme
  • Lajme

    Ia publikoi skandalin Gërvallës, konsullit në Hamburg i shkon vendimi për kthim të menjëhershëm

    Reporteri
    15 Mars 2022 | 16:51

    Pas paraqitjes publike ku fliste për disa veprime të ministres Gërvalla, sot konsullit në Hamburg i ka shkuar vendimi me nënshkrimin e saj, që të kthehet menjëherë në Kosovë.

    Gramos Begollit, Konsull i Përgjithshëm në Hamburg, i liruar nga detyra, por që do të qëndronte në mision deri në fund të këtij muaji, i është ndërprerë puna prej sot.

    Në vendimin, të cilin e ka siguruar Televizioni 7, thuhet se, në zbatim të dekretit të nënshkruar nga Presidentja më 7 shkurt, Begolli kthehet menjëherë nga misioni.

    Kthimi i tij në Kosovë, sipas vendimit të nënshkruar nga kryediplomatja Donika Gërvalla, duhet të bëhet që sot, më 15 mars, 2022. Ndërsa, në vendimin për lirim të detyrës, thuhej se ai duhej të kthehej më 31 mars.

    Urdhri për kthimin e tij të menjëhershëm u dha një ditë pasi Begolli, në një intervistë në Frontal të T7, dha versionin e tij për një vizitë të Gërvallës në konsullatën e Kosovës, në Hamburg të Gjermanisë.

    Begolli tha se ministrja, për festën e Pavarësisë, u kishte shkuar në konsullatë pa asnjë njoftim zyrtar dhe se punonjësit e konsullatës në Hamburg e kanë marrë vesh për këtë vizitë, vetëm kur ajo ka arritur aty.

    “Ka ardhur pa paralajmërim për pavarësinë e Kosovës. Rregullat janë të qarta, por edhe rregullat diplomatike ekzistojnë për të gjitha shtetet ku duhet të sundojë ligji. Në rastin e vizitave në një shtet tjetër, duhet të lajmërohen vizitat e nivelit të lartë. Znj.Gërvalla në bazë të rregulloreve është dashur të lajmërojë këtë vizitë në konsullatë, që ne t’i njoftojmë policinë dhe institucionet. Sepse në momentin kur të arrijë një përfaqësim i lartë, duhet të vijnë autoritetet që të sigurohet itinerari, dhe të sigurohet objekti që të mos ndodhë ndonjë incident”, ka thënë Begolli.

    Ai tha se i ka shkruar një numër në “Whatsapp”, e atë e ka raportuar përmes postës elektronike të MPJ-ja, pasi i është dukur se është adresim i rrejshëm.

    “Si profil i fotografisë, ka qenë një fotografi e një kafshe, nuk e kam marrë shumë serioze kërkesën, dhe nuk kam besuar se autorja e atij profili do të jetë zonja Gërvalla. Kam kërkuar përmes postës zyrtare, mirëpo nuk kam marrë konfirmim, dhe kemi vazhduar të nesërmen. Meqenëse ka qenë situatë me Covid, e kemi pasur një numër të caktuar të pranishmëve, hapësirat e konsullatës janë të vogla. Sidomos në pandemi.”

    Më 7 shkurt të këtij viti, ministrja Gërvalla, kishte nënshkruar vendimin për lirim të detyrës nga Begolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!