×
  • Lajme
  • Lajme

    Ia vazhdoi KEK-ut statusin FMF, DhTIK kundërshton vendimin e ZRrE-së: Tentim për të fshehur dështimet

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 15:13

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cili caktoi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit për një periudhë gjashtëmujore, nga 31 gusht 2025 deri më 31 janar 2026.

    Sipas DhTIK-së, ky vendim përbën një përpjekje për të fshehur dështimet që kanë rezultuar nga liberalizimi i nxituar dhe i papërgatitur i tregut të energjisë elektrike në Kosovë. Dhoma e konsideron këtë proces si të nisur pa analizë gjithëpërfshirëse dhe pa përgatitje të duhur teknike, ekonomike dhe ligjore.

    “Që në fillim, kemi paralajmëruar se kjo qasje do të shkaktojë dëme të mëdha për bizneset dhe qytetarët. Sot, pasojat janë të dukshme – biznese që mbyllen, vende pune që humben dhe investime që anulohen,” thuhet në reagimin e Dhomës.

    DhTIK kërkon shtyrjen e liberalizimit të tregut për të paktën një vit, në mënyrë që institucionet dhe palët e interesit të kenë kohë të përgatiten seriozisht për këtë reformë.

    Edhe Bashkimi Evropian, sipas Dhomës, ka shprehur rezerva ndaj mënyrës së implementimit të këtij procesi, duke kërkuar një qasje të kujdesshme dhe të fazuar, si dhe ka ofruar mbështetje financiare për tranzicionin energjetik.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!