Instituti i Shëndetit Publik ka një lutje për të gjithë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, serish ka apeluar tek qytetarët që t’i respektojnë masat e ndërmarra për të luftuar coronavirusin.


Në një shkrim të gjatë në faqen zyrtare në Facebook, thuhet se pakujdesia dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e Institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale.

“Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të pa përgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: MASKA, DISTANCA, HIGJIENA”, thuhet në njoftim.

“Sot janë raportuat 22 raste te vdekjes. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë. Ky është numër rekord deri tani. Mjekët në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore. Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave”.

Sipas tyre edhe përkundër masave dhe rekomandimeve vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë.

Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes thekson IKSHPK nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet tutje.

Instituti apelon te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Pasi theksohet se burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjensi, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës.

“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”, thuhet tutje.