×
  • Lajme
  • Lajme

    Vladimir Gligorov: “Reciprociteti duhet të përdoret pozitivisht, jo për konfrontim – Modelin e Dy Gjermanive Vuçiç s’mund ta pranojë edhe po të donte”

    Reporteri
    28 Shtator 2022 | 14:04
    Bashkëpunëtori i Lartë në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, Vladimir Gligorov

    Autor: Xhezair Dashi


    Reciprociteti mund të përdoret në mënyrë pozitive dhe jo konfrontuese, vlerëson bashkëpunëtori i lartë në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, Vladimir Gligorov, në një intervistë dhënë për gazetën online Reporteri.net.

    Në lidhje me masat reciproke të qeverisë kosovare për ndalimin e targave të lëshuara nga MPB-ja serbe për komunitetin serb të Kosovës në pjesën veriore, Gligorov, thotë se përderisa qeveria kosovare nuk ka arritur të krijojë “legjitimitet dhe pranueshmëri” në mesin e popullatës serbe të Kosovës, “duhet të gjenden sfera bashkëpunimi dhe jo ballafaqimi”.

    “Kështu që, mbase duhet t’i jepet konsideratë masave që janë të pranueshme për të gjithë, p.sh, si targa rajonale ose diçka të ngjashme. Përndryshe, supozoj se zbatimi i kësaj mase do të shtyhet përsëri”, vlerëson ekonomisti serb, Vladimir Gligorov.

    Ish-themeluesi i Partisë Demokratike të Serbisë, si dhe një nga mendimtarët serbë që pavarësinë e Kosovës e njeh si fakt të kryer, vlerëson se ende nuk ka ndodhur një përafrim i shtetit të Kosovës me komunitetin serb që ka brenda. Ai konsideron se në këtë drejtim duhet punuar.

    “Në pjesën veriore të Kosovës, qeveria kosovare duhet të gjejë mënyra për të fituar legjitimitetin e nevojshëm në mesin e popullatës. Kjo s’arrihet me forcë edhe nëse ajo është e ligjshme. Qeveria e Kosovës duhet të punojë që të jetë e pranueshme në mesin e popullatës serbe në Veri të Kosovës”, u shpreh ai.

    Pyetur nga Reporteri se si e sheh të zgjidhshme çështjen e Asociacionit, dhe si i vlerëson interpretimet e palëve rreth konstituimit të saj, Gligorov thotë se nuk e sheh të mundshme një Asociacion që do t’i ngjasonte një “Republika Srpska” tjetër.

    “Nuk mendoj se diçka e ngjashme me Republika Srpska-n është e mundur në Kosovë, sepse shumica e popullatës serbe në Kosovë nuk jeton në pjesën veriore. Dhe, është edhe Kisha me interesat e saj, të cilat, përsëri, nuk gjenden në pjesën veriore të Kosovës. Duhet mbase të kërkohen forma decentralizimi që rrisin interesin dhe jo vetëm varësinë në qeverinë qëndrore”.

    “Jo domosdoshmërisht”, shprehet studiuesi serb me prejardhje maqedonase, “kjo varet se si decentralizohet pushteti ekzekutiv por në ndikimin potencial që mund të kenë mbi qeverinë qëndrore”.

    “Dhe, serbët dhe minoritetet tjera kanë peshë të konsiderueshme në Parlament. Nëse kjo [Asociacioni] u sjell legjitimitet qeverisë së Kosovës në mesin e popullatës serbe, kjo do të ishte mënyra për të shkuar para”, shprehet ai.

    Intervista e plotë me Vladimir Gligorov:

    Reporteri.net: Që nga fillimi i invazionit rus të Ukrainës, Ballkani Perëndimor është kthyer në fokus të botës perëndimore. Problemet e rajonit u shpërfaqën. Rajonet e drejtuara nga serbët në Bosnje dhe në pjesën veriore të Kosovës janë vështruar me dyshim si pika të nxehta të cilat duhen trajtuar. A i shihni këto dy pjesë si problematike në kontekstin e luftës ruse në Ukrainë?

    Gligorov: Epo, këto janë çështje afatgjate të sigurisë. Natyrisht, është e preferueshme që ato të zgjidhen. Sigurisht, politikisht dhe në mënyrë të preferueshme nga të gjitha palët e interesuara. Këto nuk janë vetmet pika të nxehta që janë ndezur nga agresioni rus kundër Ukrainës. Qartazi politika serbe është veçanërisht nën trysni për shkak të pritshmërive në rritje se asertiviteti rus është në përputhje me qëndrimin konfrontues politik. Nuk më duket se zoti Vuçiç mban këtë vlerësim i cili është nën trysni dhe ka pak opsione të favorshme politike.

    Reporteri.net: Kohëve të fundit kemi parë tensione në pjesën veriore të Kosovës. Serbia mbetet e pandryshueshme në pozicionin e saj mosnjohës ndaj Kosovës dhe duke e mohuar atë me të gjitha mjetet e saj. Kosova, në anën tjetër, sheh të fuqizojë sovranitetin dhe shtetësinë e saj. Si e keni parë këtë betejë politike mes Kryeministrit kosovar Kurti dhe Presidentin serb Vuçiç?

    Gligorov: Nuk mendoj se zoti Vuçiç ka shumë mjete penguese në dispozicion të tij. E tëra përmblidhet në obstruksione në forume ndërkombëtare ku ose ka fuqi të vetos ose disa prej vendeve evropiane që nuk janë të gatshme të njohin Kosovën si shtet të pavarur. Në pjesën veriore të Kosovës, qeveria kosovare duhet të gjejë mënyra për fituar legjitimitetin e nevojshëm në mesim e popullatës. Kjo s’arrihet me forcë edhe nëse ajo është e ligjshme. Qeveria e Kosovës duhet të punojë që të jetë e pranueshme në mesin e popullatës serbe në Veri të Kosovës.

    Reporteri.net: Kosova ka ndaluar targat e lëshuara nga Serbia për banorët e veriut të Kosovës. Nga fundi i tetorit, ato do të nxirren jashtë qarkullimit. Sebria, në anën tjetër, nuk shihet të zmbraps lëshimin e tyre; dhe vetëm disa serbë i kanë konvertuar ato në targa të Republikës së Kosovës (RKS). Çfarë mendoni se do të ndodh në fund të tetorit?

    Gligorov: Mendoj se reciprociteti mund të përdoret në mënyrë pozitive dhe jo konfrontuese. Duhet të gjendet sfera bashkëpunimi dhe jo ballafaqimi. Kjo do ta bënte më të lehtë për të pranuar rregullacionet specifike që tani janë burimi i tensioneve. Kështu që, mbase duhet t’i jepet konsideratë masave që janë të pranueshme për të gjithë, p.sh, si targa rajonale ose diçka të ngjashme. Përndryshe, supozoj se zbatimi i kësaj mase do të shtyhet përsëri.

    Reporteri.net: Presidenti serb Vuçiç që nga nisja e agresionit rus mbi Ukrainën ka alarmuar se Perëndimi synon të dëbojë Rusinë nga Këshilli i Sigurimit, gjë që, sipas tij, do të thoshte praktikisht “lamtumirë vetos ruse”, dhe që do të hapte rrugën e anëtarësimit të Kosovës në OKB. Çfarë është kjo, të themi kushtimisht, “parandjenjë” që Vuçiç po i jep zë publikisht?

    Gligorov: Nuk mendouj se ekziston kjo kartë. Ka shumë ide rreth reformimit të OKB-së, por në mënyrë që të bëhet diçka, duhet të jetë në interesin e të gjithë fuqive të mëdha dhe, ajo konvergjencë rreth diçkaje dhe në veçanti në ndryshimin e Këshillit të Sigurimit s’ka të ngjarë të ndodh.

    Reporteri.net: Së fundi kemi parë një draft-dokument në formën e një ‘nonpejpëri’, që supozohet të paraqesë një të ashtuquajtur “kornizë të re” dialogimi në Bruksel, e cila në fund thuhet t’i ngjasojë modelit të Dy Gjermanive. Si e keni lexuar ju këtë?

    Gligorov: E kuptoj që ka ekziston një non-paper e cila provon të ringjallë idenë e Ischinger-it për zgjidhje sipas Dy Gjermanive për Kombe të Bashkuara. Nuk do të funksiononte për Bashkimin Evropian. Nëse i merrni për bazë këto dy pohime, gjithçka rezulton pavarësisht specifikave. Nuk mendoj se Vuçiç do të ishte në gjendje të pranonte propozim të tillë edhe po të dëshironte. Edhe po të ishte e kombinuar me provizione specifike për minoritetin serb në Kosovë dhe për Kishën Ortodokse Serbe. Duket se nuk është e pranueshme as për BE-në e as për Komisionin Evropian. Por, nuk do ta përjashtoja.

    Reporteri.net: Kosova druhet se themelimi i Asociacionit të Komunave me mazhorancë serbe do të përbënte një tjetër “Republika Srpska”; Serbia, në anën tjetër, kërkon ajo të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që është e papranueshme për Kosovën. Si e shihni ju të zgjidhshëm këtë problem, ose a besoni se do të zgjidhen?

    Gligorov: Nuk mendoj se diçka e ngjashme me Republika Srpska-n është e mundur në Kosovë, sepse shumica e popullatës serbe në Kosovë nuk jeton në pjesën veriore. Dhe, është edhe Kisha me interesat e saj, të cilat, përsëri, nuk gjenden në pjesën veriore të Kosovës. Duhet mbase të kërkohen forma decentralizimi që rrisin interesin dhe jo vetëm varësinë në qeverinë qëndrore. Kjo jo domosdoshmërisht varet se si decentralizohet pushteti ekzekutiv por në ndikimin potencial që mund të kenë mbi qeverinë qëndrore. Dhe, serbët dhe minoritetet tjera kanë një peshë të konsiderueshme në Parlament. Nëse kjo u sjell legjitimitet qeverisë së Kosovës në mesin e popullatës serbe, kjo do të ishte mënyra për të shkuar para.

    Reporteri.net: Si e vlerësoni platformën rajonale të Ballkanit të Hapur?

    Gligorov: Nëse kjo ul tensionet dhe rrit bashkëpunimin, është mirë. Nuk duhet të pritet që do ta, ose do të mund ta, zëvendësonte tregun evropian. Në Kosovë konsideroj se duhet të shihen pozitivisht iniciativat rajonale për shkak të varësisë ekonomike ndaj rajonit, por edhe për shkak të përfitimeve potenciale të qasjes në tregun serb veçanërisht./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!