INTERVISTË | Molliqaj: Kurti po qeverisë me shantazh ndaj opozitës, po synon kapjen e shtetit – dialogu po na çon drejt formimit të Asociacionit

© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Autor: Mirlind Behluli


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka folur për Gazetën Online “Reporteri.net” rreth Qeverisë së Kosovës, me të cilën udhëheq dikur bashkëpartiaku i tij, Albin Kurti. Pëgjatë intervistës, Molliqaj shpjegon pikëpamjet e qëndrimet e tija rreth menyrës se si po qeverisë Kurti në mandatit e dytë si shef i ekzekutivit.


Për Molliqajn qeverisja e Kurtit karakterizohet me shantazh ndaj opozitës, me mungesë të shkathtësisë për ta luftuar pandeminë e COVID-19 e me ‘program’ që nuk i ngjan të majtës, nga e cila proviniencë ideologjike vie VV.

I pari i PSD-së ka thënë se mendësia totalitare e Qeverisë Kurti më së miri shpërfaqet nga koncept dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Çfarë dua të veçoj është koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Aty e shesh mendësinë totalitare, por edhe qëllimet e shantazhit dhe të kapjes. E gjeni të shkruar në mënyrë eksplicite: “…për të monitoruar stilin e jetesës së zyrtarëve publik”. Kjo gjuhë është fryma dhe logjika e pushtetit në secilën fushë”, ka thënë Molliqaj për Reporteri.net.

Në intervistë, Molliqaj ka komentuar mos shkuarjen e Kurtit në takimin e 11 majit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilën shtyerje e sheh të motivuar nga arsye protokollare.

Por, Molliqaj ka folur edhe rreth marrëdhënieve të Kurtit me Edi Ramën pas pjesëmarrjes në zgjedhje të kryeministrit kosovar, për opozitën parlamentare e planet politike të PSD-së.

Lexojeni të plotë intervistën e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

REPORTERI.net: Tashmë janë bërë më shumë se një muaj që kur Albin Kurti ka marrë postin e kryeministrit. Ende nuk ka ofruar një program qeverisës, të cilin ka premtuar ta publikojë pas kthimit nga vizita në Bruskel. Në sytë e juaj, si e shini qeverisjen e Kryeministrit Kurti?

Dardan Molliqaj: Qeverisja “Krejt dhe Drejt” është e pamundur sepse togfjalëshi është oksimoron. S’mundet edhe krejt edhe drejt. Synimi totalizues nuk sjell kurrë drejtësi, por kontrollë dhe shtypje.

Kështu edhe ka nisur qeverisja. Me shantazh për zgjedhje ndaj opozitës kur pushteti tashmë numëron 50%. Kemi parë pazare e shitblerje të deputetëve, përfshirë elementë nga Lista Serbe me rastin e zgjedhjes së Presidentes.

Qeveria është treguar tërësisht e ngathët dhe e papërgjegjshme karshi situatës me pandeminë. Kosova mbetet vendi i fundit në rajon sa i përket vaksinimit, kurse masat e zbatuara më shumë kanë qenë përgjigje karshi opinionit publik, sesa reflketim i dinamikës së ndryshimeve të situatës epidemiologjike në vend.

Çfarë dua të veçoj është koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Aty e shesh mendësinë totalitare, por edhe qëllimet e shantazhit dhe të kapjes. E gjeni të shkruar në mënyrë eksplicite: “…për të monitoruar stilin e jetesës së zyrtarëve publik”. Kjo gjuhë është fryma dhe logjika e pushtetit në secilën fushë.

E kemi një koncept-dokument i cili në emër të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme rrezikon të prodhojë mekanizma spiunimi publik. Sipas ligjeve tona, por edhe të secilës demokraci, informata për qytetarët mund të nxjerrë prokurori i shtetit me vendim të gjykatës, ose në raste të rrezikut nacional, agjencionet e intelegjencës. Kosova ka anashkaluar të gjitha modelet e vendeve të BE-së, por edhe të ShBA e Britanisë, për ta marrë si model Bullgarinë. Për një arsye të vetme: mundësia për arbitraritet që jep modeli bullgar. Në asnjë vend përveç Bullgarisë inicimi i procedures nuk është jashtë sistemit gjyqësor, përfshirë rastet e konfiskimit civil për të cilat s’duhet aktgjykimi dënues. Veç kësaj, secili vend konfiskimin civil e ka të ndërlidhur me hetimet e dyshimet e bazuara që pasuria që po konfiskohet është krijuara nga vepra penale. Kosova, duke e ndjekur Bullgarinë e ka shkëputur tërësisht këtë gjë. Ne po rrezikojmë të krijojmë mekanizëm paralel me prokurorinë i cili do të shërbejë si shantazh e kontrollë.

© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Ju keni qenë bashkëpunëtor i Kurtit në Vetëvendosje. Nga perspektiva e juaj, a ka ndryshuar Kurti në relacion me bindjet ideologjike që i ka proklamuar VV? A po qeverisë si i majtë Kurti?

Molliqaj: Qeverisja aktuale veç e majtë nuk është. Indikacionet e veprimeve të para veçse e konfirmojnë kritikën tonë për mendësinë totalitare e rrezikun drej autoritarizmit. Çfarë e bashkon veprimin urgjent të mesnatës për ta ndryshuar ligjin për zgjedhjet me koncept-dokumentin për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme është pikërisht synimi për kontroll.

VV nuk e konsideron problem sistemin që ka krijuar pabarazi, por batakqinjtë që paskan vjedhur. Prandaj s’kemi tatim progresiv as investime publike, por vendin e ekonomisë e ka zënë lufta antikorrupsion. Në anën tjetër, ministrat e sektorit të ekonomisë e kanë të deklaruar publikisht bindjen e tyre të djathtë. Praktikat e para të politikave të shtrëngesave buxhetore që bie mbi shtresat më të pambrojtura tashmë i kemi parë. E kam fjalën për shkurtesat e pensioneve, tek shkurtesat e policëve, infermierëve e mjekëve.

Në anën tjetër, çfarë shohim si sjellje e ushtrim pushteti është arroganca e kolonave me xhipa e truproja.

Deputetët e VV-së votuan që shteti t’u mbulojë shpenzimet e rrymës në veriun e banuar kryesisht me serb, ndonëse këtë dikur e kundërshtonin shumë. A është politikë e duhur një pagesë e tillë?

Privilegji diku prodhon diskriminim në anën tjetër. Ky është trajtim i pabarabartë i qytetarëve mbi baza etnike. Nuk po flasim për të drejta, sepse ato nuk duhet t’i mungojnë askujt, pavarësisht etnisë. Thjesht, një pjesë e qytetarëve po e paguajnë dy herë faturën e energjisë. Kjo gjë ndodh tash sa kohë, dhe nuk po ndryshon me pushtetin e “ndryshimit”.

Kurti po qëndron një vizitë zyrtare në Bruksel ku takoi udhëheqësit e Bashkimit Evropian e homologun e tij belg. Nga kryeqendra evropiane, Kurti tregoi se nuk shkon në takimin e planifikuar nga BE me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me 11 maj. Ju e kritikuat këtë qëndrin të Kurtit. Ku gaboi shefi i ekzekutivit në refuzimin e takimit me Vuçiqin?

Çështja është se deklarimi i tij nuk flet për refuzim. Arsyeja e deklaruar është protokollare dhe jo përmbajtësore. Lidhej disi me respekt personaliteti, por jo me përmbajtjen politike të domethënies së takimit me Vuçiqin në dialog. Në anën tjetër, ekipi i dialogut po formohet, emra të dialogut të mëhershëm siç duket janë përfshirë.

A duhet të marrë pjesë në dialog kryeministri Kurti?

Kryeministri i Kosovës, cilido qoftë ai duhet të marrë pjesë në dialog.

Sipas jush, çfarë duhet të përmban platforma e Kosovës për dialogun me Serbinë? A duhet të ketë ‘ekip të unitetit’ dhe në këndvështrimin tuaj politik si do të duhej të dukej ekipi i ardhshëm negociator i Kosovës?

Ekipi i Unitetit nuk është i mundur më. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë kështu. Më parë sesa përbërja, kësaj shoqërie i duhet diskutim i hapur mbi dialogun. A është vazhdimi i gjendjes ekzistuese ajo që na duhet përball secilit kompromis eventual? A duhet të pranojë Kosova marrëveshje që përmban kompromis dhe nuk ka njohje formale?

Shqetësimi im është se ne po futemi në një proces që po na çon drejt formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe një forme të autonomisë, ndërkohë që njohja formale nga Serbia nuk duket në horizont.

© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Së fundmi janë publikuar dy non-paper. Njëri nga ta supozohej se ishte shkruar nga dy gjigantët e BE-së, Gjermania e Franca. Tjetri u tha se ishte përgatitur nga Kryeministri i Sllovenisë, Janoz Jansa. Cili është vlerësimi i juaj për këto ‘dokumente’?

Këto dokumente janë jo formale, por nuk kanë pikur nga qielli. Prejardhja e tyre lidhet me palët dhe ndërmjetësuesit, ose ndonjë adresë tjetër të interesuar. Dokumentet e përmendura janë verzionet që diskutohet tash sa kohë. Por, përtej tyre, siç duket tashmë procesi ka marrë rrugë. Kjo rrugë është ajo e autonomisë përmes ndarjes etnike e cila nuk përfundon me njohje.

Të dielen e kaluar u mbajtën zgjedhjet në Shqipëri ku fituese doli Partia Socialiste. Por në këto zgjedhje mori pjesë edhe kryeministri Kurti, i cili pos votës, ishte aktiv edhe në fushatë për tre kandidatët e përkrahur nga VV. A ishte gabim pjesëmarrja në zgjedhje e Kurtit dhe sipas jush a do të lëndohen marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë për shkak të kësaj çështje?

Kritika jonë për marrëdhënien që Kurti ka krijuar me Shqipërinë nuk vjen prej pozicionit kosovocentrist. Qasja e tij instrumentalizuese dhe roli historik që i përshkruan vetes, kur ndeshet me kokëfortësinë e rrethanave e bën të duket her palaqo her hipokrit. Ta zëmë, pasi zgjidhet kryeministër, e deklaron pikërisht në Lezhë heqjen dore prej bashkimit në emër të bllokadës kushtetuese që ka Kosova nga Plani i Ahtisaarit, në anën tjetër merr pjesë në zgjedhje në Shqipëri. Nuk merret vesh nëse e do bashkimin, apo pushtetin në të dy anët.

Përtej kësaj, pjesëmarrja në këto zgjedhje e do edhe një kritikë tjetër. Përpjekja emancipuese nuk vjen prej emrit të madh si model suksesi që sakaq duan ta bëjnë brand me të cilin reklamohen. Ajo e ka kusht një përmasë autenticiteti që nuk eksportohet, por që nuk është prejardhje, identitet as pasaportë, siç kujton shumëkush këndejpari. Kjo përmasë është luftë me rrethanën prej të cilës ke lindur; është vullnet e këmbëngulje; është thyerje e kokës në luftë me të pamundshmen. Mbi të gjitha, është folje, dhe jo emër.

Ju keni qenë të zëshëm karshi Qeverisë me kritika e aksione simbolike. Por opozita parlamentare, disi ka qenë e heshtur dhe e rezervuar në kritika kundrejt Qeverisë Kurti II. Si e shihni opozitën parlamentare të tanishme?

Mendimi im për opozitën parlamentare nuk është i njëjtë me çfarë mbizotëron për ta në opinionin publik. Opozita ndodhet nën një presion disiplinues. Hegjemonia gjykon dhe linçon secilin që nuk i nënshtrohet pushtetit “krejt dhe drejt”. Kritika duhet rezervuar, gjuha duhet mbajtur. Aq larg shkon ky presion sa shpesh synon imponimin e strukturave udhëheqëse të partisë. Model i duhur është politikani i konsensusit dhe PR-it. Paçka se ky konsensus është gjithmonë i krijuar nga subjekti partikular dhe qendrën e ka në Qeveri. Ky model merr këmbët dhe duket normal e i natyrshëm sepse ideologjia imponon vlera nga poshtë dhe nuk përjetohet si imponim.

A do të marrë pjesë PSD në zgjedhjet lokale të këtij viti?

PSD e ka intensifikuar aktivitetin mjaft kohëve të fundit. Ne po përpiqemi të japim vijat kritike mbi qeverisjen aktuale. Mbi zgjedhjet lokale shpejt do ta nisim një debat që do të prodhojë edhe vendimet e duhura. /Reporteri.net/.