×
  • Lajme
  • Lajme

    INTERVISTË | Shqiprim Arifi: Ardita Sinani kryetare jolegjitime, lidershipi i Luginës së Preshevës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

    Reporteri
    27 Maj 2021 | 14:00

    Autor: Blendi Gashi


    Partia e tij, Alternativa për Ndryshim fitoi zgjedhjet lokale në Preshevë, por Shqiprim Arifi nuk arriti të bëhet sërish kryetar i komunës. Kjo ndodhi pasi që partitë tjera shqiptare, PDSH, PDV, LR dhe UDSH lidhën koalicion dhe e bën kryetare Ardita Sinanin. Këtë të fundit, Arifi e quan kryetare jolegjitime, dhe për më tepër drejton akuza ndaj saj për afera korruptive.


    Arifi në intervistën dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net” tregon pse ai nuk lidhi koalicion me partitë shqiptare që mbetet kryetar i komunës, pse kryetarja e re është një regres për Preshevën, dhe çfarë opozite do të bëjë.

    Ai në intervistë flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku kërkon që të përfshihet edhe lidershipi nga Lugina e Preshevës, pai thotë se kjo do të ndikonte që të paraqiteshin më mirë në tavolinën e bisedimeve problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

    Lexojeni të plotë intervistën me ish-kryetarin e Preshevës, njëherit kryetar i partisë, Alternativa për Ndryshim, Shqiprim Arifi, për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

    REPORTERI.NET: Partia juaj Alternativa edhe pse fitoi zgjedhjet, ju nuk arritët të bëheni kryetar pasi që partitë tjera shqiptare lidhën koalicion dhe kryetare u bë Ardita Sinani e PVD-së. Keni fajësuar sistemin elektoral që e keni quajtur të pazareve, po ju nuk keni faj? Pse nuk lidhët koalicionit me një nga partitë shqiptare që si parti fituese të vazhdoje mandatin e kryetarit?

    Arifi: Ne nuk fajësuam sistemin elektoral për koalicionin e ri që është bërë, por për mashtrimin që ju kanë bërë votuesve që nuk do të bëjnë koalicion me njëri-tjetrin, sepse e kanë pasur një të kaluar të rënduar mes vete në dy dekadat e fundit, pra i kanë mashtruar qytetarët se nuk do bëjnë koalicione se kanë qenë rival dhe armiq në vitet e fundit.

    Koalicioni është bërë me pazare të natës që janë marrë vesh për mos me u marrë vesh, që të mos ketë stabilitet, pasi që ky koalicion parasheh, që dy vite të jetë një kryetar, kurse pas dy viteve një kryetar tjetër të udhëheq me komunën e Preshevës, që nënkupton se nuk kanë as program qeverisës dhe nuk kanë as kohë të implementojnë çfarëdo ideje që kanë, për këtë arsye është një koalicion i cili nuk krijon stabilitet në të ardhmen siguri politike në të ardhmen.

    Arsyeja pse ne nuk kemi bërë koalicion është se nuk i jemi bashkangjitur atyre pazareve, pra kemi thënë jo edhe pse kemi pasur oferta nga të gjitha partitë aktuale.

    Ne si parti kemi një planprogram konkret që e kemi implementuar në pjesën më të madhe në 5 vitet e fundit, dhe nuk kemi dashur të hyjmë në pazare të ndarjes së posteve dhe kemi vendosur që më mire qëndrojmë në opozitë.

    Zgjedhjen e Ardita Sinanit e keni quajtur një hap regresi për Preshevën dhe keni paralajmëruar rikthimin e shpejt. Si e keni menduar rikthimin e shpejt?

    Arifi: Është një hap regresi për komunën e Preshevës pasi kryetarja është jolegjitime, pasi ka humbur tre pale zgjedhje në pesë vitet dhe është partia e tretë me radhë, është dyfish më e vogël se partia ime dhe ka dëshmuar në kohën kur ka qenë gjashtë muaj kryetare se nuk mund të krijoi stabilitet, një zhvillim të pushtetit lokal, ka dëmtuar pushtetin lokal me 5 milionë euro, është duke u ndjekur nga Prokuroria për Krime Ekonomike qysh nga ajo kohë për korrupsion që ka bërë me bizneset dhe bujqit në konkurs që ka anashkaluar procedurat, ka borxhe që nuk paguan taksa në komunën e Preshevës, thjesht simbolizon që ka kërcënuar dhe shantazhuar dhe ka sharë publikisht qytetarët e komunës së Preshevës.

    Nuk është një person unifikues dhe është një hap regresi për komunën tonë, dhe në këtë kontekst është e ditur në qytetin tone se komuna e Preshevës do të ketë një pushtet të ri, pasi që ajo ka dëshmuar se nuk mund ta sigurojë pushtetin stabil.

    Tani që partia juaj është në opozitë, sa jeni të gatshëm ta luani rolin e opozitarit dhe a do jeni kujdestar të punës së pushtetit?

    Arifi: Alternativa për Ndryshim njihet si parti e cila di të sillet si në pozitë, sidomos në opozitë të bëjë politikën e saj thelbësore dhe në këtë kontekst vetëm kemi filluar të bëjmë opozitarizmin tone, dhe në komunën e Preshevës njihemi si një parti që i ngjanë Vetëvendosjes në opozitë dhe opozitarizmi jonë në seanca dhe jashtë seancave të Kuvendit Komunal bën një politikë opozitare që është parimore, programore dhe thelbësore në drejtim që të ruajmë parimet tona programore dhe të kemi zhvillimin e mëtutjeshëm të komunës sonë.

    Ne jemi parti që jemi votuar mbi 6 mijë votues, jemi parti dyfish e kryetares legjitime, pasi legal mundet me qenë pasi është bërë marrëveshja politike, por legjitimitet nuk ka tek votuesi se 15 mijë votues kanë votuar kundër Ardita Sinanit dhe 3 mijë pro kësaj kryetare jolegjitime dhe në këtë drejtim është lehtë të bëjmë opozitarizëm.

    A do të jetë edhe gjatë Shqiprim Arifi në skenën politike të Preshevës?

    Arifi: Shqiprim Arifi nuk është shumë interesant sa është Alternativa për Ndryshim e cila është parti që ka siguruar themelet e saj që të jetë subjekt afatgjate dhe ndikuese më e madhja në komunën e Preshevës.

    Shqiprim Arifi ka hyrë në politikë për të ndikuar në zhvillimin e komunës së Preshevës, apo të Luginës së Preshevës në përgjithësi, për të adresuar problemet tona dhe diskriminimin që është bërë, bëhet dhe fatkeqësisht do të bëhet në vende dhe institucione të duhura, në këtë drejtim kemi pasur suksese të shumta dhe ka pasur stagnime në disa fusha dhe ka ende punë për të bërë.

    Shqiprim Arifi është një person që ka kondicion të një triatronistit dhe kështu që kemi parasysh sa mund të zgjatë jeta e tij në politikë.

    Dialogu Kosovë-Serbi pritet të rifillojë në muajin qershor. Cilat janë kërkesat tuaja për Qeverinë Kurti?

    Arifi: Kërkesat tona janë të shkruara dhe të definuara qysh në hyrjen tone në politikë, por edhe paraardhësit e mi, lidershipi i mëhershëm i ka artikuluar kërkesat tona.

    Ne i kemi kontekstualizuar edhe njëherë vitet e fundit dhe ato kërkesa që i kemi qe 30 vite të bazuara në referendumin e 1992-tës për autonomi territoriale me të drejtë bashkëngjitjeje me Republikën e Kosovës.

    Kështu kërkesat tona janë që edhe ne të marrim pjesë në dialogun Kosovë-Serbi, dhe të kemi si parim bazë që të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë, t’i gëzojnë të drejtat e njëjta edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës, kjo është kërkesa ynë minimale.

    Gjithashtu kemi pasur kërkesë ndaj qeverive të Kosovës, edhe kësaj Kurti 2 që të kemi Fondin Kombëtar të Solidaritet që është përgjegjës për zhvillimin e mëtutjeshëm të komunës sonë dhe nevojave të qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe të adresohen më në fund edhe në dialog, çështjet bazike si diskriminimi ndaj shqiptarëve dhe pastaj zhvillimi ekonomik, perspektiva ekonomike por dhe problemet tona politike.

    A duhet që politikanë të Preshevës të përfshihen në këtë dialog?

    Arifi: Po duhet që lidershipi shqiptar i Luginës së Preshevës në dialog, sepse vetëm prezenca jonë e shpjegon më shumë perspektivën e problemeve konkretet në tryezën e dialogut.

    Edhe nga Kosova mund të flasin për ne, por perspektivën që i japim ne si lidership i Luginës së Preshevës në tryezën e Brukselit është shumë më konkrete, më e detajizuar dhe më afër për të kuptuar gjithsecili pjesëmarrës në këtë dialog.

    Për fund, si i keni parë ditët e para të pushtetit të kryetares së re të Preshevës?

    Arifi: Ashtu siç e kemi pritur, qesharake, një nga vendimet e para që ka bërë kryetarja jolegjitime është që ia ka ngritur vetës rrogën, dhe kjo e bën të qartë se çfarë mentaliteti për momentin kemi në udhëheqje të komunës dhe bën të qartë se shumë shpejt do të kthehen në opozitë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!