IPK rekomandon suspendimin e 12 policëve që u arrestuan në operacionin në Karaçevë

Policia e Kosovës gjatë javës që lamë pas realizoi një aksion në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ku në pranga përfunduan 35 persona, 12 nga ta ishin zyrtarë policorë.


Një zyrtar policor u arrestua nën dyshimet për ndihmë në kontrabandë dhe organizim të lojërave të fatit e 11 të tjerë u arrestuan për ndihmë në kontrabandë.

Pas arrestimit dhe vendimit të Gjykatës së Gjilanit që të njëjtit të dërgohen në paraburgim Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar që zyrtarët policor të arrestuar në Karaçevë, të suspendohen nga detyra.

Kështu është thënë në një përgjigje për Telegrafin nga IPK-ja.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës në përputhje me mandatin ligjor ka rekomanduar suspendimin deri në përfundimin e hetimeve për 12 zyrtarët policorë të arrestuar më datë 18 dhe 19 shtator 2020”, thuhet në përgjigje.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se njëri nga 12 zyrtarët policor me inicialet F.L po dyshohet për dy vepra penale ’Kontrabandimi me mallra’’ dhe ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’.

Ndërkohë të dyshuarit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M. dhe Z.A., në cilësinë e zyrtarëve policorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme. Të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’.

Ndërkaq sot në mbledhjen e Qeverisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu bëri të ditur se në këtë operacion kanë marrë pjesë 317 zyrtarë policorë të njësive të ndryshme, dhe se hetimet ende po vazhdojnë.

Veliu paralajmëroj se mund të ketë vazhdim të aksionit edhe në ditët në vijim.