×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Isa Mustafa: Familjarët e të pagjeturve presin me ankth për fatin e tyre

    Reporteri
    27 Prill 2020 | 12:58

    Kryetari i LDK-së, Isa Mstafa, ka përkujtuar të ekzekutuarit në masakrën e Mejës dhe të zhdukurit në Kosovë.


    Ai ka thënë se familjarët e tyre akoma presin me ankth për fatin e tyre, shkruan Reporteri.net.

    Me këtë, Mustafa është përfshirë në debatin e fundit lidhur me amnistinë, që u ngjall pas një deklarate të gazetarit Baton Haxhiu.

    Fjalët e plota të Mustafës:

    Sot, është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve dhe për Kosovën ende është plagë e rëndë tash e mbi dy dekada. Aktualisht janë 1641 persona të zhdukur në gjithë vendin, familjarët e të cilëve presin me ankth për fatin e tyre.

    Pranvera e vitit 1999 ka qenë padyshim më e rënda në historinë e Kosovës. Në këtë stinë Serbia filloi përpjekjet e fundit për të zhbërë popullin e Kosovës duke ekzekutuar me mijëra fëmijë, gra dhe burra. Kreu krime të tmerrshme kundër njerëzimit, shkatërroi, dogji dhe dëboi një popull nga shtëpitë e tyre.

    Kjo ditë koincidon edhe me Masakrën e Mejës, e cila është një nga krimet më monstruoze të forcave serbe mbi popullatën civile shqipare. Në këtë masakër janë vrarë mbi 376 burra të kësaj ane. “Lëdina e Pikëllimit” është e mbushur me varre të grave, burave, fëmijëve dhe të moshuarve të cilët nuk u kursyen.

    Masakra e Mejës dhe shumë masakra tjera në Kosovë janë dëshmi e krimeve të Serbisë që janë kryer në vendin tone.

    Të gjitha këto ngjarje tronditën ndërgjegjen njerëzore të botës së civilizuar dhe kapërcyen çdo kufi. Serbia duhet sa më parë të kthej eshtrat e të zhdukurve dhe kryesit e krimit të përgjigjen para drejtësisë.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!