Ish-deputetja e Aleancës Kosova e Re, Myzejene Selmani ka reaguar pas planit që zbuloi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili ra në grackën e humoristëve rusë.
Selmani thotë se çfarëdo deklarate nga kush do qoftë për ndarjen e Kosovës është e papranueshme.
Sipas saj, çështja e ndarjes së kufijve i konvenon disa vendeve për ta aplikuar si praktikë të re ndërkombëtare, shkruan Reporteri.net.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Kosova nuk mund të jetë fontanë dëshirash politike.
Çfarëdo deklarate nga kush do qoftë për ndarjen e Kosovës është i papranueshëm.
Kryeministri maqedon Zaev ka zbardhur një plan të “fshehtë” për iden e ndarjes, i rënë në grackën e humoristit rusë nga i cili ka marrë një telefonatë duke u prezantuar si kryetari ukrainas Poroshenko.
Por çështja e ndarjes së kufijve i konvenon disa vendeve për ta aplikuar si praktikë të re ndërkombëtare. Serbia e di që i duhet të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovë si kusht për integrim në BE.
Por kundër integrimit të Serbisë në BE është Rusia. Andaj ka kërcënuar me veto në KS të OKB për cfarëdo marrëveshje të arritur midis dy vendeve. Aktualisht Moska dëshiron ruajtjen e status quos.
Por në rastin e fundit ata do të dëshironin ndryshimin e formatit negociues dhe përfshirjen e tyre në to dhe që dialogu të vëhet jashtë kornizave të BE.
Disa raporte të analistëve rusë sugjerojnë që do të përpiqej të përdorte, cfarëdo ndryshimi të kufijve si një argument shtesë në favor të saj në hapësirën post sovjetike – në një zgjidhje të mundshme me Ukrainën. /Reporteri.net/.