×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-këshilltari i Kurtit: Duhen 120 vota në kuti për t’u bërë kuorumi për zgjedhjen e Presidentit

    Reporteri
    04 Prill 2021 | 12:10

    Autor: Mirlind Behluli


    Dje dështoi seanca për votimin e presidentit për shkak të kourumit. Në seancën e së shtunës nuk u arritën 80 votat e nevojshme për t’u llogaritur si i kushtetues e i suksesshëm ruandi i parë i votimit. E sot me fillim nga ora 17:00, Kuvendi do të mblidhet përsëri në kërkim të votës së 80-të që do ta mundësonte vazhdimin e seancës për president.


    Por krejt ndryshe mendon Durim Berisha, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurtit gjatë kohës kur ky i fundit udhëhoqi vendin per 50 ditë.

    Në një intervistë para 3 javëve, Berisha pati sqaruar interpretimin e tij për votimin e presidnetit duke thënë se duhen 120 vota në kuti e jo 80 siç tani po kërkohet.

    Mendimin e tij, njohësi i Kushtetutës që tash studion për doktoraturë në Duseldorf të Gjermanisë, e ka bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli kërkohet votimi i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    ‘’Gjykata Kushtetuese në vendimin e lartpërmendur ka obliguar të gjithë deputetet që të votojnë. Gjyqtarët që kanë votuar për këtë vendim kanë pasur pritje se deputetët do të përfillin vendimin e tyre edhe pa parashikuar pasoja për ta. Pra Gjykata nuk kërkon 80 vota në kuti të votimit, por ajo kërkon të gjitha votat e deputetëve, sepse sipas vendimit në rastin Pacolli (paragrafi 85 dhe 86 i vendimit) „të gjithë deputetet duhet të votojnë“. Prandaj Gjykata ka ngatërruar konceptin e kuorumit dhe votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit, sepse ajo ka vendosur një kriter iluzor të 120 deputetëve pjesëmarrës në votim dhe ka tejkaluar madje edhe atë që përmendet në publik se duhet qenë 80 deputet që marrin pjesë në votim’’, ka thënë ish-këshilltari i Kurtit, Durim Berisha, për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    I kontaktuar nga Reporteri.net, Berisha ka thënë se i qëndron prapa deklarimit të tij të mëhershëm në lidhje me interpretimin që kësaj çështje i ka bërë Gjykata Kushtetuese ndonëse Berisha ka thënë se nuk pajtohet me këtë interpretim të Kushtetueses.

    Por, në një përgjigje për Reporteri.net, ish-këshilltari i Kurtit ka thënë se deklarimet se duhet 80 vota janë të pabaza ngase aktvendimi në rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit ishte refuzim procedural i kërkesës së opozitës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Thaçit president.

    “Në opinionin publik po përmendet numri prej 80 votave. Këtë interpretim të gjithë e bazojnë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth vleresimit të kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Hashim Thaçit si President në vitin 2016. Mirëpo ai është një aktvendim përmes të cilit Gjykata kishte refuzuar proceduralisht kërkesën e opozitës – pra nuk e ka pranuar fare në shqyrtim – dhe nuk është burim i të drejtës në raport me interpretimin e neneve përkatëse për zgjedhjen e presidentit. Prandaj i njëjti nuk e abrogon interpretimin në rastin Nr. KO 29/11, i njohur në publik si rasti Pacolli, ku Gjykata ka konstatuar se të gjithë deputetet duhet të votojnë, sepse ky i fundit është një aktgjykim përmes të cilit është gjykuar në merita një çështje dhe si i tillë është burim i të drejtës”, tha Berisha, shkruan Reporteri.net.

    Tutje Berisha ka thënë se Kushtetuesja i ka ngatërruar konceptet gjatë interpretimit të kourumit.

    “Por duhet theksuar se fakti qe Gjykata në  të kaluarën nuk e ka pasur të qartë një parim elementar se çështjet konsideorhen të gjykuara vetëm me aktgjykime dhe jo me aktvendime, nuk e ndalon gjykatën që në të ardhmen ta ndryshon praktikën e saj gjyqësore dhe tëe vendos kriterin e 2/3 përmës një aktgjykimi të ri apo edhe të interpretoj si duhet kuorumin dhe votat e nevojshme për marrjen e një vendimi, në kete rast zgjedhjes së presidentit. Koncepte këto që i ka ngatërruar edhe në aktgjykimin e vitit 2011 edhe aktvendimin e 2016”, tha Berisha për Reporteri.net.

    Në aktvendimin refuzes të saj, Gjykata thotë se deputetët nuk e kanë dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme kërkesën e tyre për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Thaçit.

    “Rrjedhimisht, ne baze te nenit 42, paragrafit 1.3, te Ligjit dhe rregullit 36 (1) (d) dhe (2) (d) te RregulJores se punes, kerkesa eshte e papranueshme si qartazi e pabazuar ne baza kushtetuese, pasi qe parashtruesit e kerkeses nuk i kane deshmuar ne menyre te mjaftueshme pretendimet e tyre se vendimi i Kuvendit “per zgjedhjen e Presidentit te Republikes se Kosoves” eshte ne kundershtim me nenin 86, paragrafet 4 dhe 5 te Kushtetutes”, thuhet në aktvendimin refuzues të Gjykatës Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

    Por, çfarë thotë paragrafët 85 dhe 86 të aktgjykimit të Kushtetueses në rastin Rastin Nr. KO 29/11 (i njohur si rasti Pacolli), të cilit i referohet Berisha kur thotë se duhet të votojnë të gjithë 120 deputetët e Kuvendit?

    Në këto dy paragrafe Gjykata Kushtetuese ka thënë se neni 86.4 i Kushtetueses siguron që Presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

    Sipas Kushtetueses kjo do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë.

    “Lidhur me këtë, Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, neni 86-4 i Kushtetutës siguron se Presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat (2/3-at) e “votave të të gjithë deputetëve” të Kuvendit, që do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë, minus ata deputete të cilët kanë marr leje nga Kryetari i Kuvendit, dhe kandidati i cili merr 80 ose më shumë vota nga votat e të gjithë deputetëve (në raundin e parë dhe të dytë) do të zgjidhet. Vetëm nëse nuk arrihen dy të tretat e shumicës, mbahet raundi i tretë. Neni 27 i Ligjit për deputetë dhe neni 27-4 i Rregullores së punës se Kuvendit, përmban formulim identik të fjalëve: “dy te tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, thuhet në paragrafin 85 të aktgjykimit e vitit 2011 të Gjykatës Kushtetuese për rastin Pacolli, shkruan Reporteri.net.

    Ndërkaq në paragrafin 86, Kushtetuesja tregon arsyen se pse kushti i nenit 86 nuk u plotësua në rastin e zgjedhjes jo-kushtetuese të Pacollit President.

    “Nga procesverbali i seancës se jashtëzakonshme, mbajtur më 22 shkurt 2011. shihet se para se të fillonte votimi, fillimisht ishin të pranishëm 81 deputete. Megjithatë, kur votimi filloi, vetëm 67 deputetë ishin të pranishëm dhe morën pjesë në votim, ndërsa deputetet e tjerë ishin larguar nga salla e Kuvendit. Kushti i nenit 86, që të gjithë deputetët duhet të votojnë, megjithatë nuk u plotësua. Për më tepër, raundi i dytë i votimit ndodhi në rrethana të njëjta, ndërsa në raundin e tretë, z. Behgjet Pacolli, kandidati i vetëm i nominuar, u zgjodh President i Kosovës me 62 vota nga 67 vota”, thuhet në aktgjykimin e rastit Nr. KO 29/11 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    Por, ndryshe nga Berisha dhe ky aktgjykim, janë deklaruar shumë juristë, përfshirë Enver Hasanin, që kur u nxor aktgjykimi për rastin Pacolli ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

    Sipas Hasanit, në kuti të votimit duhen vetëm 80 vota.

    “Nëse kandidati nuk i merr 80 vota pro, shkohet në raundin e dytë. Por nëse nuk janë 80 vota në kuti [kuorumi i 2/3 së deputetëve], procesi nuk vazhdon dhe brenda 60 ditëve nëse nuk vjen në rend ditë zgjedhja e presidentit përsëri, shkohet në zgjedhje”, tha të mërkurën, Enver Hasani në një intervistë televizive.

    Kujtojmë që dje seanca për votimin e presidentit ka dështuar për shkak të mungesës së kourumit.

    E Kryetari i Kuvendit dje njoftoi se këtë të diele do të vazhdoj seanca për zgjedhjen e presidentit me fillim nga ora 17:00.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!