×
Intervista

Ish-këshilltari i Kurtit: Së pari zgjidhet kryetari i Kuvendit, për Presidentin nuk kërkohen 80 vota në kuti, por 120 vota

Autor:Mirlind Behluli
18 Mars 2021 | 18:14

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Durim Berisha, ka folur për Gazetën ‘Reporteri.net’ rreth debateve të fundit mbi seancën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës që pritet të mbahet me 22 mars. Në këtë intervistë, ish-këshilltari i ish-Kryeministrit Albin Kurti, ka sqaruar procesin se si duhet të formohen institucionet e vendit duke treguar se kush duhet të zgjidhet i pari nga zinxhiri i legjitimitetit kushtetues.

Tutje, ish-këshilltari i Kurtit, Durim Berisha, që tash studion për doktoraturë në Universitetin “Heinrich Heine Düsseldorf”, në Dusseldorf të Gjermanisë, është deklaruar edhe për çështjen e kuorumit në seancën kur votohet presidenti, e për vendimin e PZAP dhe Gjykatës Supreme për anulimin e votave të Adrijana Hoxhiq.

Berisha ka thënë se ky vendim dëshmon që Gjykata Supreme nuk i njeh konceptet themelore të së drejtës zgjedhore. Për fund, Berisha ka treguar nëse do të jetë përsëri këshilltar i Kurtit, i cili pritet të jetë kryeministër i Kosovës pasi i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lexojeni të plotë intervistën e ish-këshilltarit të Kurtit, Durim Berisha, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

Reporteri.net: Z. Berisha, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet me 22 mars. Por tashmë ka lindur një debat se si duhet të procedohet në seancë. Për këtë çështje ka, së paku, dy mendime. Mendimi i parë, që është mendimi i shumicës së njohësve të Kushtetutës, konsideron që së pari duhet të zgjidhet Kryetari i Kuvendit, i cili mëpastaj si u.d. i Presidentit e cakton mandatarin për formimin e Qeverisë. Por, ka një mendim tjetër, i cili realisht është interpretim i një pakice të vogël të eksperteve kushtetues, që thotë se duhet të zgjidhet presidenti e pastaj gjymtyrët e tjerë të institucioneve si kryeministri. Si qëndron e vërteta në këtë mes? A mund të zgjidhet presidenti pa u votuar për Kryetarin e Kuvendit dhe a mundet kryetari i Kuvendit si u.d. të mandatojë kandidatin për kryeministër?

Durim Berisha: Procedura e legjitimimit të institucioneve kushtetuese pas zgjedhjeve fillon me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si hap i parë në formësimin e atij që njihet si „zinxhir i legjitimitetit kushtetues“. Për dallim nga praktika kushtetuese krahasuese, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në rastin Nr. 119/14, në vitin 2014 pati interpretuar se Kuvendi konstituohet jo pas betimit të deputetëve, por pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Pas konstituimit të Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk parasheh ndonjë renditje në bazë të së cilës duhet të zgjidhen bartësit e funksioneve tjera kushtetuese. Kjo sipas një logjike të thjeshtë, sepse mandati i Presidentit dhe Qeverisë janë të ndryshëm. Zgjedhja e Presidentit dhe formimi i Qeverisë janë dy procese të ndara dhe të cilat nuk kanë ndikim procedural njëra ndaj tjetrës. Normat kushtetuese shërbejnë për të garantuar një funksionim të papenguar të institucioneve dhe jo për të paraqitur pengesa. Në frymën e këtij parimi është edhe praktika e vitit 2011, kur u.d. Presidenti Jakup Krasniqi pati propozuar kandidatin për kryeministër, sepse Kushtetuta nuk parasheh asnjë kufizim të ushtrimit të kompetencave të Presidentit nga ushtruesi i detyrës.

Kohëve të fundit është folur për çështjen e qëndrimit në sallë në seancën kur pritet të votohet Presidenti. Qëndrimi në sallë është quajtur “përgjegjësi kushtetuese”. Çfarë nënkupton ky togfjalësh në të drejtën kushtetuese? A ua obligon Kushtetuta e Kosovës deputetëve qëndrimin në sallë?

Berisha: Gjykata Kushtetuese në vendimin mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës Në rastin Nr. 29/11 ka theksuar se deputetët janë të obliguar të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votim. Për dallim nga Qeveria (kryeministri dhe ministrat) dhe Presidenti të cilët i nënshtrohen parimit të pashkruar kushtetues mbi „detyrimin e bashkëpunimit ndër-institucional“, mandati i deputetit është i lirë jo vetëm nga ndikimi, por edhe nga detyrime kushtetuese. I mbetet deputetit të vlerësojë se në cilën mënyrë ai përfaqëson më së miri interesin e sovranit, prandaj edhe i lejohet abstenimi nga votimi apo bojkotimi i seancave. Se Gjykata Kushtetuese nuk e ka pasur të qartë dallimin mes aspektit moral dhe atij kushtetues në kohën kur ka konstatuar një gjë të tillë, mbështetet me faktin se ajo nuk ka paraparë asnjë pasojë juridike për deputetin në rast se ai nuk merr pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese në vitin 2016 në aktvendimin (jo aktgjykim) për zgjedhjen e Presidentit ka theksuar se ai obligim i theksuar në vitin 2011 nuk qëndron. Mirëpo, gjyqtarët në vitin 2016 nuk e kanë pasur të qartë se aktvendimi nuk e ndryshon praktikën kushtetuese të vendosur në aspektin e të drejtës materiale përmes aktgjykimit.

Po ashtu, është deklaruar se përveç qëndrimit në sallë, duhet të jenë së paku 80 vota në kuti të votimit në mënyrë që procesi i zgjedhjes së Presidentit të jetë në përputhje me Kushtetutën. A mund të na sqaroni këtë temë nga perspektiva e Kushtetutës së Kosovës?

Gjykata Kushtetuese në vendimin e lartpërmendur ka obliguar të gjithë deputetet që të votojnë. Gjyqtarët që kanë votuar për këtë vendim kanë pasur pritje se deputetët do të përfillin vendimin e tyre edhe pa parashikuar pasoja për ta. Pra Gjykata nuk kërkon 80 vota në kuti të votimit, por ajo kërkon të gjitha votat e deputetëve, sepse sipas vendimit në rastin Pacolli (paragrafi 85 dhe 86 i vendimit) „të gjithë deputetet duhet të votojnë“. Prandaj Gjykata ka ngatërruar konceptin e kuorumit dhe votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit, sepse ajo ka vendosur një kriter iluzor të 120 deputetëve pjesëmarrës në votim dhe ka tejkaluar madje edhe atë që përmendet në publik se duhet qenë 80 deputet që marrin pjesë në votim.

Kur është afati i fundit për t’u zgjedhur presidenti? Çfarë ndodh nëse nuk zgjidhet presidenti brenda afatit kushtetues të përcaktuar nga Kushtetuta e Kosovës?

Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e fillimit të procedurës. Ajo që është në interes të publikut tani është që përpos këtij afati të sqarohet situata e jashtëzakonshme në raport me ushtruesin e detyrës së presidentit. Duhet sqaruar se afati 6 mujor nuk nënkupton se askush nuk mundet ta ushtrojë funksionin e presidentit më tepër se gjashtë muaj, por obligon Kuvendin që brenda gjashtë muajve pas krijimit të rrethanave të tilla të zgjedhë presidentin e ri me mandat të plotë, në të kundërtën Kuvendi shpërndahet. Pra këtu flasim për një situatë që nuk përmendet shprehimisht në nenin 82 të Kushtetutës, nen që përmend tekstualisht rastet e shpërndarjes së Kuvendit, por bëhet fjalë për një pasojë logjike si shkak i dështimit të Kuvendit për të përmbushur detyrat thelbësore për funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve.

Pas zgjedhjeve pati shumë ankesa nga partitë minoritare në lidhje me dyshimet e manipulimit të votave nga Lista Serbe. PZAP i anuloi votat për Adrijana Hoxhiq, udhëheqëse e Iniciativës Boshnjake, me arsyetimin se ka pasur vota të orkestruara dhe se votat e fituara nga Hoxhiq nuk korrespondojnë me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak në ato zona. Këtë vendim e miratoi edhe Gjykata Supreme, e cila konstatoi se vendimi i PZAP qëndron. Si e vlerësoni këtë çështje nga aspekti kushtetues? A besoni se po i njëjti vendim do të vërtetohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, në të cilit institucion, siç ka paralajmëruar Hoxhiq, do t’i apelojë vendimin e Gjykatës Supreme dhe PZAP?

Është dëshmuar tani se Gjykata Supreme e Kosovës nuk i njeh konceptet themelore të së drejtës zgjedhore. Për fat të keq, si duket nën ndikimin e opinioneve të dhëna në studiot televizive, kjo Gjykatë konstatoi se votat e një subjekti politik të fituara në një zonë të banuar me shumicë nga një minoritet tjetër (por jo vetëm nga pjesëtarët e atij minoriteti) janë të pavlefshme. Duhet theksuar se Kushtetuta e Kosovës ju garanton pakicave pragun minimal të përfaqësimit dhe mbrojtje nga jopërfaqësimi, sepse dihet që numri i ulëseve në Kuvend tejkalon përqindjen në raport me strukturën etnike të popullsisë në Kosovë. Mirëpo, duhet theksuar se vota është ndër të tjera e lirë, e barabartë dhe e fshehtë. Askush nuk mund të obligohet të votojë vetëm për disa subjekte të caktuara dhe asnjë subjekti nuk mund t’i ndalohet të votohet nga pjesëtarë të një komuniteti tjetër. Procesi zgjedhor nuk është sikurse konkurset në Universitetin e Prishtinës ku pjesëtarët e komunitetit garojnë brenda kuotës së përcaktuar për atë komunitet, por paraqet një garë kur pjesëmarrësi paraqet ofertën për tërë elektoratin. Deputeti është përfaqësues i popullit të Kosovës edhe atëherë kur ai fiton ulëse përmes vendeve të garantuara për pakicat etnike. Pavarësisht që organizimi i Listës Serbe nuk na ka pëlqyer, gjyqtari gjykon mbi bazën e akteve juridike dhe jo mbi bazën e emocioneve.

Ju keni qenë pjesë e Qeverisë Kurti i si këshilltar për çështje juridike, të cilin këshilldhënie e keni bërë pa kompensim financiar (pro bono). A keni marrë ftesë të jeni pjesë e Qeverisë Kurti II? A do të jeni pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Kurti nëse merrni ftesë?

Pavarësisht që me Kryeministrin Kurti nuk jemi njohur para se të ftohem nga ai vitin e kaluar për t’u bashkuar stafit të tij, kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm që ka rezultuar me ndërtimin e një besimi të ndërsjellë. Ne kemi qenë në kontakt me të dhe bashkëpunëtorët tjerë, për aq sa kam pasur mundësi, në vazhdimësi. Angazhimi im vitin e kaluar nuk ka qenë i motivuar as nga orientimi politik, afërsia me Lëvizjen Vetëvendosje! apo motive të tilla, por e kam ndjerë obligim t’i përgjigjem ftesës së Kryeministrit të vendit tim, kur ai më kërkoi angazhimin për shtetin tonë të dashur. Pavarësisht nëse për shkak të rrethanave familjare nuk do të kem mundësinë e angazhimit me kapacitete sikurse vitin e kaluar, brenda mundësive që kam do t’i shërbej interesave të Republikës së Kosovës. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!