Ish komandati i FSK-së sqaron proceduarat e dërgimit të ushtrisë jashtë: S’ka kapacitete për misione luftarake

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati ka folur për hyrjen në fuqi të Ligjit që i mundëson ushtrisë së Kosovës të marrë pjesë në misione jashtë vendit.

Madje Kastrati ka sqaruar se cilat janë proceduarat që mundësojnë një gjë të tillë. Sipas tij, pas marrjes së kërkesës nga Ministri i Mbrojtjes kërkesën duhet ta dërgojë në Qeveri, më pastaj në Kuvend për miratim, kurse presidentja e vulos si komandante supreme.

“Me këtë Ligj janë specifikuar të gjitha vijat se në çfarë rruge duhet të ndjek Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës për t’i marrë miratimin e institucionit të Kosovës për t’i dërguar në misione jashtë vendit”, tha ai për EO.

“Në këtë mënyrë qartësohet vija se në çfarë rrugësh duhet të ecin institucionet apo prirësit e institucioneve përkatëse për të dërguar ushtarë, oficer jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Sa i përket misioneve luftarake, Kastrati tha se FSK-ja ka kapacitete vetëm për disa misione, kurse për misione luftarake nuk është e zhvilluar, vetëm nëse është krah ushtrive të fuqishme.Ai thotë se ushtria mund të jetë pjesë e misioneve humanitare për të cilat është lider në rajon, si për kërkim-shpëtim në male, në ujëra, gërmadha etj.

“Nuk ka kapacitete luftarake dhe nuk janë të përgatitur për t’i dërguar ushtarët, nënoficerët, oficerët në misione luftarake për arsye se i’u duhet edhe një kohë deri sa t’i arrijnë këto kapacitete të nevojshme sipas standardeve të NATO-s. Ne në këto fusha mund të ofrojmë edhe qendra ushtrisë së Kosovës, edhe sa kam qenë unë komandant ka qenë e aftësuar për të ofruar edhe trajnime shteteve të rajonit dhe shteteve të tjera”.

“Në shtetet ku kanë ushtri shumë të avancuar siç është SHBA-ja, Anglia, Gjermania, Kroacia ku janë shkolluar dhe ata oficerë, nënoficerë mund të marrin pjesë në të gjitha misionet që nga ato paqeruajtëse deri tek ato humanitare, për arsye që ata mund të jenë pjesë e ndonjë kontingjenti amerikan, anglez, gjerman, kroat që të jenë si oficerë të operativës, logjistikës dhe fushave të tjera që Ushtria e Kosovës ka mjaft kuadro të shkolluara”.

Sa i përket rolit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionet jashtë vendi, ish-gjenerali Kastrari tha se kjo varet prej situatës që kërkohet ngase ka disa lloje të misioneve që ushtritë zbarkojnë jashtë shtetit.Ai tha se këto misione zakonisht udhëhiqen nga NATO-ja, Bashkimi Evropian si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Misioni paqeruajtës që e kemi shembull rastin e Afganistanit, Irakut, rastet ku janë konflikte të armatosura. Kemi misione paqeruajtëse që përfundon lufta e duhet ta ruajnë paqen me institucionet vendore përkohshëm të atij shteti. Ka misione humanitare siç ka qenë misioni në Shqipëri. Misionet në Haiti që ka ndodhë cunami edhe katastrofat e tjera humanitare qoftë ato të shkaktuara nga njeriu apo nga natyra”.

Nga e enjtja ka hyrë Ligji i ri për dërgimin e FSK-së jashtë vendit.

Sipas dokumentit në fjalë, për të marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare të paqes, duhet të ketë marrëveshje me shtetin pranues, ftues, apo ftesë qoftë nga ndonjë organizatë ndërkombëtare apo shtet anëtar i ndonjë organizate ndërkombëtare të sigurisë.