Ish-menaxheri i Qendrës: Po të kishte ndonjë ankesë Agon Musliu, do të na njoftonte

Ish-menaxheri i Qendrës së Karantinës, Valdet Hasani, ka raportuar sot para Komisionit hetimor për menaxhimin e pandemisë.


Me këtë rast Hasani u deklarua edhe lidhur me rastin e Agon Musliut, ku theksoi se po të kishte pasur ankesa vetë i ndjeri do t’i kishte thënë dikujt prej vullnetarëve.

“Po të kishte ankesa edhe vetë i nderi do t’i kishte thënë dikujt prej vullnetarëve apo neve dhe do ta kishim liruar si të tjerët. Po të na kishte ardhur ndonjë ankesë, do t’ishim marrë me të, pasi ne jemi marrë me çdo ankesë qoftë edhe veç një mesazh nëse na kishte ardhur e kishim marrë parasysh. Edhe çdoherë kur dikush ka bërtit apo është ankuar ne kemi dërguar njerëzit përgjegjës”.

Hasani theksoi se SHSKUK-ja nuk mundet me i dërgu njerëzit në sekonda, por bashkë me vullnetarët kanë qëndruar gati për të mos ndodhur më e keqja.

“Nuk them se s’ka lëshime, por e them me plot bindje se është bërë puna më e mirë e mundshme. Kjo është pyetje që s’duhet të më adresohet mua, të gjithë personat që janë sjell në karantinë flasim ne për ta, jo për të tjerat”, shtoi ai.

Sipas Hasanit, në kuadër të mbi 1 mijë e 500 personave të karantinuar nuk erdhën të gjithë nga aeroporti, por pati edhe përmes hyrjeve të tjera si ato tokësore.