Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka paralajmëruar padi civile ndaj zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Sipas Selimit, Sallahu ka përdorur shpifje dhe ka përhapur të pavërteta ndaj tij me rastin e ushtrimit të kallëzimit penal kundër tij më 26 prill të këtij viti.
“Dezinformatat e përhapura nga Sallahu u vërtetuan sot me hedhjen poshtë kallëzimit penal nga Prokuroria Speciale. Kësisoj, në emër të dëmit material dhe jo-material që më ka shkaktuar, përmes padisë civile do të kërkojë kompensim në shumën prej 300 mijë eurove. Këtë shumë do ta dhurojë për ‘Kosovo American Education Fund’ ,një fondacion për të financuar shkollimin e juristëve të rinj kosovarë në ShBA”, ka shkruar ai.
Sipas tij, ushtrimi i kallëzimit penal ndaj tij është një nga metodat e persekutimit politik që tenton të kryejë pushteti aktual ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
“Qeveria aktuale dhe njerëzit e saj që udhëheqin me Ministrinë e Drejtësisë, e kuptojnë drejtësinë vetëm nëse ajo është e kapur. Me veprimet e tyre, ajo [qeveria] është duke shkatërruar dy institucionet më të rëndësishme të drejtësisë në vend, Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, ka shkruar tutje Selimi.
Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës (PSRK) ka hudhur poshtë kallëzimin penal të ngritur nga zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë (MD) ndaj Selim Selimit dhe Nehat Thaçit në prill të këtij viti, me pretendimin se kishin keqpërdorur pozitat zyrtare për t’i sjellë përfitim personit juridiko-privat.