Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se faji për 21 milionët që i humbi Kosova në Arbitrazh ndaj kompanisë ContourGlobal, është i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Kurti, të cilin e ka quajtur edhe “kriminel” e të “poshtër”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Haradinajt, VV’ja dhe Kryeministri Albin Kurti duke e kundërshtuar projektin për termocentralin “Kosova e re”, kanë bërë krim energjetik. Ai tha se po të mos i drejtohej Ministrja Rozeta Hajdari me letër kompanisë, nuk do të kishim nevojë të paguanim 21 milionë euro dëmshpërblim.
“VV’ja, Kurti edhe klika e tij duke e kundërshtuar këtë kapacitet me energji edhe këtë kontratë , këta vërtet i kanë bë një krim jo veç energjetik Kosovës, por edhe të sigurisë….Kurti përveç kundërshtimin politik që ka ba prej opozitës, me të ardhur në qeveri, Ministrja e tij, Rozeta Hajdari, i ka dërguar shkresë zyrtare kompanisë përkundër se e ka pa në kushtet e kontratës e ka pa që pala që e shkëput marrëdhënien merr përsipër koston e shkëputjes së marrëveshjes. Më ketë e kanë liru nga obligimi investitorin, në këtë rast kompaninë Contour Global, që me siguru financimin për këtë projekt dhe kësisoji e kanë armatosë Contour Globalin me të drejtën me kërku kompensimin e Arbitrazhit….Mos me e pas çu letrën, nuk i kishim pagu ato pare, 21 milionë”, ka deklaruar Haradinaj në Pressing të T7.
Ai ka kaluar edhe në akuza ndaj Kurtit dhe Ministrit Hekuran Murati, të cilët i ka quajtur “kriminelë”.
“Kurti, edhe Hekurani edhe krejt kjo klikë janë kriminelë realisht, unë s’di gjuhë tjetër. …Ky është i poshtër, ky i poshtër ka bë krim. Krim energjetik i ka bërë Kosovës, krim politik, krim të sigurisë se energjia nuk është vetëm para, energjia është siguri. Për energji ndodhin uftërat sot, për burime të energjisë, për furnizim të energjisë. Ky na ka lanë së pari pa kapacitet 500 megavatë, pastaj gazsjellësin nga Shkupi. Ky i ka ba dy krime të mëdha dhe duhet të jap llogari”, shtoi Haradinaj.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar dje vendimin për ndarjen e mbi 21 milionë eurove për kompaninë “ContourGlobal”, pas humbjes së rastit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Për këtë humbje milionëshe, Kurti e Murati kanë fajësuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
“Siç kemi thënë vite më parë, ashtu edhe rezultoi, Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet e as s’ka qenë përmbajtje, e i dobishëm për vendin tonë. Për fat të keq, ndërprerja e Qeverisjes tonë në pranverën e vitit 2020, dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëtirë për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar që Kosova të mos kishte pasoja të tilla. Kështu siç kanë shkuar ngjarjet, krijohet bindja se asnjëherë ky projekt nuk e ka pasur në plan ta gjejë financimin e duhur por është mjaftuar me idenë e një Arbitrazhi të mundshëm që t’ia merr paratë Kosovës. Megjithë pasojat, është shumë më mirë që i njëjti nuk është realizuar sepse një mbrapështi e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, deklaroi Kurti.
Ministri Hekuran Murati tha se një nënshkrim “i papërgjegjshëm” i ish-kryeministrit Haradinaj, tani po i kushton vendit mbi 21 milionë. Ai tha se vendime të tilla po vazhdojnë t’i ndjekin edhe pas shtatë viteve.
“Një nënshkrim i tillë i papërgjegjshëm, tani i kushton Republikës së Kosovës mbi 21 milionë euro dhe edhe shtatë vite pas po vazhdojnë të na ndjekin vendime të tilla të papërgjegjshme dhe nënshkrime që I sjellin dëm buxhetit të Kosovës”, deklaroi Murati.
Sipas Muratit, me klauzolë parashihej që në rast Arbitrazhi, në rast se dëmi do të duhej t’i paguhej Kosovës vlera kufizohej në 8 milionë euro, e në rast se kompanisë mbi 19 milionë.
“Nuk është se të gjitha mund të fitohen, aq më pak në raste të tilla kur një marrëveshje e cila ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017, përmbante vetë nënshkrimin e kryeministrit. Dmth Qeveria Haradinaj, kryeministri Haradinaj kishte nënshkruar marrëveshje përkundër të të gjithë paralajmërimeve nga opozita, nga shoqëria civile, nga ekspertët e fushës, që një kontratë e tillë nuk duhej të nënshkruhej sepse që në fillim edhe nëse shohim klauzolën që në rast të Arbitrazhit dhe në rast të procesi gjyqësor, sa shpërblehet njëra palë e sa tjetra, aty mund ta shohim pabarëzinë dhe asimetërinë e asaj kontrate. Në rast se dëmi duhej t’i paguhej Republikës së Kosovës, kostoja kufizohej në tetë milionë euro, kurse në rast së dëmi do të duhej t’i paguhej Contour Global, kostoja ishte 19.7 milionë. Dyfish e gjysmë më shumë për kompaninë sesa për shtetin”, deklaroi Murati.
Kurti më pas e quajti këtë kontratë si “kapitulluese”, duke thënë se me rastet tjera që i ka fituar Avokatura Shtetërore, shuma është përafërsisht shtatëfishi i shumës që duhet t’i paguajnë kësaj kompanie.
“Gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë, Avokatura jonë Shtetërore ka qenë shumë e suksesshme. Ajo cfarë kemi fituar është përafërsisht shtatëfishi i kësaj shumës që duhet të paguhet për shkak të humbjes në Tribunal për shkak të një kontrate kapitulluese e një qeverie të mëhershme me Contour Global. Çfarë të bëjmë, jemi ndodhur në një kësi situate ku duke pas parasysh atë kontratë, megjithatë kjo është e keqja më e vogël”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, në dhjetor të vitit 2017. Në atë kohë, kryeministër ishte Ramush Haradinaj.
Në mars të vitit 2020, kompania ishte tërhequr nga ndërtimi i termocentralit dhe e kishte dërguar Kosovën në Arbitrazh për mosrespektim të kontratës.