Java tjetër finale për bisedimet VV-LDK, Haxhiu tregon se a po iu paraqet problem përfshirja e Hazirit

Javën tjetër pritet që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të finaliziojnë programin qeverisë, pas një varg takimesh të mbajtura në nivel të grupeve punuese.


Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje tha se për shumë nga temat e shtruara ndërmjet ekipeve punuese ka pajtueshmëri.

Ajo shprehet e bindur se nuk do të ketë probleme sa i përket pozicionimeve të këtyre dy partive në temat e mëdha për vendin.

“Deri tani të gjitha takimet tona janë zhvilluar në një frymë pozitive optimiste, prandaj po besojmë që do vazhdojë kështu, jemi lëshuar tanimë në diskutime për programin qeverisës, të hënën kemi pasur takimin për zhvillimin ekonomik, në 90 për qind të çështjeve jemi pajtua, kanë mbetur vetëm disa adresime të cilat do duhet të gjejnë mirëkuptim dhe pajtueshmëri”, tha ajo.

Javën tjetër shprehet e bindur ajo se do të finalizohet programi qeverisës për t’i hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjes finale, e cila do të bëhet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

“Do të vazhdojmë javën ardhshme me politikën e jashtme dhe çështjet sociale, shëndetësia në arsim dhe besoj që java e ardhshme do jetë finale në kuptimin e harmonizimit programor dhe pastaj mbetet vetëm nënshkrim i marrëveshjes finale dhe besoj që do të bëhet në momentin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, shtoi Haxhiu./Eo/