×
  • Lajme
  • Lajme

    Jeta Xharra dhe BIRN u përgjigjen akuzave për shantazh

    Reporteri
    25 Maj 2021 | 22:02

    Pas publikimit të hulumtimit të Insajderit ku thuhej se organizata e Jeta Xharrës ka përfituar shuma të majme nga RTK, ka reaguar kjo e fundit. Në një përgjigje karshi këtij hulumtimi, Xharra e ka cilësuar si fushatë e personave që sollën RTK-në në gjendjen që është sot.


    Tutje ajo ka thënë se të gjitha ato që u raportuan gjatë ditës janë shpifje.

    Xharra ka thënë se prapë përgjigjen e vetme do ta kenë padinë.

    Reagimi i plotë:

    Pas publikimit të lajmit që padia për shtëpinë e shoqërisë civile ku akuzohesha se jam bërë milionere ka dështuar në gjykatë për shkak se çdo pretendim në atë rast është i pavërtetë, sërish jam pre e një fushate tendencioze të bazuar në lajme të pavërteta ose dezinformata që qëllimin e kanë me na e dëmtu reputacionin.

    Ky sulm i fundit vjen nga një medium, ndaj të cilit kemi bërë një padi për shpifje për lajmet e rrejshme se jam bërë milionere, padi kjo që pret të zgjidhet në gjykatë.

    Ndaj tyre kemi edhe 4 raste të tjera të fituara në KMShK (trupë profesionale e përbërë nga vet mediat, e cila vendos në zbatimin e kodit etik të mediave), tri nga to për vjedhje të artikujve dhe shkelje të së drejtës së autorit si dhe një rast tjetër ku Insajderi ka shpifur për mua.

    Normalisht, lajmi shpërndahet nga një varg mediash të cilat vitin e kaluar i denoncuam që morën hiç më pak se 30 milionë euro nga Telekomi i Kosovës e që qëndrojnë kujdestare për të rishpërndarë informacionin që nuk përbën “lajm” sepse unë asnjëherë nuk e kam fshehur që RTK ka bashkëfinancuar emisionet tona televizive.

    Kjo fushatë është e motivuar nga njerëz që e kanë sjellur RTK-në në gjendjen në të cilën është sot. Kjo fushatë e shpifjes kundër meje e emisioneve tona po rinisë, për shkak se KALLXO.com, që e bashkëdrejtoj unë, ka publikuar hulumtimin që tregon se si dhëndrri i Sali Bashotës, kryetarit të bordit të RTK-së, është punësuar në RTK, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.

    Normalisht që është shpifje deklarata se unë paskam ushtruar presion që RTK me i mbajtë në skemën e vet programore programet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”.

    Si mund të përjetohet e vërteta si presion?

    E kundërta ka ndodhur.  I kam shkruar letër zyrtare bordit të RTK-së me i njoftu që “Jeta në Kosovë” po zëvendësohet në RTK me programe të produksioneve private të cilat janë duke i përqeshë të gjithë. Lidhjet e produksioneve private që kanë përfitu prej RTK-së deri më tani me politikën e parapolitikën i dini tash sepse është raportuar për to.

    Ky zotëriu Sali Bashota deklaratën për shantazh e bën në një komision parlamentar ku e di që nuk ka përgjegjësi ligjore për deklaratën e dhënë. Z. Bashota të inkurajoj të shkosh sot në Polici dhe ta deklarosh shantazhin që ta paskam bërë unë.

    Për të gjithë që duan ta dinë, buxheti i BIRN Kosovës brenda një viti është rreth 1 milion euro, dhe në këto 15 vite të themelimit buxheti kalon mbi 13 milionë. Për 15 vjet RTK ka kontribuar afërsisht 100 mijë euro në vit në këtë buxhet vjetor për BIRN e këto mjete kontribuojnë në pagesën e pagave të mbi 50 punëtorëve të organizatës.

    Me buxhetin tonë janë paguar staf që ka punuar në rrezikshmëri të lartë për të zbuluar korrupcionin dhe me qindra raste janë hapur për zyrtarë të korruptuar bazuar në të dhanat që kanë dal prej hulumtimeve tona.

    Me këto fonde, brenda këtyre 15 viteve janë mbështetur me qindra gazetarë të rinj për të zhvilluar hulumtimet e tyre të cilat e kanë ndërru situatën në terren. Në anën tjetër, shtrohet pyetja, çka ka arrit gazetaria hulumtuese e RTK-së me qit në dritë me më shumë se 10 milion euro buxhet që i ka pas në vit nga taksapaguesi kosovar, në krahasim me gazetarinë e BIRN që ka marrë mesatarisht 100 mijë euro në vit nga taksapaguesi kosovar?

    Informatat se si i shpenzon BIRN paratë jo vetëm ato të RTK-së por edhe të donatorëve tjerë janë informata publike që i publikojmë rregullisht në raportet tona vjetore financiare që e gjeni në faqet tona të internetit. (https://kallxo.com/per-ne/publikimet/)

    Për çdo cent të shpenzuar gjatë këtyre viteve jemi audituar deri më tani nga të paktën 70 auditime të pavarura nga dhjetëra donatorë që i kemi pasur në këto vite.

    Për të ju njoftuar, edhe fondet e RTK-së për të cilat organizata është paguar si pjesë e kontratës me RTK-në për emisionet që i ka prodhuar, janë pjesë e këtyre auditimeve institucionale çdo vit.

    Për këto të holla për të cilat jemi paguar prej RTK-së në 16 vitet e fundit kemi ofru mbi 900 emisione të cilat janë nderuar me rreth 100 çmime vendore e ndërkombëtare.

    Rezultatet e këtyre emisioneve dihen botërisht dhe mu për këtë sinjalizuesit i raportojnë rreth 2500 raste në vit në Kallxo.com. Këta zotërinjtë që bëjnë “gazetari hulumtuese”, pra “Insajderi”, që i paskan “zbuluar” dokumentet e komunikimeve tona kanë arritë në konstatimin që BIRN-i i ka kushtëzuar drejtuesit e RTK-së me largimin e Transmetuesit Publik nga projekti, në qoftë se nuk do të pranonin blerjen e dy emisioneve televizive të prodhuara nga BIRN-i, për të cilat RTK-ja do duhej të paguante rreth 200 mijë euro për dy vjet, duket se nuk i kanë lexu krejt dokumentet që i kanë në dorë.

    Në fakt këta zotërinjtë ishin dasht ta kenë në dorë edhe komunikimin e fundit, që ne i kemi ofruar RTK-së transmetim edhe pa pagesë të emisioneve tona vetëm që të vazhdojmë implementimin e projektit dhe konsistencën e transmetimit.

    Kjo për shkak se mendojmë se RTK e ka obligim të bëj program për interes të publikut e jo për interes të një partie siç bën tash.Normalisht një padi tjetër për shpifje do dorëzohet për “Insajderin” për manipulimin me këtë fakt ndërsa mediat tjera i lusim që të kenë kujdes me ripublikimin për shkak se shpërndarja e shpifjes i vë para përgjegjësisë.

    Me RTK-në kemi bashkëpunuar në projekte të ndryshme gjatë 15 vjetëve, të cilat janë paraparë në propozimin te donatori dhe janë bërë pjesë e kontratës siç ka ndodhur edhe në projektin që përmendet.

    Në momentin që RTK ka dështuar të realizojë një pjesë të punës së paraparë, ne e kemi ndërprerë bashkëpunimin në koordinim me partnerët e projektit.Dua të ju rikujtoj që ajo që kjo “media” dështon me e përmend është që RTK-ja ka ndërprerë këto emisione në muajin qershor, përkundër kontratës valide që ishte deri në muajin shkurt 2021, në bazë të së cilës edhe ishte bërë aplikimi i përbashkët në projekt.

    Normalisht që RTK-ja i ka përjashtuar programet e BIRN-it për shkak të presionit politik që e ka pasur dhe urdhrave politikë që i ka marrë vitin e kaluar kur raportuam për fushatën që zhvillohej më parë për ndërrimin e kufijve të Kosovës dhe kur raportuam për skemat e energjisë solare që zhvatnin buxhetin e Kosovës.

    RTK-ja vendosi që t’i përjashtojë emisionet tona në favor të oligarkisë dhe politikës, e për këtë e kemi informuar edhe bordin e RTK-së. Por, përderisa përjashtoheshin emisionet tona, gjendej vend pune edhe për dhëndrrin e Sali Bashotës, kryetarin e bordit edhe për familjarë të politikanëve që kishin lobuar për ndërrim të kufijve.

    Për fund, pyetjet që vijnë nga media të cilat i kam paditur dhe është dëshmuar që kanë shpifur për mua nuk do t’i denjësoj me përgjigje, e në rastet kur shpifin përsëri sikur tani, prapë përgjigjen e vetme do ta kenë padinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!