×
  • Lajme
  • Lajme

    Jo të gjithë, këta janë personat që duhet të bartin maska

    Reporteri
    12 Mars 2020 | 14:46

    Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, ka thënë se jo të gjithë duhet të bartin maska, si masë kundër koronavirusit.


    Sipas tij, vetëm të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duhet të bartin maska.

    “Të gjitha këto masa duhet t’i përmbahen individët veç e veç. Në njëfarë mënyre ata të kategorive të veçanta: të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, që e kanë shëndetin e komprometuar duhet të bartin maska. Popullata e përgjithshme s’ka nevojë të bartë maska, thjesht duhet të kujdesen për higjienën dhe duke qëndruar në shtëpi aq sa është e mundshme dhe të mos dalin në vende ku ka shumë njerëz”, ka thënë Ramadani në KTV.

    Sipas tij kjo sëmundje do të ndërrojë civilizimin dhe do të sjellë risi në aspektin e mentalitetit.

    Ai thotë se tashmë ka nisur një rënie e lehtë në pikën e origjinës dhe së shpejti do të fillojë rënia edhe në Evropë, derisa ka lavdëruar Qeverinë për masat e ndërmarra.

    “Tashmë ka filluar në një rënie të lehtë dhe besojmë se së shpejti do të ketë rënie. Në vendin e origjinës tashmë ka nisur rënien, kurse në vendet e Evropës praktikisht e ka kulmin dhe pas disa javësh do të fillojë rënien. Kurse në Kosovë ende nuk ka filluar, pra ato nuk janë të njëjta në asnjë shtet. Kosova është ndër shtetet e para në botë që ka ndërmarrë masat ende pa shpërthyer koronavirusi”, ka thënë Ramadani.

    Sipas tij me vendimet e sotme Qeveria ka ndihmuar që vala goditëse të jetë më e dobët se kudo tjetër.

    Tutje ai ka thënë se nuk duhet të ketë panik, por vetëm të ndërmerren masat nga të gjithë.

    “Kjo sëmundje ka një fatalitet 20 herë më të vogël se ethet hemorragjike krime kongo. Kjo do të thotë që njerëzit të mos kenë panik, por të ruhen dhe të mos qëndrojnë në vende ku ka qarkullim të madh të njerëzve. Më së paku bëhet për shkak të fëmijëve, pasi ata kalojnë më së miri, e kjo është shumë e mirë për ne. Këto masa janë ndërmarrë që të mos preken fëmijët pasi janë më të dendur”, ka thënë Ramadani.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!