Humbja e thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit shtyu Isa Mustafën, kryetarin e deritanishëm të LDK-së dhe Kryesinë e partisë të dorëhiqen nga postet e tyre. Por Jusuf Buxhovi, njëri nga themeluesit e LDK-së, e cilëson dorëheqjen e Mustafës të vonuar, shkruan Reporteri.net.
Madje bashkëpunëtori i afërt i Ibrahim Rugovës, lider historik i LDK-së, thotë se në kohën e udhëheqjes së Mustafës janë krijuar grupe mafioze në parti.
“Një dorëheqje e vonuar dhe dorëheqja nuk mjafton. Sepse ky njeri është shkaktar i rrënimit të brendshëm të LDK. Gjatë kohës së tij janë humbur gjashtë palë zgjedhjesh. Janë krijuar grupe mafioze brenda LDK-së. “, ka thënë Buxhovi për Reporteri.net.
Por, historiani thotë se LDK mund të reformohet.
“LDK mund të konsolidohet nëse i hy rrugës së reformave. LDK është partia bazë e shtetit të Kosovës dhe duhet ta kemi LDK-në si një parti të djathtë, intelektuale që i kthehet kulturës së saj demokratike“, shtoi Buxhovi.
Megjithatë, dikur bashkëpunëtori i Rugovës, nuk mendon të rikthehet aktivisht në LDK edhe pas dorëheqjes së Mustafës.
Buxhovi në një prononcim për Reporteri.net, i ka uruar fitoren VV-së.