Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e policit, i cili dëmtoi provat nga aksioni i djeshëm i Policisë në veri kundër drogës.
Sipas IPK’së, i njëjti ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai po dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Manipulim me prova”.
“Inspektorati Policor sot në orët e pasdites përmes rrugëve operative kishte pranuar informacione se ky zyrtar policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar dje operacioni i përbashkët anti-drogë i policisë dhe doganës në fshatin Izvor të Zveçanit”, thuhet në njoftim.
Policit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar sot në mbrëmje kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë . Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK;së.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është arrestuar një polic nga Njësia e Reagimit të Shpejtë në veri.
Sipas Sveçlës, i njëjti ka dëmtuar provat nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit, nga Inspektoriati Policor i Kosovës arrestohet një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë -Veri dhe dërgohet në mbajtje. Zero tolerancë ndaj krimit, posaqërisht atij brenda rradhëve të policisë! Për polici të pastër në shërbim të ligjit e qytetarëve! Për polic të ndershëm e profesional!”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka deklaruar dje se vlera e drogës së konfiskuar, është në vlerë rreth 6 milionë euro, derisa e pajisjeve 1.5 milion euro./Reporteri.net