×
  • Lajme
  • Lajme / Hulumtimi i Gazetës Reporteri

    Kabashi: Me kthimin e LDK-së në Prishtinë, janë kthyer edhe ndërtimet pa leje

    Reporteri
    06 Qershor 2024 | 20:05

    Drejtori i gazetës online Reporteri.net, Bekim Kabashi, ka reaguar për rrënimin e shtëpive pa leje pas raportimit nga gazeta Reporteri.

    Kabashi ka thënë se me kthimin e LDK-së në Komunën e Prishtinës, është kthyer edhe dukuria e ndërtimeve paleje. Sipas tij, dukej se kjo i përkiste të kaluarës.

    “Është ndërtimi i dytë pa leje që rrënohet në Prishtinë në një periudhë brenda pak ditësh. Të dy këto rrënime erdhën pas raportimit nga Reporteri.net nga gazetarja Arlinda Xh Rrmoku.

    “Rrënimin e bëri Komuna e Prishtinës, por asaj nuk duhet numëruar asnjë meritë. Përkundrazi, me kthimin e LDK-së në Komunën e Prishtinës, është kthyer edhe dukuria e ndërtimeve pa leje, dukuri që dukej se i përkiste të kaluarës”, ka shtuar ai në një postim në rrjetin social Facebook.

    Ai ka pyetur se si është e mundur që në mes të Prishtinë e afër autostradës të ndërtohet pa leje dhe Inspektorati të mos i vërejë ato, pastaj t’i rrënojë vetëm pas raportimit nga mediat.

    “Askush nuk ma hjekë dyshimin se objektet si këto që u rrënuan sot e edhe ai në lagjen Arbëria, po ndërtoheshin me dijeninë e përgjegjësve në Komunë. Kjo që ato të bëhen fakt i kryer e pastaj të trajtohen sikur shumë objekte të tjera pa leje e që janë jashtëzakonisht shumë në kryeqytet (u vjen koha e legalizohen)”, ka shkruar drejtori i Reporteri, Bekim Kabashi.

    “Andaj, Komuna e edhe LDK-ja bartin përgjegjësinë edhe për humbjet që u shkaktohen bizneseve, qofshin edhe këto që ndërtojnë ilegalisht. Institucionet e shtetit janë më shumë për të krijuar frymën e ligjshmërisë, e jo të kundërtën, që njerëzit të fillojnë të veprojnë sikur në një vend ku institucioni nuk ekziston. Ndërsa ndëshkimi të vijë vetëm pas raportimit nga media. Nëse është ndryshe, le të na tregojnë se kur dhe ku rrënuan para se për rastet e tilla të raportonin gazetarët”.

    Dymbëdhjetë shtëpitë e ndërtuara pa leje në fshatin Bardhosh të Prishtinës janë rrënuar të premten. Rrënimi i këtyre shtëpive është bërë fill të nesërmen pasi gazeta online Reporteri.net publikoi hulumtimin rreth këtij investimi ilegal në dalje të kryeqytetit.

    Hulumtimi i gazetës online Reporteri.net zbuloi se ndërtimi i shtëpive kishte nisur ani pse Komuna e Prishtinës nuk kishte lëshuar leje për ndërtimin e tyre afër kyçjes në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Ndërkaq, më 22 maj Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës kishte nisur rrënimin e objektit gjoja të përkohshëm në lagjen Arbëria në kryeqytet. Kjo vjen pas hulumtimit të publikuar nga Gazeta Online Reporteri.net në fillim të muajit maj.

    Më 10 maj, nga Komuna e Prishtinës njoftuan se pas interesimit dhe hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net, është marrë vendim që të ndalohen punimet ndërtimore në objektin në fjalë.

    Kjo pasi objekti i cili ishte pajisur me leje për ndërtim të përkohshëm, po ndërtohej me beton dhe armaturë, në mospërputhje me projektin e miratuar sa i përket llojeve të materialeve të përdorura.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!