×
  • Lajme
  • Lajme / Ushtrimet ushtarake

    Kadetët ushtarakë sfidohen në kazermat e FSK-së

    Reporteri
    15 Prill 2024 | 22:26
    Foto ilustrim

    Në Kosovë është duke u mbajtur Java Ndërkombëtarë e Kadetavë në organizim të Akademisë së Mbrotjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës e pjesëmarrës janë kadetë ushtarakë të disa prej vendeve anëtare të NATO-s.

    Si pjesë e programit, ata gjenden në kazermën “Evropianët e rinj” ku gjendet Qendra e Kërkim-Shpëtimit, ndër më të njohurat në botë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ngjitja dhe zbritja prej një kulle 80 metra e lartë ishte aktiviteti i parë i kadetëve nga Kosova, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Kandaja, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, të cilët e realizuan nën kujdesin e instruktorëve të FSK-së në Pomozotin.

    Kadetët kosovarë ishin të vetmit që ushtria e tyre nuk është pjesë e NATO-s, por kjo nuk i bënte më inferiorë.

    Bajram Geci, kapiten FSK, u shpreh: “Sistemi i edukimit në FSK, sidomos në shkollën e oficerëve që ne e kemi që është Akademia e Mbrojtjes, është 100% me kurrikula të NATO-s”.

    Akademia ushtarake e Kosovës vlerësohet që është në nivel të lartë edhe për shkak se drejtuesit janë ushtarakë të shkolluar në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe vendet e tjera perëndimore: “Kadetat tanë mësojnë në gjuhën angleze, edukohen në gjuhën angleze, është sistem amerikan dhe janë në të njëjtën faqe edhe me këto vendet që kanë ardhur. Mendoj që kemi kuadro dhe qëndrojmë goxha mirë në relacion edhe me akademitë tjera”.

    Aktiviteti ishte sfidues për kadetët, të cilët pasi ishin siguruar me pajisjet mbrojtëse, filluan me ushtrimin. Zotërimi i aftësisë për të ngjitur apo zbritur nga terrene të pjerrëta ishte shumë i rëndësishëm për ta.

    Ana Lemler, kadetë amerikane, tregon: “Kjo stërvitje është shumë e dobishme, veçanërisht në mjedise lufte ku ka shumë terren të thepisur që duhet të çojmë trupat dhe pajisjet tona lart dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme për të mësuar dhe zotëruar dhe është thjesht argëtuese të bësh në kohën e lirë”.

    Vullnet Sejdi, kadet nga Maqedonia e Veriut, theksoi: “Për ne si ushtarakë është shumë i dobishëm dhe mendojmë që do të na shërbejë në të ardhmen, kjo është një gjë shumë e mirë”.

    Të ndarë në grupe, secili prej kadetëve kishte rolet e tyre. Ndërsa të tjerë zbrisnin me litarë, dikush kujdesej poshtë për sigurinë e tjetrit.

    Elion Vokshi, kadet nga Kosova, thotë: “Roli im në këtë detyrë është t’i ofroj pjesëtarit që është duke u lëshuar nga lartësia, që në rast se ai ka ndonjë problem ose marramendje, unë ia tërheq litarin dhe ai nuk ka probleme, ia stabilizoj gjendjen”.

    Java Ndërkombëtare e Kadetëve përfshin edhe një sërë aktivitetesh të tjera e që do të mbyllet më 17 prill/A2.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!