×
  • Lajme
  • Lajme

    Kadri Veseli në Konventën solemne: Do të luftojë për ta çliruar Kosovën nga korrupsioni dhe nepotizmi

    Reporteri
    17 Qershor 2019 | 21:05

    Kryetari i rizgjedhur i PDK-së, Kadr Veseli në Konventën solemne të partisë të mbajtur të hënën mbrëma  ka thënë se PDK  nga procesi i saj zgjedhor ka dalë edhe më e organizuar edhe më e mirë dhe si e tillë do të jetë mbështetja më e madhe e qytetarëve.


    Ai ka thënë se do t’i shpallë luftë të pakompromis korrupsionit dhe dukurive negative.

    “Ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia do të luftojmë së bashku për ta çliruar Kosovën nga korrupsioni dhe nepotizmi”, ka deklaruar Veseli, shkruan Reporteri.net.

    Veseli tha se Qeveria e ardhshme e udhëhequr nga ai, do të jetë Qeveri e vogël, që u siguron qytetarëve mundësi të mëdha.

    “ Në zgjedhjet e ardhshme do ta kemi pushtetin e nevojshëm dhe do ta udhëheqim qeverinë dhe atëherë mund ta zbatojmë Dekadën e Re. Më pak pushtet për Qeverinë. Më shumë pushtet për qytetarët. Po flas për një ekonomi të lirë të tregut, të bazuar në ndërmarrësi, konkurrencë dhe sundim të ligjit. Por, për ta arritur këtë, ka një kusht: ta luftojmë korrupsionin dhe ta forcojmë sundimin e ligjit. Sepse, kudo që ka korrupsion dhe nepotizëm, nuk ka shanse të barabarta, nuk ka konkurrencë të drejtë. E shanset e barabarta dhe konkurrenca fer janë themeli i një ekonomie të suksesshme dhe i një shoqërie moderne. Ky është misioni ynë në Dekadën e Re. Ne do ta bëjmë këtë”, tha Veseli në Konventën solemne të PDK-së.

    Ai ka paralajmëruar ndryshime të mëdha.

    “Po na presin vendime të rëndësishme dhe reforma. Shume shpejt do të shihni ndryshime të mëdha dhe hapa të rëndësishëm, do ta çojmë përpara partine drejt një etape të re”, deklaroi ai.

    Ai ka thënë PDK ka bërë shumë ndryshime në Kosovë me përkushtim dhe dashuri për vendin, megjithatë ka pranuar se kjo ka bërë edhe gabime.

    “PDK nuk është e pagabueshme dhe për fat të keq disa njerëz që kanë abuzuar me pushtetin na kanë dëmtuar dhe kjo do të marrë fund. Nën udhëheqjen time të korruptuarit nuk do kenë vend në partinë tonë”, ka deklaruar Veseli. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!