×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kapi shtetin dhe varfëroi popullin”, “institucionet janë mbushur me familjarë”, kritikat e opozitës për kryeministrin Kurti

    Reporteri
    08 Prill 2023 | 16:03

    Opozita kosovare ka kritikuar dje kryeministrin Albin Kurti në debatin që u mbajt për punën dyvjeçare të Qeverisë.

    Opozitarët e kanë kritikuar Kurtin për nepotizëm, shkaktim të krizave, varfërim të popullit dhe se ka ardhur në pushtet përmes rrugës së refuzimit, propagandës dhe akuzave, shkruan Reporteri.net.

    Deputeti i LDK-së, Agim Veliu ka kritikuar qeverinë e Albin Kurtit në dy vjetorin e qeverisjes duke thënë se e vetmja gjë që kanë bërë është shkaktimi i krizave dhe varfërimi i popullit.

    Veliu në fjalën e tij në Kuvend theksoi se Kurti erdhi në pushtet me moton “ç’kapja e shtetit për ta kapur vet më fort”.

    “Albin çove shumë pluhur e tym që besa shkaktove edhe gjakderdhje deri sa erdhe në pushtet nga një shpëtimtar i vetproklamuar shpejt u bëre shkatërrimtar për çka ishte dëshmuar për shumë vite, deri sa u ule ku i përgjake edhe rrugët, jo me gjakun tënd por atyre që të besuan verbërisht. Derisa bëje politikën e rrugës sulmoje institucione, policinë dhe këdo që të doli përpara. kur hyre në parlament kolegët deputetë deshe t’i verbosh me gaz lotsjellës, i bëre të gjitha për të ardhur në pushtet”, tha deputeti i LDK-së, Veliu, përcjell Reporteri.net.

    “Erdhe në pushtet me moton ç’kapja e shtetit për ta kapur vet më fort. Kape borde e institucione e institucionesh publike me burra e gra, motra e vëllezër e baxhanakë, ministrash e deputetë, dajë e teze për të cilët në fushat thoshe se janë për dasma”, theksoi Veliu.

    “Erdhe me premtime të mëdha për ta ç’kapur shtetin shite shumë patriotizëm, nuk dua t’i prmend as t merrem me premtimet e kryemashtruesit Kurti, që me kauza të rreme kapi fronin, për dy vjet në krye të qeverisë, e vetmja gjë që bëre shkaktimi i krizave dhe varfërimi i popullit”, përfundoi Veliu.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se Albin Kurti si kryeministër, luftën më të ashpër e ka zhvilluar me Albin Kurtin e para dy vitesh.

    Ajo tha se dëshiron të kujtojë se si ka ardhur Albin Kurti në pushtet, duke u shprehur se ajo rrugë ishte rruga e refuzimit, e propagandës dhe e akuzave.

    “Për këtë periudhë dyvjeçare, Albin Kurti si kryeministër, luftën më të ashpër e ka zhvilluar me Albin Kurtin e para dy vitesh. Le të kujtojmë njëherë që rruga përmes së cilës Albin Kurti erdhi në pushtet, ishte rruga e refuzimit, e propagandës dhe e akuzave”.

    “Ishte rruga e cilësimit të politikbërjes së rruga e tradhëtisë kombëtare, ishte rruga e demonstratave që u printe Albin Kurti e në të cilat u vranë qytetarë të këtij vendi, të cilët i besonin propagandës së tij. Ishte rruga e cila burgosi të rinj e të reja, rruga që ofendoi e plagosi polic të Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.

    Ajo u shpreh se Kurti dikur shtetin e Kosovës e shihte thjeshtë si një koloni funksionale.

    “Për të folur për të gjithë përrallat e Albinit, duhet shumë kohë që sot nuk e kam në dispozicion, por nuk kam se si të mos e përmend perlën e Albinit, atë qërshin që ai e përpiu me gjithë bërthamë, shtetin e Kosovës, që dikur e shihte thjeshtë si një koloni funksionale që nuk e pranonte si realitet dhe nuk e respektonte asnjë nga simbolet e tij”, u shpreh tutje ai.

    Kurse, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për nepotizëm, duke thënë se në dy vjet qeverisje nuk është bërë asgjë në Kosovë.

    Bajrami ka deklaruar se me këtë qeveri në krye nuk ka as projekte, as investime, e as transparencë dhe institucione jofunksionale.

    Sipas saj, premtimet që i ka dhënë kryeministri Albin Kurti, në qeverisje nuk i ka përmbushur, dhe se institucionet janë mbushur me familjarë.

    “Asnjë punë, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë rrugë, asnjë shkollë, zero transparencë, institucione vakante jofunksionale, ky është bilanci i qeverisë Kurti. Keni ardhur në pushtet me premtime të mëdha. Krejt politika juaj ekonomike është reduktuar në lëmoshë. Për transparencë të mos flasim, dy vite qeverisje asnjë listë e publikuar”, ka thënë ajo.

    Sipas Bajramit, Kurti në kohën kur ka qenë në opozitë kishte premtuar se nuk do të paguaj energji elektrike për serbët e veriut, por sipas saj as këtë premtim nuk e ka mbajtur dhe për dy vite ka paguar plot 98 milion euro.

    “Kurti në opozitë ka premtuar se nuk do të paguaj energji elektrike për serbët e veriut por për dy vite ka paguar plot 98 milionë euro. Çka ndodhi ku mbeten premtime ku mbetën ndryshimet? Ku është banka zhvillimore e fondi sovran? Kemi rënie të prodhimit vendor dhe rënie të konsumit. Është rritur tatimi në pronë, punësim ka në Gjermani por në Kosovë nuk ka. Krejt çka keni bërë në drejtësi i shohim me rastin e Martin Berishajt. Kryeministri thoshte se familjarët janë për dasma, sot dasmat lirisht mund t’i bëni në institucione se krejt familjarët i keni aty. Besoj që duhet të ju vij turp për votat që i keni marrë, për këto dy vjet nuk e keni pasur asnjë pengesë të vetme për realizimin e programit tuaj qeverisës”, ka thënë Bajrami. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!