×
  • Lajme
  • Lajme

    Katër ditë deri në përfundim të afatit, vetëm 20 serbë i kanë pranuar targat RKS

    Reporteri
    27 Tetor 2022 | 9:37

    Vetëm 20 qytetarë serbë të Kosovës  i kanë pranuar targat e Republikës së Kosovës, duke i hequr ato ilegale, kur kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri në përfundim të afatit, shkruan Reporteri.net.

    Nga Ministria e Brendshme u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të vazhdojnë t’i përgjigjen thirrjes për të regjistruar veturat e tyre, pa marrë parasysh vendbanimin, duke përfituar kështu nga lirimet tatimore e doganore, të cilat arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro.

    “Regjistrimi i veturave ka vazhduar edhe sot. Gjithsej 20 vetura i kanë konvertuar targat ilegale në targa RKS, prej të cilave 5 vetëm në 3 ditët e fundit. Interesimi i qytetarëve asnjëherë nuk ka munguar, që nga dita e parë. Së fundmi, edhe një tjetër qytetar, banor i komunave në veri, ka bërë regjistrimin e veturës së tij. Të gjitha Qendrat e Regjistrimit Civil janë në dispozicion andaj ftojmë qytetarët që të vazhdojnë t’i përgjigjen thirrjes për të regjistruar veturat e tyre, pa marrë parasysh vendbanimin duke përfituar kështu nga lirimet tatimore e doganore të cilat arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro”, ka shkruar Këshilltarja e ministrit të Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.

    Mëngjesin e sotëm u raportua se një veturë e një qytetari serb në Leposaviq që gjatë ditës së djeshme kishte konvertuar targat në RKS, ishte djegur gjatë natës.

    Portali Kossev nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, raportoi se kjo veturë është në pronësi të një serbi që gjatë ditës së djeshme ishte regjistruar me targat RKS

    Sipas informacioneve paraprake, makinës i është vënë flaka qëllimisht. Një rast i ngjashëm ndodhi edhe gjatë ditës së djeshme në Leposaviq.

    Kryeministri Kurti ka thënë dje se fushata negative nga Beogradi dhe aktet e dhunës ndaj disa personave që kanë konvertuar targat, ka bërë që shumë serbë të Kosovës të frikësohen t’i konvertojnë ato.

    “Është fushata negative që e ka burimin në Beograd por edhe aktet e dhunës ndaj disa personave që i kanë konvertuar targat.

    Këto akte të dhunës kanë ndikuar që këta serbë në vend se ti konvertojnë targat në RKS por në ato të Serbisë, sepse po frikësohen prej disa prej kriminelëve në veri, që siç kemi parë kanë djegur edhe vetura. Kjo kampanjë negative dhe dhuna ndaj serbëve janë të papranueshme për Qeverinë e Kosovë, dhe do të jenë të patolerueshme dhe sigurisht më parë herët sesa vonë”, u shpreh Kurti para mediave.

    Kujtojmë se SHBA dhe BE-ja kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës shtyerje të afatit të targave edhe për 10 muaj. Kryeministri Kurti deri më tani nuk ka dhënë sinjale se kjo do të ndodhë./Reporteri.net

    Çështja e targave, a është përfundimtar refuzimi i Kurtit

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!