Katër shtetas shqiptarë janë evakuuar së fundmi nga territori i Izraelit, dy përmes Jordanisë dhe dy përmes Egjiptit.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, qytetarët ndodheshin në zonën e konfliktit për arsye profesionale dhe familjare.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, falënderoi autoritetet izraelite, jordaneze dhe egjiptiane, si dhe Ambasadën Austriake në Tel Aviv, për bashkëpunimin në këtë proces. Sipas tij, koordinimi i ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro ka mundësuar largimin e sigurt të shtetasve shqiptarë nga territori izraelit.
“Vijojmë të ndjekim me përparësi çdo rast të qytetarëve shqiptarë të prekur, të cilët kërkojnë asistencë nga institucionet tona,” shkroi Hasani në rrjetet sociale.