Instituti Kosovar për Demokraci (KDI) ka reaguar pas arrestimeve të sotme, duke thënë se arrestimet e personave të dyshuar për përfshirje në keqpërdorime me rezervat shtetërore, të menaxhuara nga MINT, janë tregues i pranisë së korrupsionit të nivelit të lartë.
Ky institut ka bërë thirrje për hetime të menjëhershme në këtë aferë, dhe të njëjtit kanë kërkuar lirimin nga detyra të Ministres Rozeta Hajdari, transmeton Reporteri.net.
“Jemi dëshmitarë se në Kosovë, rastet e korrupsionit të profilit të lartë shpeshherë kanë përfunduar pa aktgjykime dënuese, për shkak të mangësive në fazën hetimore – që për pasojë kanë prodhuar aktakuza jokualitative. Prandaj, KDI e sheh si të domosdoshëm zhvillimin e një procesi sa më të detajuar dhe gjithëpërfshirës të hetimeve, në mënyrë që personat potencialisht përgjegjës të ballafaqohen me drejtësinë”, thuhet në deklaratë.
Reagimi i plotë:
“Arrestimet e sotme të personave të dyshuar për përfshirje në keqpërdorime me rezervat shtetërore, të menaxhuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë tregues i pranisë së korrupsionit të nivelit të lartë edhe në sferat më të ndjeshme, që kanë ndikim social të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Për më tepër, raste të tilla minojnë besimin e publikut në institucione.
Jemi dëshmitarë se në Kosovë, rastet e korrupsionit të profilit të lartë shpeshherë kanë përfunduar pa aktgjykime dënuese, për shkak të mangësive në fazën hetimore – që për pasojë kanë prodhuar aktakuza jokualitative. Prandaj, KDI e sheh si të domosdoshëm zhvillimin e një procesi sa më të detajuar dhe gjithëpërfshirës të hetimeve, në mënyrë që personat potencialisht përgjegjës të ballafaqohen me drejtësinë.
Duke ditur ndjeshmërinë e rastit dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë ministror, KDI vlerëson se është i nevojshëm edhe lirimi nga detyra i ministres Rozeta Hajdari, për të mundësuar një proces penal efektiv e të pandikuar politikisht. Njëherit, KDI kërkon nga të gjithë akterët, e në veçanti zyrtarët në pushtet, që të rezervohen nga çfarëdo deklarimi apo përfshirje që mund t’a ndikojë procesin e hetimit dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.