Këta janë 10 policët që u arrestuan në aksionin anti-bixhoz në Karaçevë

Në mesin e 33 personave të arrestuar në aksionin sotëm të Policisë së Kosovës në Karaçevë, si të dyshuar për krim të organizuar dhe ushtrim të veprimtarive tjera të paligjshme, janë edhe 10 policë.


Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka mësuar se përveç në Karaçevë, aksioni është shtrirë edhe në fshatrat Muçiverc e Hodonovc të Kamenicës të cilët po ashtu janë në afërsi të zonës kufitare me Serbinë.

Reporteri.net ka siguruar edhe emrat e policëve të arrestuar në këtë aksion të madh të Policisë së Kosovës.

Mësohet se policët e arrestuar janë nga Policia kufitare.

Reporteri.net do t’i publikojë vetëm inicialet e tyre.

Policët e arrestuar janë:

A.K. – Komuna e Kamenicës
Z.A. Serb – Komuna e Kamenicës
H.K. – Hogosht/Kamenicë
F.K. – Muçivërrcë/Kamenicë
S.K. – Muçivërrcë/Kamenicë
S.N. – Serb – Komuna e Kamenicës
I.S. – Muçivërrcë/Kamenicë
S.K. – Komuna e Kamenicës
F.Z. – Komuna e Kamenicës
S.M. – Serb – Komuna e Kamenicës
R.Th. – Muçivërrcë/Kamenicë
F.L. – Komuna e Kamenicës

Nërkohë detaje për aksionin ka dhënë edhe Policia e Kosovës. Sipas tyre tridhjetë e tre persona janë arrestuar në aksionin të Policisë së Kosovës në Karaçevë të Kamenicës, 10 prej të cilëvë janë policë, shkruan Reporteri.net.

Kështu është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate të përbashkët nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës.

“Deri në lëshimin e kësaj komunikate, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale”, thuhet në komunikate.

Thuhet se operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.

“Ky operacion, i cili është operacioni më i madh i llojit të tij në Republikën e Kosovës, është një shembull i bashkëpunimit ndërmjet prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor. Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin, ku për detaje dhe informacione shtesë do të vazhdojmë të ju mbajmë të informuar pas operacionit të përbashkët”, thuhet në komunikatë.

Pas përfundimit të aksionit nga Policia, ka nisur edhe rrënimi i objekteve të Kazinove.