KEDS: Kosova në krizë energjetike

Kriza energjetike tash e më shumë se një muaj ka prekur edhe Kosovën.

Tregu energjetik evropian pjesë e të cilit është edhe Kosova, po përballet me çmime pesëfish më të shtrenjta në raport me vitin e kaluar. Këto çmime marramendëse e që shkojnë mbi 300 euro për MWh po i paguajnë kompanitë KEDS dhe KESCO, pa përfshirë edhe çmimet për kapacitetet ndërkufitare e të cilat ndikojnë tutje në çmimin fundor të energjisë së importuar.

Përmes një komunikate për media nga KEDS, thuhet se megjithëse të përballura me kosto përtej atyre të lejuara, KEDS dhe KESCO po e mbajnë mbi supe barrën financiare dhe po bëjnë më të mirën që konsumatorët të furnizohen me energji elektrike edhe në këtë kohë krizash.

“Por, mundësitë tona financiare janë shterë deri në fund si pasojë e përballjes me çmime të larta. Në këtë situatë të rëndë energjetike, KEDS dhe KESCO, ashtu sikurse edhe kompanitë e sektorit të energjisë së shteteve evropiane, kërkojnë ndihmën e të gjithë akterëve të sektorit energjetik dhe institucioneve relevante, në mënyrë që këtë rrugë të rënduar mos ta bëjnë të vetme dhe që kjo situatë të afektojë sa më pak që është e mundur konsumatorët në këtë kohë, por edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Thuhet tutje se tani kur po hyjmë në sezonin e dimrit,  jemi dëshmitar të një trendi të rritjes së konsumit, që kryesisht ndodh pasi pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit po ngrohen me energji elektrike. Megjithëse kapacitetet prodhuese në vend kanë shënuar rritje viteve të fundit, kjo rritje nuk është lineare me rritjen e kërkesës për konsumin e energjisë elektrike, dhe respektivisht kjo diferencë e madhe sidomos gjatë kohës së pikut, duhet të mbulohet përmes importit.

“Varshmëria ndaj importit na ekspozon ndaj lëvizjes së çmimeve të importit në tregjet ndërkombëtare, e çmimet në tregjet ndërkombëtare aktualisht janë të papërballueshme. Kostot e importit si të tilla nuk janë paraparë gjatë shqyrtimit të fundit tarifor, prandaj, nevoja për mbështetje financiare për sektorin e energjisë është e domosdoshme dhe imediate. Kriza më së lehti tejkalohet me bashkimin e forcave, dhe ne si kompani jemi të hapur për bashkëpunim dhe në gjetjen e një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë”, përfundon komunikata.