Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, do të dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin aktakuzës për “keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar”.
Seanca fillestare ndaj tij ishte paraparë të mbahej më 19 shtator, por nisja e shqyrtimit fillestar ndaj Krasniqit kishte dështuar dhe ishte shtyrë për sot.
Seanca nis në orën 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kjo është seanca e parë e Krasniqit, që akuzohet se i ka shkaktuar KEK-ut humbje prej 3.2 milionë eurove.
Ish-Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale në gusht të këtij viti. Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK’un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Aty thuhet se Krasniqi dyshohet se i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa pasur e njëjta licencë.
Keqpërdorimin e detyrës dyshohet se ai e kishte filluar ende pa i bërë dy javë nga marrja e detyrës së Kryeshefit. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë me 4 tetor 2021.
Nga veprimet e Krasniqit thuhet se KEK është dëmtuar për mbi 3 milionë e 230 mijë euro. /Reporteri.net/
Dosja e Prokurorisë ndaj Nagip Krasniqit, thuhet se e dëmtoi KEK-un rreth 3 milionë euro