Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas pamjeve të publikuara në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë ku shihet një edukatore duke e tërhequr zvarrë një fëmijë.
Nagavci tha se pamjet e publikuara janë thellësisht shqetësuese teksa tha se e dënon dhunën e ushtruar ndaj të miturit në këtë institucion parashkollor.
“Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar”.
“Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar”, tha Nagavci në një reagim në Facebook.
Ajo bëri të ditur se Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojnë raportin, do të ndërmerren masat e menjëhershme.
“MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, shkroi Nagavci.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në koordinim me Prokurorinë dhe Qendrën për Punë Sociale, janë duke e trajtuar rastin e 3-vjeçarit, i cili dyshohet se është keqtrajtuar në kopshtin “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë nga edukatoret e këtij institucioni.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për Reporteri.net ka thënë se nuk mund të japë detaje të tjera deri në përfundimin e fazës fillestare të hetimit.
“Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast. Për detaje mbesim në kontakt pasi të përfundon faza fillestare e hetimit”, ka thënë ajo. /Reporteri.net/