Në seancën e parë për rastin e sulmit në Banjskë – që po mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës – avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë nga sulmi, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
Në fillim të seancës, të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale. Tolliq dhe Spasojeviq kishin refuzuar të deklarohen për fajësinë në seancën përgatitore të 9 tetorit të vitit të kaluar.
Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.
Për 42 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, është kërkuar gjykim në mungesë. Për ta u lëshua letër-rrestim ndërkombëtar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me qëllim për ta siguruar prezencën e tyre.
Në rastet e gjykimit në mungesë, që janë mundësuar në Kosovë me ndryshimet ligjore të vitit 2022, kërkohet që të shterohen të gjitha opsionet për ta siguruar prezencën e të akuzuarve. Në rastet e tjera të këtij lloji, Kosova u ka kërkuar autoriteteve në Serbi t’ua dërgojnë ftesën për marrje në pyetje të akuzuarve dhe rasti i gjykimit ka vazhduar vetëm pasi nuk është marrë përgjigje nga të akuzuarit.
Në seancën e sotshme, pas deklarimit për fajësinë nga të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.
Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronë në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.
Për Tolliqin, i cili ishte gjetur i plagosur, u tha se ishte kapur me armë ushatarake, ndërsa për Spasojeviqin dhe Maksimoviqin u treguan fotografi me të akuzuar të tjerë të këtij rasti.
Si avokati i familjes së Bunjakut, Koci, ashtu edhe përfaqësuesit e të dëmtuarve Alban Rashiti dhe Sedar Dushi thanë se mbështesin fjalën hyrëse të prokurorit.
Në fjalën hyrëse, të akuzuarit Spasojeviq dhe Tolliq thanë se nuk e kanë sulmuar apo vrarë askënd. Spasojeviq tha se nuk ka synuar bashkimin e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, me Serbinë, ndërsa Tolliq tha se ai ka qenë në Banjskë më 24 shtator por për arsye tjetër nga ajo që thuhet në aktakuzë.
Avokatët e të dyve – Lubomir Pantoviq që mbron Spasojeviqin dhe Millosh Deleviq që mbron Toliqin – thanë se aktakuza nuk i plotëson kriteret e Kodit të Procedurës Penale.
Ata pretenduan se aktakuza nuk përshkruan veprimet individuale të Spasojeviqit dhe Toliqit, por vetëm përshkruan në mënyrë të përgjithshme ngjarjen, pa treguar rolin që të akuzuarit kanë luajtur./REL