Kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i Donika Gërvallës, i numërohen deklaratat kundër krerëve të UÇK-së

Deklaratat e dikurshme të ministres së Punëve të Jashtme, njëherësh zëvendëskryeministre e Kosovës, Donika Gërvalla kundër themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Gjykatës Speciale, kanë ngjallur debat të ashpër në Kosovë.


Dorëheqja ose shkarkimi i saj nga kryeministri Albin Kurti kanë qenë kërkesat kryesore gjatë ditës së sotme.

Analisti Fitim Salihu duke i komentuar deklaratat e ministres Gërvalla, ka thënë se ajo duhet të shkarkohet ose të jap dorëheqje.

“Ajo ose duhet të shkarkohet ose të jap dorëheqje. Nëse z.Kurti nuk e shkarkon, atëherë nënkuptohet se ai pajtohet më këto cilësime përfshirë edhe ato se Rexhep Selimi është figurë e botës së krimit”, ka vlerësuar Salihu për Reporteri.net.

Salihu i ka quajtur skandaloze e budallallëk deklaratat e ministres së Kurtit.

“Është skandaloze. Tash që u hap kjo temë, i dolën edhe tri katër deklarata të tjera. Si ministre e Jashtme mendon se vëllezërit Haradinaj janë vrasës e kriminel, se Rexhep Selimi është figurë e botës së krimit, se VV ka partnerë ish-bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviçit. Dhe kur i shtohet ajo se premton se do të deponoj dëshmi në Gjykatën Speciale kundër Thaçit e Veselit, atëherë është skandaloze sepse nuk jemi duke fol për budallëllëkun e një qytetari, por të një ministreje. Gërvalla është ministre e Punëve të Jashtme. Fjala e ministres së Jashtme është fjali e shtetit. Nuk ka fol thjeshtë Donika Gërvalla, por ministrja e Jashtme dhe ajo duhet të mbaj përgjegjësi për fjalën e thënë në public”, ka shtuar Salihu.

Gazeta Online “Reporteri.net” lidhur me deklaratat e Gërvallës ka kontaktuar edhe  me sekretarin e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare, Faton Klinaku.

Klinaku thotë se Gërvalla e ka obligim të tregojë nëse ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së, dhe nëse po, në çfarë cilësie.

“Ajo duhet të tregojë nëse ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale dhe nëse po, në çfarë cilësie. Nuk ka nevojë me dërgu se Specialja ka mjaft dosje prej prokurorisë serbe”, ka thënë Klinaku për Reporterin.

Ai ka thënë se do të kërkojnë nga institucionet të veprojnë lidhur me Specialen, pasi thotë se kësaj gjykate i ka skaduar mandati.

“Ne do të kërkojmë nga institucionet të bëjnë diçka me Specialen, ata mund të ndryshojnë ligjin, kësaj gjykate që ne nuk e njohim i ka skaduar mandati”, ka thënë ai.

Ministrja Gërvalla kohë më parë kishte thënë se do të ndihmonte me materiale sapo të formohej Gjykata Speciale kundër, siç thoshte ajo, kokave të organizatës kriminale Hashim Thaci dhe Kadri Veseli.

“Brenda mundësive që kam patjetër që do të kërkoj materiale në Speciale. Po kam material. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaci që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaci. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla në Dukagjin.

Ajo kishte akuza të rënda ndaj Ramush dhe Daut Haradinajt.

Donika Gërvalla, përmes një postimi kishte pyetur Daut Haradinajn, se si e kujton Rexhë Osajn, ushtarin e vrarë të Ibrahim Rugovës, duke e quajtur edhe vrasës Dautin.

Krejt kjo kishte ardhur pasi Daut Haradinaj, përmes një videospoti e kishte kujtuar Presidentin Rugova.

“Po Rexhë Osajn, ushtarin e Presidentit Rugova, si e kujton ky vrasës. Edhe atë me shumë dhimbje? Zgjedhjet në Kosovë e marrin kuptimin e plotë vetëm atëherë kur ligji ia ndalon kandidimin gjithkujt që është i dënuar për një vepër të konsiderueshme penale, e aq më tepër dikujt që është i dënuar për vrasje. Gjithçka tjetër është thjesht farsë”, ka shkruar Gërvalla.

Mendoj që Beogradi më konsideron kriminel, por zonja Gërvalla ka gabuar, kishte thënë Daut Haradinaj.

Sipas saj, Haradinaj është kriminel ordiner që bëri pazare me ato toka “si t’ua kishte falë baba”.

“Votën time s’e ke marrë kurrë dhe s’e merr sa t’jetë jeta, por ata që ta kanë dhënë, sot e panë se çka i ndodh një vendi e një shoqërie, kur në krye të qeverisë e ka një kriminel ordiner si ti. Pis bre!”, kishte shkruar më tej ajo në Facebook.

Kujtojmë që ministrja e Punëve të Jashtme njëherësh, Donika Gërvalla, kohë më parë villte vrer ndaj partisë e cila ia dha ‘pushtetin’ tashmë.

Vetëm me një kërkim të thjeshtë në profilin e saj në Facebook, të dalin shumë shkrime kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe njerëzve që janë pjesë e kësaj partie.

Përveç liderit të VV-së Albin Kurtit, që i është lakuar emri shumë herë nëpër postimet e Gërvalles, një vend të veçantë e ka zënë edhe ish-deputeti i kësaj partie Rexhep Selimi.

Në dy raste gjatë vitit të kaluar, ajo e cilësonte ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin si kriminel.

“Figurë e diskredituar e botës së krimit” ishte epiteti që Gërvalla ia kishte dhënë Selimit qysh më 25 mars të vitit të kaluar, kur po rrëzohej Qeveria Kurti I.

“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, shkruante fillimisht Gërvalla më 7 shkurt, katër ditë pas formimit të Qeverisë Kurti I.

Derisa për Albin Kurtin, kishte thënë se është duke ua mbushur mendjen qytetarëve se kinse nuk ka ekzistuar FARK-u.

“Por nëse koalicioni Hashim Thaçi – Jakup Krasniqi – Albin Kurti – Daut Haradinaj dhe personazhe të tjera me “shumë kredibilitet” (si p.sh. Xhavit Haliti dhe Azem Syla me shokë) përpiqet të na mbushë mendjen se nuk paska ekzistuar FARK-u dhe se Shtabi i Përgjithshëm jo vetëm e paska organizuar luftën çlirimtare, por edhe na e paska sjellë lirinë, atëherë kjo nuk do të ishte gënjeshtra e parë as e fundit e kulluar e tyre”, kishte shkruar ajo në një shkrim të vitit 2014.

Donika Gërvalla, për Kurtin, kishte thënë se po iu bënë shërbim ekstremistëve serbë.

“Ekstremistët shqiptarë dhe serb gjithnjë kanë ditur të bashkëpunojnë mirë dhe ngushtë mes vete. Me këtë strategji, Albin Kurti me apo pa dashje, po iu bën shërbim ekstremistëve serb duke lejuar të dominojë dhuna në vend të aksioneve demokratike”, thuhej në një shkrim të Gërvallës, në vitin 2015.

Dy vite më vonë, ajo po ashtu në një shkrim në Facebook, kishte ‘përqeshur’ Vetëvendosjen se si po u tregon shqiptarëve të Kosovës në Gjermani se për kë të votojnë.

Ajo në këtë shkrim ishte kujdesur t’i lajmërojë bashkatdhetarët që të votojnë për kë të donë, por jo partnerin e VV-së në Gjermani, që është partia e majtë “Die Linke”. Sipas saj ata janë miqtë e vetëm të Putinit dhe të Vuçiqit në Gjermani.

“Të dashur shqiptarë me të drejtë vote në Gjermani. Votoni kë t’jau marrë mendja, por kujdes, mos votoni partnerin e VV-së në Gjermani, partinë e majtë “Die Linke”. Janë miqtë e vetëm të Putinit dhe të Vuçiqit në Gjermani, kundërshtarët më të mëdhenj të angazhimit për Kosovën në këtë vend demokratik dhe të përparuar”, kishte shkruar Gërvalla në vitin 2017-të.

Kujtojmë se pak minuta më parë, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se asnjëherë nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për gjithë viktimat në Kosovë.

Këtë deklaratë ajo e dha pas reagimeve ku thuhet se Gërvalla ka thënë se do të dërgojë materiale në Speciale sapo të formohet kjo gjykatë.

Në një postim në ‘Facebook”, ajo tha se heshtja nuk e nderon askënd, teksa tha se vetëm me guxim dhe me punë, Kosovës mund t’i kthehet faqja e bardhë.

“Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh”, ka shkruar ajo.