×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga “figurë e botës së krimit” deri te “Kurti iu bënë shërbim ekstremistëve serbë” – Shkrimet e Donika Gërvallës para se të ishte me VV-në

    Reporteri
    04 Maj 2021 | 17:24

    Ministrja e Punëve të Jashtme njëherësh edhe z-.kryeministre e Kosovës, Donika Gërvalla, kohë më parë villte vrer ndaj partisë e cila ia dha ‘pushtetin’ tashmë.


    Vetëm me një kërkim të thjeshtë në profilin e saj në Facebook, të dalin shumë shkrime kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe njerëzve që janë pjesë e kësaj partie.

    Përveç liderit të VV-së Albin Kurtit, që i është lakuar emri shumë herë nëpër postimet e Gërvalles, një vend të veçantë e ka zënë edhe ish-deputeti i kësaj partie Rexhep Selimi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në dy raste gjatë vitit të kaluar, ajo e cilësonte ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin si kriminel.

    “Figurë e diskredituar e botës së krimit” ishte epiteti që Gërvalla ia kishte dhënë Selimit qysh më 25 mars të vitit të kaluar, kur po rrëzohej Qeveria Kurti I.

    “Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, shkruante fillimisht Gërvalla më 7 shkurt, katër ditë pas formimit të Qeverisë Kurti I.

    Derisa për Albin Kurtin, kishte thënë se është duke ua mbushur mendjen qytetarëve se kinse nuk ka ekzistuar FARK-u.

    “Por nëse koalicioni Hashim Thaçi – Jakup Krasniqi – Albin Kurti – Daut Haradinaj dhe personazhe të tjera me “shumë kredibilitet” (si p.sh. Xhavit Haliti dhe Azem Syla me shokë) përpiqet të na mbushë mendjen se nuk paska ekzistuar FARK-u dhe se Shtabi i Përgjithshëm jo vetëm e paska organizuar luftën çlirimtare, por edhe na e paska sjellë lirinë, atëherë kjo nuk do të ishte gënjeshtra e parë as e fundit e kulluar e tyre”, kishte shkruar ajo në një shkrim të vitit 2014.

    Donika Gërvalla, për Kurtin, kishte thënë se po iu bënë shërbim ekstremistëve serbë.

    “Ekstremistët shqiptarë dhe serb gjithnjë kanë ditur të bashkëpunojnë mirë dhe ngushtë mes vete. Me këtë strategji, Albin Kurti me apo pa dashje, po iu bën shërbim ekstremistëve serb duke lejuar të dominojë dhuna në vend të aksioneve demokratike”, thuhej në një shkrim të Gërvallës, në vitin 2015.

    Dy vite më vonë, ajo po ashtu në një shkrim në Facebook, kishte ‘përqeshur’ Vetëvendosjen se si po u tregon shqiptarëve të Kosovës në Gjermani se për kë të votojnë.

    Ajo në këtë shkrim ishte kujdesur t’i lajmërojë bashkatdhetarët që të votojnë për kë të donë, por jo partnerin e VV-së në Gjermani, që është partia e majtë “Die Linke”. Sipas saj ata janë miqtë e vetëm të Putinit dhe të Vuçiqit në Gjermani.

    “Të dashur shqiptarë me të drejtë vote në Gjermani. Votoni kë t’jau marrë mendja, por kujdes, mos votoni partnerin e VV-së në Gjermani, partinë e majtë “Die Linke”. Janë miqtë e vetëm të Putinit dhe të Vuçiqit në Gjermani, kundërshtarët më të mëdhenj të angazhimit për Kosovën në këtë vend demokratik dhe të përparuar”, kishte shkruar Gërvalla në vitin 2017-të.

    Kujtojmë se pak minuta më parë, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se asnjëherë nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për gjithë viktimat në Kosovë.

    Këtë deklaratë ajo e dha pas reagimeve ku thuhet se Gërvalla ka thënë se do të dërgojë materiale në Speciale sapo të formohet kjo gjykatë.

    Në një postim në ‘Facebook”, ajo tha se heshtja nuk e nderon askënd, teksa tha se vetëm me guxim dhe me punë, Kosovës mund t’i kthehet faqja e bardhë.

    “Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh”, ka shkruar ajo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!