×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Nata e pestë
    INSTANT

    Kërkohet nga Qeveria të fuqizojë mbështetjen financiare për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 21:38

    Edhe në natën e pestë të protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, janë mbledhur qindra qytetarë kundër vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

    Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rrisë mbështetjen financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në proceset gjyqësore në Hagë.

    “Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të fuqizojë mbështetjen financiare për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së”, ka deklaruar Haziri para protestuesve.

     

    Ledri Vula për ish-krerët e UÇK-së: Këta njerëz të mëdhenj kanë luftu, e padrejtësisht janë dënu

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 22:07

    eperi Ledri Vula, ka marrë pjesë në protestën e mbajtur në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas vendimit të marrë ndaj tyre në Hagë.

    Para protestuesve, Vula ka shprehur mirënjohjen e tij për ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se ata kanë luftuar për vendin dhe siç u shpreh, janë dënuar padrejtësisht.

    “Një falënderim për luftën që e kanë bërë këta njerëz të mëdhenj, që sot padrejtësisht janë dënuar”, ka thënë Vula.

    Dita e pestë: Qytetarë të shumtë mblidhen në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 20:32

    Me shpalosjen e një flamuri të madh kombëtar që mban emblemën e UÇK-së ka nisur nata e pestë e protestave në sheshet e Prishtinës.

    Protestuesit edhe sonte si netëve tjera kanë mbajtur në duar pankartat me mbishkrime “Jo në emrin tim”, “S’ka paqe pa drejtësi” e “Liria ka emër”.

    Gjithashtu në protestë shihet një numër i madh i zyrtarëve policorë.

    Protestat po mbahen nga data 16 shtator, kur edhe u dha vendimi dënues për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veseli e Rexhep Selimin, të cilët u dënuan për krime të luftës nga Gjykata Speciale.

    Paraqitja e tyre vjen në vazhdën e artistëve dhe figurave publike që ditët e fundit janë bërë pjesë e protestave dhe aktiviteteve në mbështetje të çlirimtarëve.

    Sipas skenarit të protestës, Ledri Vula do të ketë një fjalim para qytetarëve, ndërsa Bekim Shyti do të paraqitet në program edhe me “Betimin e ushtarit”, si dhe me një fjalim të veçantë.

    Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, po ashtu do t’i drejtohet masës gjatë mbrëmjes. Në program janë paraparë edhe Vlora Jashari nxënësi dhe Erdi Mirena.

    Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka publikuar fotografi para kësaj proteste.

    “Edhe sonte: UÇK”, ka shkruar Krasniqi.

    Policia me një njoftim para protestës për ish-krerët e UÇK-së

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 19:27

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka angazhuar kapacitetet e saj për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar për sonte në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, si dhe për menaxhimin e trafikut rrugor.

    Sipas Policisë, pas protestave të qeta në kryeqytet, disa pjesëmarrës kanë vazhduar të qarkullojnë me automjete nëpër rrugët e Prishtinës, duke kryer, siç thuhet, vozitje të pakontrolluara dhe të rrezikshme.

    Policia ka thënë se disa persona kanë dalë dhe kanë qëndruar në dritaret apo mbi veturat në lëvizje, duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, përfshirë këmbësorët.

    “Veprimet policore në terren kanë të bëjnë ekskluzivisht me parandalimin e ngasjes së rrezikshme e të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia ka përgënjeshtruar gjithashtu pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së.

    “Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore”, thuhet në njoftim.

    Sipas Policisë, angazhimet e saj kanë për qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve, mbarëvajtjen e protestës në mënyrë të qetë dhe të sigurt, menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e vozitjeve të rrezikshme.

    Musliu: Haga mund të mbajë katër burra, por jo kujtesën e një populli

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 18:55

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar sërish pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në reagimin e saj, Musliu ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është trajtuar lufta e Kosovës në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e kontekstit historik dhe të së vërtetës së plotë në vlerësimin e drejtësisë.

    “A mund të quhet drejtësi një proces që e shkëput luftën nga historia që e solli atë? Unë besoj se jo.Drejtësia nuk mund të jetë vetëm një sallë gjyqi. Nuk mund të jetë vetëm një dosje. Nuk mund të jetë vetëm një interpretim i fakteve të zgjedhura. Drejtësia duhet të ketë edhe kujtesë. Duhet të ketë kontekst. Duhet të ketë guximin për ta parë të vërtetën të plotë, edhe kur ajo është e pakëndshme”, ka shkruar ajo në Facebook.

    Musliu ka thënë se drejtësia nuk duhet të kufizohet vetëm në një proces gjyqësor, por duhet të përfshijë edhe kujtesën dhe kontekstin historik.

    “Kosova nuk e nisi luftën për të pushtuar dikë. Kosova luftoi sepse liria ishte bërë domosdoshmëri njerëzore. Prandaj, ajo që sot e quaj masakër të drejtësisë ndërkombëtare, nuk është vetëm dënimi i katër njerëzve. Është ndjenja se në një proces të tillë mund të jetë cenuar vetë besimi se drejtësia ndërkombëtare është mbi politikën, mbi interesat dhe mbi versionet e fuqishme të historisë. Historia nuk mbyllet me një aktgjykim. Një gjykatë mund të shkruajë një vendim. Nuk mund ta shkruajë përgjithmonë historinë. Muret e Hagës mund t’i mbajnë sot katër burra, por nuk mund ta burgosin kujtesën e një populli”, ka shkruar ajo.

    Nga Kosova në diasporë, nuk ndalen protestat në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 17:52

    Sonte në Prishtinë nga ora 21:00 mbahet protesta e pestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, përpara ndërtesës së Qeverisë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët u dënuan nga Gjykata Speciale me 81 vjet burgim, shkruan Reporteri.net.

    Përveç në Prishtinë protesta po mbahen edhe në shumë qytete evropiane.

    Të shtunën u mbajtën tubime në disa qytete nga disapora në Gjermani, ku pjesëmarrësit kanë marshuar me flamuj kuqezi.

    Sot qindra shqiptarë protestuan edhe në Vjenë të Austrisë, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është mbajtur edhe në Vankuver të Kanadasë.

    Edhe nga Kalabria, shqiptarët bashkohen në një mesazh solidariteti për drejtuesit e UÇK-së.

    Protestë është paralajmëruar për nesër edhe nga organizata studentore, kurse marsh protestues ka paralajmëruar për javën tjetër edhe Organizata e Veteranëve të UÇK-së.

     

    Nga Kalabria, shqiptarët bashkohen në një mesazh solidariteti për drejtuesit e UÇK-së

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 17:30

    Në Kalabri janë mbledhur rreth 60 përfaqësues shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora.

    Takimi zhvillohet në kuadër të Forumit të Përhershëm të Turizmit Rajonal dhe projektit “EXPO ARBËRIA”, me fokus trashëgiminë arbëreshe, kulturën dhe bashkëpunimin.

    Përfaqësuesit vizituan qendra historike arbëreshe dhe prezantuan gjuhën, traditat, muzikën, gastronominë dhe veshjet.

    Në aktivitet u përcoll mesazhi i solidaritetit me ish-pjesëtarët e UÇK-së: “Liri për çlirimtarët”.

    ‘Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale’, Vokshi: S’ka bazë ligjore, mund të dënohesh edhe pa qenë i lidhur direkt me veprat

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 16:08

    Analisti, dhe eksperti i çështjeve politike dhe ndërkombëtare në Shqipëri, Indrit Vokshi, ka komentuar verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë dhe nocionin e shumëpërdorur “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

    Sipas tij, për konceptin e larte përmendur ti mund të dënohesh edhe pa qenë i lidhur direkt me veprat.

    Sipas tij, “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale” për të cilën ata janë dënuar, nuk gjendet në ligjin për Gjykatën Speciale.

    “Standardi europian II kriminal: “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale” për të cilën ata janë dënuar, nuk gjendet në ligjin për Gjykatën Speciale. Është nocion i prodhuar nga prokuroria e gjykata me interpretim. “Nullum crimen sine lege”, nuk ka krim pa ligj, është parim bazë i drejtësisë penale. Gjyqtarët kanë dalë nga ligji dhe kanë shkuar te “zakoni ndërkombëtar.” Mirëpo edhe zakoni ndërkombëtar për ketë cilësim nuk ka qenë i konsoliduar dhe i pranuar në vitin 1998-1999. Është njohur e formuar vetëm pas 1999 si formë e vlefshme e përgjegjësisë penale. Pra si mundesh të dënosh njerëz për vepra të 1998-1999 me një zakon i cili është konsoliduar vetëm pas vitit 1999? Njëlloj sikur pas 25 vjetësh të na dënojnë për një veprim i cili sot që flasim nuk quhet krim.”, shkroi ai.

    Shqiptarët mblidhen në Vjenë, protestojnë kundër denimit të ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 15:40

    Shqiptarët janë mbledhur sot edhe në Vjenë të Austrisë për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për t’i dënuar me 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Qytetarë të shumtë u mblodhën në kryeqytetin austriak duke mbajtur flamuj kuq e zi dhe ata me logon e UÇK-së.

    Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim – të gjithë për krime lufte.

    ​Studentët ngrihen kundër vendimit të Speciales, nesër protestojnë në Prishtinë

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 14:54

    Studentët bënë thirrje që qytetarët të i’u bashkohen protestës së tyre që do të mbahet nesër. Sipas tyre, ata do të nisen në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe do të shkojnë në drejtim të sheshit “Skënderbeu” dhe në orën 12:00 do të fillojnë fjalimet e studentëve.

    Studentët u bënë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në protestën që do të mbahet nesër (e hënë) në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Sipas tyre, nisja do të bëhet në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve drejt sheshit “Skënderbeu”, ndërsa fjalimet do të fillojnë në orën 12:00.

    Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor tha se ky marsh bën thirrje për unitet dhe solidaritet në një moment kaq të rëndësishëm për vendin.

    “Marshi bën thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë. Studentët e UP-së, së bashku me studentë nga universitetet tjera publike e private, kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili do të lexohet nga kolegët dhe do të publikohet pas përfundimit të marshit”, tha Kastrati.

    Ndërsa kolegu i tij, Donart Humolli tha se e ndjejnë si obligim moral të reagojnë ndaj këtij aktgjykimi dënues.

    “Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë. Nuk kemi se si të jemi të qetë derisa ata që na e sollën me lirinë, falë të cilëve ne sot studiojmë dhe arsimohemi të lirë, gjenden në Hagë”, tha Humolli.

    Ai kërkoi mbështetje financiare nga institucionet deri në përfundim të procesit dhe deri në momentin kur çlirimtarët kthehen në vendin e tyre.

    “Në këtë linjë, kërkojmë mbështetje financiare të pakushtëzuar, si dhe mbështetje të plotë politike e morale për të akuzuarit deri në përfundimin e këtij procesi dhe derisa t’i kemi çlirimtarët tanë në shtëpitë e tyre, pranë familjeve të tyre. Si Parlament Studentor dhe si studentë, jemi të vetëdijshëm se po kalojmë nëpër një situatë të vështirë dhe të rëndë. Për këtë arsye, e shohim më se të nevojshme të bëjmë një thirrje të hapur për unitet kombëtar”, tha ai.

    REL: Njeriu i 17 shkurtit nën hijen e 16 shtatorit

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 14:03

    Dënimi për krime lufte i shton një kapitull të ri trashëgimisë së Hashim Thaçit, një prej figurave qendrore të pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Juridikisht, aktgjykimi ndaj Thaçit nuk prek pavarësinë e Kosovës; politikisht, ekspertët paralajmërojnë se mund të përdoret për të sfiduar narrativin e shtetësisë së saj. Nga partneriteti me Perëndimin te verdikti në Hagë, si do të bashkëjetojnë këta dy kapituj në mënyrën se si do të kujtohen Thaçi dhe historia e re e Kosovës?

    Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi qëndroi në foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe lexoi fjalët që do ta përcaktonin vendin e tij në historinë e shtetit më të ri të Evropës.

    “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, tha Thaçi.

    Ai ishte atëherë 40 vjeç, kryeministër i Kosovës dhe ish-udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Fotografia e tij në Kuvend u bë një nga imazhet përcaktuese të 17 shkurtit.

    17 shkurt 2008: Hashim Thaçi, atëkohë kryeministër, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, një tjetër imazh i Thaçit hyn në historinë e Kosovës.

    Më 16 shtator 2026, ai qëndroi në një sallë gjyqi në Hagë dhe dëgjoi një trup gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës ta shpallte fajtor për krime lufte.

    “Trupi gjykues ju dënon me një dënim të njësuar me 25 vjet burgim”, u tha në aktgjykim.

     

    Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, 16 shtator 2026.

    Asnjëra fotografi nuk e fshin tjetrën, por, prej këtij aktgjykimi, ato do të ekzistojnë së bashku.

    Pyetja është se çfarë i bën kjo jo vetëm trashëgimisë së Thaçit, por edhe mënyrës se si do të lexohet historia e shtetit që ai ndihmoi ta krijonte.

    Çfarë gjykoi Haga?

    Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se përgjigjja juridike nuk lë shumë hapësirë për dilemë: këto janë dy çështje krejtësisht të ndara.

    Sipas tij, Dhomat e Specializuara kishin për detyrë të përcaktonin përgjegjësinë penale të katër individëve – Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – dhe jo të gjykonin shtetin që u krijua më vonë.

    “Ata i shpallën këta katër individë fajtorë për krime lufte dhe për përgjegjësinë e tyre individuale. Kjo është ajo që përcakton ligji. Nuk do të duhej të kishte ndonjë ndikim tjetër mbi shtetin”, thotë Ellis për Radion Evropa e Lirë.

    Për pavarësinë, përgjigjja juridike u dha edhe vite më parë.

    Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Deklarata e 17 shkurtit nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare.

    Vija u tërhoq qartë edhe në Dhomat e Specializuara: synimi për pavarësinë e Kosovës nuk ishte objekt i përgjegjësisë penale. Aktgjykimi trajtoi krimet e kryera ndaj personave të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së.

    Megjithatë, ajo që ndahet qartë në një sallë gjyqi, mund të bashkohet më lehtë në betejën politike për historinë.

    Një aktgjykim që mund të marrë një jetë tjetër
    Pikërisht këtu, sipas studiuesit Abit Hoxha nga Universiteti Agder në Norvegji, aktgjykimi mund të marrë një jetë tjetër.

    Jo duke ndryshuar statusin juridik të Kosovës, por duke hyrë në përplasjen shumë më të vjetër për mënyrën se si interpretohet pavarësia e saj.

    Hoxha thotë se vendimi mund të lërë “një njollë të madhe” në këtë histori dhe pret që Serbia dhe Rusia, të cilat vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, ta përdorin dënimin e Thaçit për të sfiduar narrativin mbi të cilin Kosova e ka ndërtuar shtetësinë e saj dhe për ta shtyrë këtë interpretim edhe përtej tyre.

    “Vendet sikurse Qiproja, Rumania, Spanja, Greqia… do ta kenë shumë më të vështirë ta njohin pavarësinë e Kosovës, për shkak të këtij argumenti. Të gjithë njerëzit që janë kundërshtarë të Kosovës, do të thonë se themeli i shtetit të Kosovës është bërë mbi krime të luftës. Këtu është rreziku më i madh që unë e shoh”, thotë Hoxha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

    Për vetë figurën e Thaçit, Hoxha përdor një përkufizim më të fortë. Ai e përshkruan si “babain e pavarësisë së Kosovës” – jo vetëm për faktin se lexoi Deklaratën, por për rolin që kishte në gjithë procesin që çoi deri tek ajo.

    Është një rol që, sipas Hoxhës, aktgjykimi mund ta komplikojë, por nuk mund ta fshijë nga historia.

    Kjo për faktin se rruga e Thaçit përshkoi disa prej etapave vendimtare të historisë së re të Kosovës.

    Nga veprimtaria politike dhe roli udhëheqës në UÇK, ai kaloi në negociatat ndërkombëtare për Kosovën dhe, pas luftës, në krye të institucioneve të saj.

    Ishte kryeministër kur u shpall pavarësia, më vonë president dhe një nga figurat kryesore në dialogun me Serbinë dhe në marrëdhëniet me Perëndimin.

    Dy mënyra për ta kujtuar Thaçin

    Por, kjo histori e gjatë politike ngre edhe pyetjen se sa mund të ndahet aktgjykimi i Hagës nga trashëgimia e Thaçit.

    Për studiuesin Armend Bekaj nga Universiteti Uppsala në Suedi, mënyra se si do të kujtohet Thaçi nuk ka vetëm një përgjigje.

    “Për shumëkë, Hashim Thaçi do të vazhdojë të jetë heroi i luftës dhe i paqes, por, njëkohësisht, edhe për shumëkë do të jetë një person, i cili u shpall fajtor për krime lufte. Besoj që kjo gjykatë, fatkeqësisht, ka ofruar material të bollshëm për politikanin, akademikun, gazetarin e sotëm, e nesërm, që të shkruajë vëllime të tëra si për njërin ekstrem, ashtu edhe për ekstremin tjetër”, thotë Bekaj për Exposenë.

    Për ata që do ta lexojnë Thaçin vetëm përmes aktgjykimit, Bekaj shton se duhet kujtuar edhe konteksti: rruga e tij nga UÇK-ja deri te pavarësia u përshkua me mbështetje të fuqishme të Perëndimit, mbi të gjitha të Shteteve të Bashkuara.

    Si dëshmi të këtij raporti, ai përmend edhe paraqitjen në mbrojtje të Thaçit të ish-zyrtarëve të lartë amerikanë, si Wesley Clark dhe James Rubin.

    “Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK-së, dhe jo vetëm të UÇK-së, kanë qenë partnerë në çdo hap – prej kohës së rezistencës civile, rezistencës së armatosur drejt bërjes së Kosovës shtet – kanë punuar në një afërsi të jashtëzakonshme me miqtë euroatlantikë”, thotë Bekaj.

    A duhet Perëndimi ta rilexojë atë periudhë?

    Ky partneritet e zgjeron pyetjen përtej vetë Thaçit.

    Nëse ai ishte një nga figurat kryesore me të cilat Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre punuan në rrugën drejt pavarësisë, a e detyron aktgjykimi i Hagës Perëndimin ta rilexojë edhe atë periudhë?

    Charles Kupchan, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe profesor në Universitetin Georgetown, nuk mendon kështu.

    “…sepse Thaçi e bëri atë kalim, apo jo? Nga një udhëheqës i kohës së luftës, i dënuar tani për mizori, ai u bë një udhëheqës civil që ndihmoi Kosovën të ecte drejt pavarësisë dhe të ndërtonte marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, me fuqitë evropiane dhe me të tjerët. Prandaj, nuk mendoj se kjo do të ndryshojë”, thotë Kupchan për Exposenë.

    Me fjalët e tij, verdikti mund të jetë një tronditje afatshkurtër, por jo një goditje që do të ndryshojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

    Ai nuk pret tërheqje të njohjeve, dëmtim të partneriteteve me Perëndimin apo pengim të rrugës euroatlantike. Sipas tij, as procesi i normalizimit me Serbinë nuk vihet në pikëpyetje.

    Madje, në planin afatgjatë, ai sheh mundësinë edhe të një efekti pozitiv, nëse procesi shihet si dëshmi se drejtësia zbatohet njësoj për të gjithë.

    “Kosova po luftonte për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik dhe, për këtë arsye, lufta për pavarësi ishte një luftë e drejtë. Megjithatë, një luftë e drejtë nuk i justifikon krimet e luftës. Një padrejtësi nuk mund të arsyetohet me një padrejtësi tjetër. Nëse Thaçi dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kanë kryer krime lufte – edhe pse kauza për të cilën luftonin ishte e drejtë – atëherë mendoj se gjykata ka bërë atë që duhej të bënte”, thotë Kupchan.

    Nga “George Washingtoni i Kosovës” te Haga

    Ky kontrast nuk kaloi pa u vënë re edhe jashtë Kosovës.

    Në raportimet për aktgjykimin, mediat ndërkombëtare e përshkruan Thaçin jo vetëm si ish-president dhe ish-udhëheqës të UÇK-së, por edhe si një nga figurat qendrore të pavarësisë.

    AFP-ja e përmblodhi transformimin në një titull: “Nga ‘George Washingtoni i Kosovës’ në të dënuar në Hagë”. Krahasimi lidhet me një përshkrim që Joe Biden kishte përdorur për Thaçin gjatë kohës kur ishte nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

    Associated Press kujtoi se Thaçi, i cili u kthye nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës në Kosovë, u pranua më pas nga udhëheqësit perëndimorë, mori pjesë në negociatat e Rambujesë më 1999 dhe u pa si një prej figurave që mund ta udhëhiqnin Kosovën drejt pavarësisë.

    Guardian shkroi se Thaçi, dikur me qëndrime të ashpra, më pas u zhvendos drejt një profili politik më të moderuar.

    The Times, po ashtu, e përmblodhi kontrastin që në titull: “‘Gjarpri’, hero i Kosovës, i dënuar për krime lufte”.

    Një trashëgimi që tash ka dy anë
    Kur pyetet se cili imazh i Thaçit do të peshojë më shumë pas disa dekadash – njeriu që ndihmoi ta çonte Kosovën drejt pavarësisë apo njeriu i dënuar për krime lufte – Kupchan nuk zgjedh mes tyre.

    “Si edhe me udhëheqës të tjerë që kanë bërë gjëra të guximshme dhe me vlerë, por që njëkohësisht janë akuzuar edhe për vepra penale, përfshirë krime lufte, edhe në rastin e Thaçit ekzistojnë të dyja anët. Është një trashëgimi e ndërlikuar. Thaçi do të kujtohet për rolin që kishte në udhëheqjen e Kosovës drejt pavarësisë. Por, në të njëjtën kohë, trashëgimia e tij tash do të jetë e lidhur edhe me këtë aktgjykim”, thotë Kupchan.

    Dy momentet i ndajnë pak mbi 18 vjet.

    Se cili prej tyre do të peshojë më shumë në mënyrën se si do të kujtohet Thaçi, mbetet një pyetje për vitet që vijnë.

    Por, 16 shtatori nuk ndryshoi vetëm trashëgiminë e tij.

    Në të njëjtën sallë, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 – të gjithë për krime lufte.

    Në Kosovë, aktgjykimi u prit me reagime të forta dhe me shpresën se fjala e fundit mund të mos jetë thënë ende.

    Sepse, pas më shumë se tre vjetësh gjykim dhe një aktgjykimi që dha gjithsej 81 vjet burgim për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, vëmendja tash zhvendoset tek apeli.

    “Të jemi shumë, të jemi bashkë”, bëhet thirrje për pjesëmarrje në protestën e sontme

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 13:34

    ë sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, sonte nga ora 21:00 do të mbahet sërish protestë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Thirrjen për protestë e ka bërë organizata “Liria ka Emër”, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen në shesh në mbështetje të çlirimtarëve.

    “Sonte në 21:00, dalim në shesh për ata që luftuan për ne. Për lirinë që na e lanë. Për çlirimtarët që sot kanë nevojë për zërin tonë. Mos mungo. Të jemi shumë. Të jemi bashkë”, ka shkruar “Liria ka Emër”.

    Buja pas vërdiktit në Hagë: Ku është qeveria, parlamenti, dhe partia ime, kështu nuk mbrohet askush

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 13:16

    Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, dhe ish komandanti i UÇK-së,  Shukri Buja ka ngritur disa pyetje pas verdiktit dënues në Hagë.

    Buja ka thënë se qytetarët përmes protestave në Kosovë dhe jashtë vendit po e kryejnë punën e tyre.

    Megjithatë ai ka thënë se asnjë veprim me peshë nuk po bëhet nga Parlamenti i Kosovës, partitë politike dhe qeveria e Kosovës.

    “Po ku je, partia ime, që nuk e thirre as mbledhjen e Këshillit Drejtues, as kryetarët e degëve nuk i ftove për organizim, koordinim e bashkëveprim? Kështu nuk ecet. Kështu nuk mbrohet askush. As udhëheqësit tanë që u dënuan padrejtësisht, as lufta çlirimtare, as shteti ynë”, ka shkruar Buja.

    Postimi i tij:

    Isha pjesëmarrës në protestën e organizuar nga OVL të UÇK-së, po ashtu edhe në protestën e organizuar në mbrëmje, “Jo në emrin tim”, dhe me bindje e them se rinia është e mrekullueshme, qytetarët të jashtëzakonshëm, ndërsa mërgimtarët janë duke u treguar në nivel maksimal!

    Të gjithë në protesta përballë padrejtësisë që po i bëhet këtij populli, në emër të tij.

    Po ku është Parlamenti i Kosovës? Ku janë subjektet politike? Ku është Qeveria e Kosovës? Ku është Akademia e Shkencave? Ku është…?!

    Asnjë veprim me peshë!?

    Po ku je, partia ime, që nuk e thirre as mbledhjen e Këshillit Drejtues, as kryetarët e degëve nuk i ftove për organizim, koordinim e bashkëveprim?

    Kështu nuk ecet. Kështu nuk mbrohet askush. As udhëheqësit tanë që u dënuan padrejtësisht, as lufta çlirimtare, as shteti ynë.

    Ndërkohë, deputetë, vazhdoni me reklama individuale, selfie e fotografi nga tubimet…

    Ju kuptoj. Ju duhen votat nesër!

    Por historia nuk do ta mbajë mend sa fotografi bëtë.

    Do ta mbajë mend kush ishte aty kur duhej të ishte aty dhe çka bëri kur duhej të vepronte!

    “Diaspora shqiptare me UÇK-në”, protestë edhe në Kanada kundër aktgjykimit të Speciales

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 11:44

    Organizata “Liria ka Emër” ka njoftuar se një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është mbajtur edhe në Vankuver të Kanadasë.

    Sipas organizatës, protesta u organizua kundër asaj që u cilësua si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    “Diaspora shqiptare me UÇK-në”, ka shkruar organizata “Liria ka Emër” krahas fotografive nga protesta.

    Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Prishtinë dhe në disa vende të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën dhe Italinë.

     

    Bedri Hamza: Do ta vizitojë edhe familjen e Rexhep Selimit, kurdo që ata të jenë në mundësi

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 10:59

    Bedri Hamza, ka folur për vizitat te familjet e ish-krerëve të UÇK-së, pasi ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.

    Duke folur për vizitën te familja e Rexhep Selimit, Hamza tha se edhe familjes së Selimit i ka shkruar dhe se pret që të takohen kur ata të jenë në mundësi.

    “Edhe familjes së z. Selimi i kam shkruar dhe besoj se, kurdo që ata të jenë në mundësi, do të takohemi!”, ka thënë Hamza.

    “Shihemi n’21:00 n’shesh”, protesta vazhdon edhe sonte në Prishtinë

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 8:00

    Edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të ketë sërish tubim të qytetarëve.

    Në ditën e pestë, protesta do të nisë prej orës 21:00, e cila ka për qëllim kundërshtimin e aktgjykimit të shkallës së parë nga Gjykata Speciale për ish-presidentin Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    “Shihemi n’21:00 n’shesh”, ka njoftuar platforma ‘Liria ka Emër”.

    Kundër vendimit të Speciales, dje pasdite protesta janë mbajtur edhe në Diasporë, në Gjermani, Zvicër e Austri.

    Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë, ndërsa i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.

    Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim.

    Hoxhaj: Atë që Serbia e shkroi në vitin 2000 kundër UÇK-së, e dëgjuam në verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 23:12

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur lidhur verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me pretendimet e publikuara në Serbi që nga viti 2000.

    Hoxhaj ka deklaruar se përshkrimet për qëllimet dhe veprimtarinë e UÇK-së, të paraqitura në një libër të botuar në Serbi në mars të vitit 2000, janë dëgjuar edhe në verdiktin e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    “Në mars të vitit 2000, në Serbi, është botuar një libër i cili pretendon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pas për qëllim për ta marrë në kontroll fizik territorin e Kosovës. Që grupi i udhëheqësve të UÇK-së ka pas plane kriminale dhe që ky grup e ka marrë kontrollin e territorit jo vetëm në betejën me Serbinë, por edhe në betejë me kundërshtarët e tij të brendshëm, Këto përshkrime në këtë libër të botuar atëherë, ne i kemi dëgjuar në verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë, ndaj krerëve të UÇK-së”, ka deklaruar Hoxhaj.

    Ai ka folur edhe për librin e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, të botuar në prill të vitit 2008, duke e lidhur atë me nisjen e procedurave parlamentare në Këshillin e Evropës për hetimin e pretendimeve të saj.

    “Libri i Carla DelPontes i cili ka dal në prill të 2008-ës pak javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili përmes një deputeti në Këshill të Evropës, Konstandin Kostaqev, është inicu si procedurë parlamentare që pretendimet e Carla DelPontes të hetohen përms një komisioni parlamentar. Kjo ka ndodhur në 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë ai.

    Sipas Hoxhajt, kjo periudhë u pasua nga publikimi i raportit të Dick Martyt, të cilin ai e ka cilësuar si kulminacion të asaj që e quan luftë speciale kundër Kosovës.

    “Lufta speciale ka vazhdu dhe ka kulmu me prodhimin e raportit të Dick Martyt, raport i cili është shkru nga një politikan, se Dick Marty nuk ka qenë studiues, nuk ka qenë as akademik, nuk ka qenë as ndonjë anëtar i ndonjë instituti ose think tanku, ai ka qenë senator. Të gjitha faktet që i ka përdor Dick Marty në raport kanë qenë fabrikime të Rusisë dhe të Serbisë. Asnjëherë nuk ka pas trafikim të organeve, asnjë rast që paraqitet aty si fakt nuk ka qenë i vërtetë. Nuk ka pas asnjë shtëpi të verdhë”, ka deklaruar Hoxhaj.

    Ai ka kujtuar edhe reagimin e tij pas publikimit të raportit të Dick Martyt, duke treguar se fillimisht kishte kërkuar që autori i raportit të përballej me drejtësinë.

    “Kur është publikuar për herë të parë raporti i tij, reagimi jonë i parë ka qenë që ta dërgojmë Dick Martyn në gjykatë, që ai të përballet me drejtësi, por edhe reagimi i ambasadorëve në atë kohë ka qenë që të mos i japim rëndësi këtij raporti”, ka thënë Hoxhaj në Klan Kosova.

    Policia gjermane ua largon flamujt kombëtar dhe të UÇK-së protestuesve

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 22:46

    Përveç në Prishtin, sot në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që u dënuan nga Gjykata Speciale janë mbajtur protesta edhe në Gjermani.

    Protesta janë mbajtur në disa qytete si Koln, Mynih e Shtutgart.

    Por në pamjet e publikuara shihet se Policia gjermane ua ka larguar protestuesve flamujt kombëtar dhe të UÇK-së.

    Kurti: Nevojitet strategji shtetërore për reagim ndaj verdiktit të Speciales – Qeveria do të ofrojë çdo mbështetje

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 22:16

    Kryeministri Albin Kurti nga Amerika ku po qëndron për vizitë, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së.

    Ai thotë se ky verdikt është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht.

    “Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm”.

    Tutje, Kurti ka thënë se do të bashkëpunojnë me aleatët ndërkombëtarë dhe do të angazhohet pandërperë në mbrojtjen e luftës çlirimtare përballë propagandave të Serbisë.

    Postimi i tij i plotë:

    Në ditën e parë të qëndrimit në New York, pata kënaqësinë të zhvilloj një bashkëbisedim frymëzues, “Between Here and Home”, me të rinjtë e diasporës shqiptare në Amerikë, organizuar nga tri grupe të të rinjve shqiptaro-amerikanë: ZANI, F’Oda, dhe Columbia University Albanian Society. Krahas kolegëve nga Qeveria e Republikës së Kosovës në delegacionin tonë janë edhe kryetarja e Preshevës Ardita Sinani dhe deputeti Shaip Kamberi.

    Biseduam mbi një gamë të gjerë temash, përfshirë rritjen ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë të këtij viti, si dhe uljen e papunësisë nga 26% në 10% gjatë qeverisjes sonë. Sikurse edhe për nevojën për përmirësimin e mëtejshëm në integritetin dhe performancën e sistemit gjyqësor, i cili vazhdon të jetë cak i kritikave në raportet ndërkombetare, përfshirë atë të Komisionit Evropian.

    Është e domosdoshme që të rinjtë të kontribuojnë në forcimin e barazisë gjinore dhe në promovimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në mbarë botën.

    Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm.

    Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërperë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!